Nuk po ndalemi këtu të numërojmë dhe të përmendim shkeljet e shumta që u janë bërë Kushtetutës dhe ligjit organik të KLD nga të zgjedhurit, për si vendimarrës të këtij institucioni, shkelje të cilat u artikuluan qartë dhe u argumentuan drejt gjatë seancës së djeshme parlamentare. Por, njëherazi, nuk mund të lihet në heshtje fakti, sipas të cilit, nga vënia e tyre në dukje bie poshtë, për shembull, vetëmbrojtja e ish Zëvendëskryetarit Çefa, që është shprehur se vendimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë mereren në mënyrë kolegjiale dhe, prandaj, bashkë me ‘të duhej të shkarkohej edhe Presidenti i Republikës në funksionin e Kryetarit të KLD. Mirëpo, Kuvendi shkarkoi ata që kishte zgjedhur vetë dhe s’mund ta ndërmarrë këtë veprim për Kreun e Shtetit, që e autorizon Kushtetuta të kryesojë edhe KLD. S’mund ta ndërmarrë as për 9 anëtarë të tjerë që i zgjedh për në atë post Konferenca Gjyqësore Kombëtare etj.
Gjithashtu, lënë shumë për të dëshiruar edhe ato që tha Presidenti Nishani përpara disa ditëve, i cili u shpreh në një intervistë televizive, se: “S’mund të hetojë legjislativi, dhe aq më keq akoma me procesdurë kuazi – gjyqësore, një sistem tjetër. Anëtarët e zgjedhur nga parlamenti nuk përfaqësojnë parlamentin...Ata po hetojnë vendimet e KLD, që sipas Kushtetutës mund ta bëjë Gjykata e Lartë”. Vërtet që Gjykata e Lartë mund të kthejë, të prishë apo të lërë në fuqi vendimet e KLD për shkarkimin dhe masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të dy shkallëve të para të sistemit të juridiksionit të zakonshëm gjyqësor, pas ankimit të këtyre të fundit pranë saj. Por, nuk shqyrton posaçërisht vendime të tjera të këtij organi.
Ndërsa, Kuvendi mund të hetojë (sipas parashikimeve të një ligji të veçantë mbi objektin dhe veprimtarinë e komisioneve hetimore) sidomos për aktivitetin e atyre funksionarëve që dyshohet se e kanë devijuar aktivitetin e tyre nga qëllimi për të cilin i ka zgjedhur apo u ka dhënë pëlqimin, për të ushtruar detyra të rëndësishme. Megjithatë, s’është çudi që emërimi shumë shpejt nga Kuvendi i dy anëtarëve të rinj, të cilët do të zëvendësojnë të shkarkuarit e djeshëm, mund të pasohet nga një “hakmarrje” tradicionale e ndikuar prej grupeve politike, që u përket deri tani shumica e anëtarëve të KLD.
Pra, që një komision i ngritur në Këshillin e Lartë për raste të tilla të vonojë verifikimin e mandateve të kolegëve të rinj. Se sa mund të zgjaste verifikimi, kjo është çështje kohe, që do të ngarkonte me përgjegjësi edhe Presidentin Nishani në funksionin e Kreut të Këshillit të lartë të Drejtësisë, si edhe anëtarë të tjerë të këtij Këshilli.
Sidoqoftë, ndodhia në përgjithësi e këtij ‘sherri institucional’, që lë hapësira edhe për vlerësime mbi lidhjet e politikës me një komponent të tillë të organizimit dhe funksionimit të sistemit gjyqësor, sigurisht që shtrohet në kuadër të efektivitetit të rolit të pushtetit gjyqësor, i cili në Shqipëri ende pas 16 vitesh që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës aktuale vazhdon të vuajë pasojat e një sistemi në tranzicion. Vetë mosbesimi i theksuar i masës së gjerë të qytetarëve tanë për t’u vendosur ndonjëherë drejtësia, pa dyshim që prek atë lidhje të drejtpërdrejtë që karakterizon demokracitë bashkëkohore. Pra, raportin e besimit mes të përfaqësuarit dhe përfaqësuesve mbi vendimarrjet politike në vend.
