TIRANE-Ditën e martë në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve do të zhvillohet takimi i radhës i Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore. Si pasojë e thirrjeve të ndërkombëtarëve, PD-ja u tërhoq dje nga bojkoti dhe sot përmes Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit u nisi një letër Damian Gjiknurit dhe Rudina Hajdarit që të takohen ditën e hënë. Por PS-ja reagoi duke theksuar se të hënën është ditë pushimi për shkak të Bajramit dhe se OSBE-ja ka rezervuar sallën për ditën e martë në orën 11:00 te Pallati i Kongreseve, ashtu sikur ishte edhe ftesa e përfaqësuesit të PS-së dy ditë më parë.

"Duke qenë se dita e hënë i bie festë Bajrami e për rrjedhojë ditë pushimi, OSBE ka mundësuar rezervimin e sallës për takimin e grupit të punës për reformën zgjedhore, ne date 26 Maj 2020, ora 11:00 tek Pallati Kongreseve. Pra, mbledhja zhvillohet ne 26 Maj, ora 11:00 tek Pallati Kongreseve" deklaroi PS-ja, teksa më parë kishte propozuar edhe 2 data të tjera, në 21 ose 22 maj, që u refuzuan nga opozita dhe data e tretë ishte 26 maji. 

Kjo solli krisjen e radhës, pasi PD-ja e cilësoi si justifikim banal për të zvarritur reformën zgjedhore. "Cdo justifikim banal eshte i mire per Ramen, mjafton qe te zvarrise sa te mundet Reformen Zgjedhore. Kerkesen e perfaqsuesve te opozites per te mbledhur tryezen te henen, Rama (nepermjet Gjiknurit) e ka kundershtuar me dy “argumente”, justifikime qesharake; Ky qafir qe ne nje dite te shenjte per myslimanet, sic eshte festa e Fiter Bajramit, kerkon te tallet duke marre rolin e Padishahut qe ka ne dore ti lejoje ose jo lutjen tradicionale, qenka kujtuar se e hena eshte pushim dhe perfaqsuesit e tij nuk mund te privohen nga kjo “e drejte”...E pas kesaj vjen dhe justifikimi tjeter , per pamundesine qe te paguajne per te marre nje salle ne Pallatin e Kongreseve !!! Kane para per ti lidhur pension suplementar dhe Knutit qe “do na ndihmoje per integrimin” duke keshilluar Rucin, po nuk kemi per Tryezen Zgjedhore qe eshte kusht i BE per integrimin. Vazhdo zvarritu Edvin ..." tha Edi Paloka.

Por debati u zgjidh, pasi dy palët ranë dakord që takimi të bëhet ditën e martë, sikur ishte planifikuar nga shumica. Lajmi konfirmohet për Report Tv nga PS, PD dhe LSI-ja, që ditën e martë do të ritakohen përmes përfaqësuesve të tyre për të vijuar punën me Reformën Zgjedhore. Ndërkohë që OSBE-ja theksoi se "Ne jemi marrë me logjistikën dhe kurdo të bien palët dakord jemi gati për spostuar sallën", por skenari nuk ndryshon, takimi do të bëhet ditën e martë te Pallati i Kongreseve.

Në letrën e rikthimit opozita akuzon shumicën se nuk e do reformën zgjedhore, ndërsa shton se deri tani nuk është arritur asnjë kompromis për propozimet që PD dhe LSI-ja kanë bërë. “Reforma aktuale ka filluar me kërkesë të Opozitës në 2017 dhe falë veprimeve të njëanshme për minimin e saj nga shumica qeverisëse, ka qene e pamundur përmbyllja e saj. Rifillimi i procesit më 11 maj është goditur vazhdimisht nga deklarata dhe veprime që kanë shkaktuar krizë politike e që, qartazi, kanë patur si qëllim shkatërrimin e këtij procesi jetik politik.

Por, pavarësisht këtyre veprimeve të qëllimshme, Opozita e Bashkuar nuk do të heqë dorë nga objektivi i saj për të përmbushur pa vonesë obligimin e saj para shqiptarëve për zgjedhje demokratike. Deklarimet tuaja se është gjetur kompromisi për një sërë çështjesh janë të pavërteta dhe synojnë vetëm fshehjen e të vërtetës që deri më sot nuk ka kompromis për çështjet themelore, për të cilat Opozita e Bashkuar ka paraqitur propozime konkrete” thuhet në letër.  Dy palët janë zotuar për të disatën herë që ta mbyllin reformën brenda 31 majit, teksa afati i komisionit nga parlamenti është deri në fund të qershorit.

Letra e opozites