TIRANË- Gënjeshtër i quan kryeministri Edi Rama qëndrimet e opozitës se vendimi për të mos lejuar arrestimin e ish-numrit 2 të qeverisë Belinda Ballukut, do të bllokojë rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Në një konferencë për shtyp, ku komentoi edhe polemikat me ndërkombëtarët për këtë çështje, kryeministri Rama tha se vendimit për Ballukun iu dha një jehonë tërësisht e deformuar. Ai theksoi edhe njëherë qëndrimin e socialistëve se kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut nuk përmbushte as kushtet minimale për tu marrë në konsideratë, ndërsa shtoi se ky vendim në asnjë rast nuk cenon pavarësinë e drejtësisë.
“Kërkesa e SPAK nuk i përmbushte kushtet për u marrë në konsideratë, ndërkohë që përpjekja për ta lidhur refuzimin me ndonjë arsye tjetër apo ti dhënë refuzimit përmasën e një fakti që do të bllokojë rrugën e Shqipërisë në BE apo do pengojë zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi apo do pengojë aktivitetin e pavarur të drejtësisë, është përpjekje e shëmtuar”, tha Kryeministri Rama.
Shefi i qeverisë e pranon debatin e krijuar me ndërkombëtarët për votën ndaj Ballukut, por thotë se në asnjë rast nuk ka pasur presion apo kërcënime. “Nuk ka asnjë frenim në rrugën tonë të pandalshme drejt anëtarësimit në BE”, theksoi kryeministri Edi Rama, duke shtuar se deklaratat e tyre ishin të qarta, por leximi që është bërë nga ata që i kanë vënë kujën se “mbaroi ëndrra europiane” është pervers dhe i qëllimshëm.
“Përtej mënyrës si janë pikturuar në karikaturat e pazarit mediatik dhe politik, diskutimet tona kanë qenë konstruktive. S’ka pasur asgjë të ngjashme sa i takon tensionit, presionit, kërcënimit. Këto janë gjëra që s’ndodhin në ato nivele ku bëhen ato diskutime. Edhe vetë deklaratat e bëra dje janë shumë të qarta, por varet sesi i lexon”, u shpreh Rama.
Kryeministri i bëri thirrje SPAK që të vijojë hetimet i papenguar për Ballukun dhe të gjejë edhe korrupsionin nëse ka.
“Prokuroria nuk ka ngritur një akuzë për korrupsion, jemi përballë një çështje në hetim e cila mund të hetohet lirisht pa më të voglën pengesë. Unë e inkurajoj prokurorinë të ndjekë dhe të hetojë të gjitha pistat ku mund të mendohet se mund të shfaqet gjatë rrugës ferra e korrupsionit”, tha Rama.
Votimi në seancën e së enjtes, me 82 vota të socialistëve dhe socialdemokratëve për të mos pranuar kërkesën e SPAK për arrestim të Ballukut, nxiti reagimin e Bashkimit Evropian dhe të disa ambasadave në vend. Përmes deklaratave të veçanta përfaqësitë diplomatike thanë se lufta kundër korrupsionit është një element kyç në rrugën e Shqipërisë drejt familjes evropiane.
Gjatë konferencës së shtypit, lidhur me sulmin kibernetik të Iranit ndaj Kuvendit, Rama tha se kapaciteti mbrojtës i vendit është ndër më të mirët në Europë. Megjithatë, ngërçi është që sistemi s’është ende i përfshirë plotësisht në mbrojtjen kibernetike, ku këtu veçoi Kuvendin.
Kryeministri tha se sulmet nga Irani janë të përditshme dhe të pasuksesshme kundrejt mbrojtjes “spektakolare” kibernetike”.