Mirëpo, Vetë përbërja e KLD në Shqipëri, megjithëse formohet në mënyrë demokratike dhe synon të sigurojë “vetqeverisjen” nga ana e gjyqtarëve, që përbëjnë shumicën e anëtarësimit në ‘të, shpesh herë nuk ka shmangur subjektivizmin për vlerësimin e vendimeve gjyqësore dhe figurës së gjyqtarëve të vënë në konflikt interesi. Njëherazi, nuk i ka dhënë goditje as prirjes së dëmshme të quajtur “solidaritet korporativ’, veçanërisht kur është rasti të merren ndaj disa gjyqtarëve masa displinore të propozuara prej Ministrit të Drejtësisë. Në këto situata, por edhe në kushte të tjera, studiues seriozë në fushën e së drejtës e gjykojnë si normal një tension të vazhdueshëm mes politikës dhe gjyqësorit, ku “e para kërkon legjitimitetin e aksionit të saj vendimarrës dhe e dyta ruajtjen e kushtetutshmërisë”.
Në nenin 7 të Ligjit Themelor të shtetit parashikohet ndarja, por edhe balancimi i pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe atij gjyqësor, duke kristalizuar kështu në një farë mënyre ngritjen e shtetit të së drejtës. Por, ky preokupim i kushtetutërësit do të duhej të reflektonte jo vetëm përpjekjet për organizim të përshtatshëm të sistemit gjyqësor, por edhe ndërgjegjësimin e magjistratëve, si zbatues të normës juridike larg ndikimeve të politikës dhe të ambientit. Për hir të së vërtetës, kjo nuk ka ndodhur. Dhe, sa më shumë kohë që kalon, aq më të rënda paraqiten pasojat dhe aq më të ngutshme kërkesat për transformim. Ndërkohë që, vetëm po të kishim një alternim të rregullt në qeverisje dhe nëse partitë e shumicës dhe të pakicës nuk janë fort larg politikave të veta, regjimi mund të quhej “mjaftueshëm demokratik”.
Përsëri, rër hir të së vërtetës as kjo nuk ka ndodhur. Mjafton të kujtojmë, se na ndan vetëm pak më shumë se sa një vit që qeverisjen e mëparshme monokratike, e cila ka përçuar ndjeshëm influencën e vet politike te një shumicë magjistratësh, populli në votimet e fundit (të parat të konsideruara si të lira dhe të ndershme) e la pas tetë vitesh në opozitë. Dhe, megjithatë, kjo opozitë aktuale kërkon të ruajë me qip e me thonj atë ndikim korruptiv mbi magjistratët e “peshuar” mirë prej saj, në vend që t’u afrohet bashkë me shumicën qeverisëse politikave të kohës, për të ndikuar në rritjen e frymëmarrjes si për ekonominë, edhe për të drejtën dhe drejtësinë.
Një fakt që pranohet gjerësisht është se, në të gjitha vendet demokratike ekzistojnë marrëdhënie ndërmjet politikës dhe drejtësisë, administrimi i kësaj të fundit ndërsjell vazhdimisht raporte me sistemin politik dhe me vetë shoqërinë. Dhe, sa më shumë ajo bëhet politikisht e rëndësishme, aq më tepër bëhet në mënyrë të paevitueshme objekt i presioneve politike. Për shembull, vendimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Itali janë prodhim i një procesi, gjatë të cilit ndërveprojnë përfaqësuesit e grupeve politike dhe shoqatave gjyqësore. Kështu, edhe logjika vendimarrëse e Këshillit kthehet në vendim institucional, ku përfaqësuesit e zgjedhur të magjistraturës mund të negocionojnë me përfaqësuesit e mjedisit politik, duke hyrë kështu në një lidhje me mënyrë të re.
Prandaj, një ndërtim institucional që magjistratura të përpiqet për t’u përshatur me rritjen e ndikimit politik, nga ana e saj favorizohet me përforcimin e pavarësisë që sjell një Këshill i Lartë serioz. Kështu, kanalet me anë të të cilave gjyqtarët mund të ndërveprojnë me mjedisin politik ndryshojnë vazhdimisht. Këto kanale apo lidhje konsiderohen të rëndësishme, kur ndikojnë grupimin e referencës së gjyqtarit, konceptin mbizotërues mbi rolin e tij dhe, pa dyshim, mbi aktivitetin vendimarrës. Në këtë kuadër, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në Shqipëri kërkohet që ky organ të favorizojë evoluimin e rolit aktiv të gjyqtarit brenda kompetenecave të tij. Kjo do të përkthehej edhe si një juridicizim i politikës, falë edhe një evoluimi të sistemit politik, një reforme të thellë në Drejtësi, që do të gjeneronte sistem gjyqësor favorizues të ndikimit pozitiv të veprimtarisë gjyqësore, si edhe një magjistrature të pajisur me garanci të forta pavarësie ku do të zhvillohet një konceptim i ri dhe aktiv i rolit të gjytarit.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 Tetor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)