Njihuni me Këlcyrën dhe një çift artizanësh, çiftin Mino. Çifti jeton në një shtëpi të ulët karakteristike përmetare. Zonja e shtëpisë, Drita, përgatit një herë në dy ditë kos, gjalpë, djathë dhe gjizë.
Ndërsa Hikmeti nxjerr nga duart e arta voza druri të madhësive të ndryshme, dybekë për nevojat e familjeve tradicionale, rrota qerresh, dyer dhe dritare etj.
Drita Mino, qytetare e Këlcyrës, rrëfen punën për përgatitjen në mënyrë artizanale të zaireve të dimrit. Përgatitjen e glikove të ëmbla, të recelnave dhe gatesave tradicionale të Këlcyrës.
“Unë këto i filloj në stinën e verës, pasi janë frutat në atë kohë dhe filloj bëj glikora të ndryshme. I bëj për dimrin, i bëj për qerasje të ndryshme, për njerëz të mirë që vijnë... Kurse portokalli është tani në stinën e dimrit. Glikoja e qershisë është në verë. Glikorat dhe reçelërat e ndryshme që unë i bëj vetë me duart e mia, unë bëj edhe zairenë e perimeve, të bamjeve, të mashurkave, të patërxhaneve, specave dhe gjithçkaje që ndodhet në Pazar”, tha mes të tjerash Drita.
Hikmet Mino, artizan prej 50 vjetësh në Këlcyrë, rrëfen bukurinë e zanatit të vozabërësit, të dybeqeve, dritareve dhe dyerve të shtëpive, të rrotave të qerreve, etj.
“Unë vajta që nga 1967 me zanatçinj shumë të mirë. Kam patur shumë shokë të mirë. Unë këto i kam filluar në 1969-1970 vozet. Kam patur disa shokë këtej nga zona e Malëshovës, edhe nga Kuqari. Madje njëri ka qenë një Vasil Daso. Ai ishte 70-vjeç në atë kohë që unë isha 17-vjeç. Bënim edhe dybeqet, që ajo është kryesorja. Më shumë në atë kohë kërkoheshin dybeqet, por kërkoheshin edhe këto vozet. Kjo është për verë ose djath”, tha mes të tjerash Hikmeti.
Komente