“Kemi një kapacitet mbrojtës kibernetik që është ndër më të mirët në Europë dhe këtë nuk e them unë, por për këtë ftohemi dhe respektohemi në mjediset europiane dhe të NATO-s që merren me këtë pjesë. Problemi ynë është që nuk kemi përfshirë ende të gjithë sistemin brenda rrjetit të mbrojtjes. Kuvendi nuk e ka përfshirë në sistemin tonë të mbrojtjes kibernetike pjesën e vet. Mos më pyesni për arsyet, janë sa banale, edhe të panevojshme. Nuk ka probleme me zonat kritike ku ata mund të sulmojnë. Ne sulmohemi nga Irani, çdo ditë, jo njëherë. Nuk kanë ndalur asnjëherë sulmet. Këto janë të dhëna sensitive, por po të shihni se në sistemet e mbrojtjes kibernetike ka lexim dhe gjurmë të çdo sulmi, por s’kanë pasur sukses në pjesën e infrastrukturës kritike. Mbrojtja jonë kibernetike është spektakolare”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha në konferencën për shtyp se nuk ka asnjë arsye që Shqipëria të presë veton për të hyrë në Europë, por të jetë proaktive. Ai tha se duhet fillimisht të hyjë, ndërsa s’munguan as ca nota ironie për interpretimet e deklaratave të ambasadave pas rrëzimit të kërkesës së SPAK në Kuvend për arrestimin e Belinda Ballukut.
“Ne nuk kemi asnjë arsye që të presim dhe s’kemi asnjë arsye që të trembemi, ne duhet të jemi proaktivë sepse është shumë e rëndësishme çfarë mendojnë vendet e reja, jo të gjithë mendojnë si unë, në vendet që duan të hyjnë, ky është fakt. Disa thonë t’i marrësh të gjitha, problemi është a i merr dot a jo. Ne njëherë duhet të hyjmë atje. Çfarë qameti kemi ne që s’kemi veton? Këtu çohet një ambasdë bën një deklaratë dhe tundet gjithë Shqipëria nga tenxheret që bëjnë sikur u çua Zoti i madh dhe foli”, tha Rama.
“Çfarë shqetësimi ka këtu?”, pyeti kryeministri duke ironizuar edhe shqetësimet e opozitës që i quajti “molotovarë që iu prish ëndrra”.
“U shqetësuan molotovarët se u prish ëndrra e madhe e tyre duke marrë zvarrë ca të verbër në rrugë për të nxjerrë fotografi si digjen kazanët e Tiranës, si gjuhet me molotovë dhe si po bllokohet këtu lufta kundër korrupsionit”, tha Rama.
Në raportin e fundit të SPAK për vitin 2025, të dorëzuar në Kuvend, Prokuroria e Posaçme shprehet se ndryshimet e mundshme ligjore mund të pengojnë punimet e saj. I pyetur për këtë fjali gjatë konferencës për shtyp, kryeministri Rama tha se nuk e ka lexuar raportin, por SPAK s’mund t’i tregojë parlamentit ç’të bëjë. Secili organ duhet të vijojë punët respektive dhe SPAK ka mbështetje të plotë.
“Nuk e kam lexuar këtë raport dhe s’mund të komentoj diçka që se kam lexuar vetë, s’është puna e SPAK që t’i thotë parlamentit seç’të bëjë. SPAK të shohë punën e vet, ne tonën dhe aq më mirë do të bëhet Shqipëria. SPAK e ka gjithë mbështetjen tonë. Parlamenti është sovran, nuk varet nga SPAK, ambasadat dhe askush tjetër”, tha kryeministri.
I pyetur edhe për ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale, Rama u përgjigj prerë se ndryshimet do të bëhen patjetër.
“Ndryshimi nuk ka të bëjë me raportin e SPAK-ut sepse raporti është normalisht një raport pune për një periudhë të gjatë kohe, nuk besoj se është i lidhur me javën e fundit. Është një ndryshim që do të bëhet, nuk ka diskutim fare. Nuk ka shans të çohet një prokuror me një gjykatës të pezullojnë funksionarë se këtu nuk pezullohet personi, pezullohet funksioni”, tha kryeministri.
Sa për ndryshimet e tjera, Rama tha se ka bashkëpunime me ndërkombëtarët për Kodin e ri Penal dhe po rishihen të gjitha vërejtjet.
“Ndryshimet e tjera, do t’i bëjmë patjetër sepse kemi Kodin e ri Penal, ndëhyrjet e domosdoshme, nuk kanë ngut. Po punojmë, kemi një material shumë voluminoz dhe me shumë brumë për t’u diskutuar. Është ripunuar dhe është në ripunim mbi bazën e vërejtjeve që janë bërë, kemi aleatë Ministrinë e Drejtësisë në Francë e Itali dhe me ekspertët që na kanë vënë në dispozicion do të rishikojmë Kodin e ri, Kodin e Procedurës Penale dhe çdo gjë është nën kontroll dhe në respekt të plotë të të gjitha standardeve europiane. S’ka asnjë vullnet, tendencë, qëllim, ëndërr për të kthyer mbrapsht gjërat që kanë shkuar përpara”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama, në konferencën që po mban me gazetarët, u pyet edhe për editorialin e përbashkët me presidentin serb Aleksandër Vuçiç për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin pa të drejtë vetoje në Union.
“Mbyllja e kapitujve është plan i kalendarizuar dhe këtu nuk ka pasur plan për të mbyllur ndonjë kapitull deri më tani. Nuk është proces i thjeshtë. Aho që keni dëgjuar nga kryenegociatorja, është se në 2026 parashikohet një numër kapitujsh që duhet të mbyllen. Në këtë proces punojnë çdo ditë dhe çdo ditë shkëmbejmë me Brukselin. Por të thuash që u bllokuar rruga e Shqipërisë, është çmenduri.
Është për të ardhur keq, mua smë vjen keq për shoqatën e motovarëve që ju i quani PD, se ata janë në botën tjetër, nuk ka lidhje me botën e sotme të marrëdhënieve ndërkombëtare, të punës për tu anëtarësuar në BE. Një gjë është e sigurte, unë kam qenë zëri i parë, jo sot po ka disa vite që është ngritur për një qasje ndryshe ndaj anëtarësimit. Nuk ka thënë ndonjëherë, e as editoriali i mallkuar që e kanë mallkuar në Shqipëri e në Kosovë, nuk prezumon askund dorëheqjen nga anëtarësimi në BE. Kjo është temë që kërkon thellim. Unë kam thënë që BE, vendet anëtarë dhe disa nga ato nuk e kanë kapacitetin që të përballojnë momentin e fundit për të dalë përpara popujve të tre dhe për të thënë do të marrin e një tjetër në familjen tonë. Ajo që mund të ndodhë, të gjitha gjërat të bëhen gati, papritur 1,2,3 vend që dihet se kush janë, të mos kenë këtë kapacitet. Procesi mund të mbetet peng i këtij fakti. 2027 ka zgjedhe në Francë, Franca është vend kyç dhe Franca e ratifikon anëtarësimin e një vendi të ri anëtar në BE, jo si të tjerët, me 2/3 e parlamentit ose me referendum popullor. Për herë të parë Franca ndodhet n kushtet që nuk bën dot qeveri të shumicës se e ka të fragmentuar parlamentit.
Sa i përket dëgjesës së molotovarëve, të shkojnë të flasin në Berlin. Të pyesin njëherë atje, a ja vlen të luftojmë për këtë punë apo të mbyllim gojën se jemi jashtë loje. E të dëgjojmë se çfarë do i thonë në Berlin”, tha Rama.
I pyetur nga gazetarët nga buron siguria që votimi i një dite më parë në Kuvend për të mos pranuar heqjen e imunitetit të Ballukut nuk do të ndikojë në rrugëtimin europian, Rama tha se bazohet te faktet.
Ai u shpreh se deri më tani s’ka motive të mendojë që qasja mund të ndryshojë dhe nëse qëllimi i deklaratave të ndërkombëtarëve do të ishte dorëzimi i Ballukut, kjo s’do të duhej të përkthehej nga “qimbellinjtë”.
“Sepse unë flas mbi bazën e fakteve që kam sot dhe komunikimeve që kemi sot, nuk flas në të ardhmen. Sot kemi këtë situatë, kemi një diskutim që ka ndodhur, nuk e mohoj, por ka qenë plotësisht konstruktiv dhe një rrugë në të cilën nuk shohim që të ketë dalë dikush dhe të ketë thënë për këtë arsye nuk ecim dot përpara. Çdo gjë që ka të bëjë me këtë është punë e përditshme. Deri tani s’kemi asnjë arsye ta mendojmë këtë, ky është fakti. Nëse do të ishte përmbajtja e këtyre deklaratave e ngjashme me jehonën, do të thosha që kemi një problem. Nëse qëllimi do të ishte ajo që tha jehona, nuk do të ishte e nevojshme t’jua përkthenin qimbellinjtë e medias shqiptare”, tha kryeministri në konferencën për shtyp.
Kryeministri Edi Rama zbulon fokusin e takimit me ambasadoren e Ambasadorja e SHBA-ve në Greqi, Kimberly Guilfoyle, të cilën e priti në Kryeministri. Rama tha se fokusi ka qenë tek disa çështje të interesit të lartë të SHBA në rajon, që kanë të bëjnë me energjinë.
“Ka ardhur për të bërë një takim njohjeje për të diskutuar për disa çështje që janë çështje të interesit të lartë amerikan në këtë rajon, që kanë të bëjnë me energjinë, që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal, me qasjen ndaj forcave të treta, aktorëve të tretë, dhe nga ana tjetër, kini parasysh që ambasadorja e SHBA në Athinë është një përfaqësuese botërisht e njohur në politikën amerikane drejtëpërdejtë e rrethit të ngushtë vendimmarrës të Trump”, tha Rama.
I pyetur për mungesën e djeshme në seancën për Ballukun të Elisa Spiropalit dhe Fatmir Xhafajt, Rama tha se nuk është puna e tij, por e kreut të grupit parlamentar të kuptojë arsyet.
“Nuk merrem unë me këtë punë, është kryetari i grupit që të kuptojë arsyet e mungesave”, tha Rama.
Lidhur me situatën në Lindjen e Mesme, kryeministri Rama tha se forca e shtetit do të hyjë edhe në tregun e naftës për të lehtësuar marrëveshjet me kompanitë shpërndarëse. Rama tha se shembulli do të jetë ai i aeroportit të Tiranës që tashmë konkurron Beogradin, ku këtu s’e kurseu edhe një fjalë për “keqdashësit”.
“Nga ana tjetër, fakti është që kriza po shfaqet në të gjithë botën, po shfaqet edhe këtu si pasojë e rritjes së çmimeve. E kam shprehur qëkur kemi bërë mbledhjen e parë, që një nga objektivat tona është krijimi i një faktori shtetëror në tregun e naftës, një force publike për të krijuar një kapacitet që të lehtësojë barrën mbi qytetarët sikundër e lehtësoi konkurrenca që ne nxitëm duke ndryshuar komplet qasjen për fluturimet ajrore. Shqipëria kishte aeroportin më të shtrenjtë në Europë, sot ka aeroportin më të gjallëruar të Ballkanit. Sot nuk është më Beogradi kryeqyteti i aviacionit se është Tirana dhe kjo është arritje e kësaj qeverie, me gjithë keqardhjen për të gjithë ata që na duan të vdekur, por sa më shumë të vdekur na duan, aq më shumë gjallërohemi. Ne do ta krijojmë faktorin publik, forcën e shtetit do ta fusim edhe në tregun e naftës dhe shumë shpejt do të japim. Duke vënë në dispozicion kapacitetin dhe garancinë e shtetit do të bëhet shumë më e lehtë për të pasur marrëveshje me kompanitë që shpërndajnë naftën që të kenë qëndrueshmëri afatgjatë”, u shpreh kryeministri.
Në konferencën për shtyp një ditë pas votimit të Kuvendit për të mos i hequr imunitetin Ballukut, kryeministri Rama hodhi poshtë zërat e presionit nga ndërkombëtarët. Ai tha se nuk ndodhin në nivelet ku bëhen diskutimet dhe kushdo që thotë se mbaroi ëndrra europiane, nuk dëshiron suksesin e saj.
“Unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë, interesin e saj dhe gjithë shqiptarët dhe një nga normat e padiskutueshme të këtij përfaqësimi është që t’i shikoj partnerët në sy, të më shikojnë në sy në të njëjtën lartësi. As unë s’më shkon mendja të shikoj njeri nga lart poshtë dhe as pranoj të më shohë njeri. Përtej mënyrës si janë pikturuar në karikaturat e pazarit mediatik dhe politik, diskutimet tona kanë qenë konstruktive. S’ka pasur asgjë të ngjashme sa i takon tensionit, presionit, kërcënimit. Këto janë gjëra që s’ndodhin në ato nivele ku bëhen ato diskutime. Edhe vetë deklaratat e bëra dje janë shumë të qarta, por varet sesi i lexon. Duke pasur parasysh edhe sipërfaqen ku janë shkruar dhe leximin prej saj, edhe thellësinë e marrëdhënieve dhe realitetin e përditshëm të komunikimit, ju them me plot gojën që leximi i bërë nga ata që kanë vënë kujën se u bllokua Shqipëria dhe mbaroi ëndrra europiane, është në rastin më të mirë, pervers, dhe në rastin më të keq, i qëllimshëm për të lënduar këdo që dëshiron suksesin në këtë rrugë. Kush merret me këto deformime dhe i bie kësaj daulleje, nuk e dëshiron suksesin e kësaj rruge sepse e lidh me qeverinë, me mua, me ne”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se nuk ka asnjë hap pas të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit drejt Bashkimit Evropian. Rama tha se inkurajon SPAK për të hetuar Belinda Ballukun deri në gjetjen e një prove që e implikon atë me korrupsionin.
“Dua ti siguroj të gjithë nuk ka asnjë frenim në rrugën tonë të pandalshme drejt anëtarësimit në BE. Nuk ka asnjë diskutim lidhur me vullnetin tonë për të vazhduar në rrugën që ne kemi hapur në pavarësinë e drejtësisë dhe në luftën reale kundër korrupsionit, ashtu siç nuk ka asnjë dyshim që në këtë rast nuk jemi përballë një çështjeje korrupsioni. Vetëm prokuroria nuk ka ngritur një akuzë për korrupsion, jemi përballë një çështje në hetim e cila mund të hetohet lirisht pa më të voglën pengesë. Unë e inkurajoj prokurorinë të ndjekë dhe të hetojë të gjitha pistat ku mund të mendohet se mund të shfaqet gjatë rrugës ferra e korrupsionit”, tha Rama.
Një ditë pasi PS refuzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, Rama thotë se nuk ka asnjë frenim në rrugën drejt BE-së. Në një konferencë për shtyp Rama tha se vendimit të djeshëm ju dha një jehonë e deformuar, ndërkohë që theksoi se s’ka asnjë frenim në rrugën drejt BE.
“Kkërkesa e SPAK nuk i përmbushte kushtet për u marrë në konsideratë, ndërkohë që përpjekja për ta lidhur refuzimin me ndonjë arsye tjetër apo ti dhënë refuzimit përmasën e një fakti që do të bllokojë rrugën e Shqipërisë në BE apo do pengojë zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi apo do pengojë aktivitetin e pavarur të drejtësisë, është përpjekje e shëmtuar, madje në dëshpërimin e vet ka të gjithë ato ingredientë që ka në të përditshmen tonë përpjekja për të bërë çmos që Shqipëria të pengohet dhe që hapat e shpejtë me të cilat ne po ecim në procesin e negociatave të frenohen”, tha Rama.
Komente













ti mund te vazghsduar te thuash cfare te duash o Rame, por e verteta eshte se BE na e mbuylli rrugen per me ece p[ara dhe autori i kesaj je ti dhe vec ti.
PërgjigjuMASHTRUESI ME I MADH JE TI
Përgjigju