Garancinë për rikthimin në tryezën për zgjedhoren duket se opozita e gjeti te ndërkombëtarët. 

Eksperti i çështjeve ligjore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso thotë se përfundimi i kësaj reforme është kyçe jo vetëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe për integrimin evropian.

Garancia jonë në tryezën e reformës nuk është Edi Rama pasi ai e ka treguar disa herë që nuk ka vullnet për reformën zgjedhore e zgjedhje të lira. Garancia e tryezës është presioni pozitiv që partnerët ndërkombëtarë kanë ushtruar, që nuk do të lejojnë Edi Ramën për të çeduar zgjedhje të njëanshme".

Përsa i përket reformës në drejtësi, për të cilën presidenti Meta ka kërkuar rishikim dhe do të kërkojë hetim ndërkombëtar, eksperti i çështjeve ligjore në Partinë Demokratike thotë se është ende herët të flitet, por ndryshe nga Basha, nuk përjashton mundësinë e rishikimit të saj.

Është një diskutim që duhet të përfshijë të gjithë aktorët, por edhe partnerët që kanë qenë pjesë integrale dhe e kanë mbështetur financiarisht, me burime njerëzore dhe kanë qenë garant për moscedimin e garanteve të saj nga standardët më të mira të saj evropiane e amerikane në këtë rast".

Edhe për ish-ministren e integrimit nga LSI-ja, Klajda Gjosha rishikimi i një reforme nuk duhet të jetë tabu. "Unë nuk mendoj që reformat duhet të jenë tabu. Shqipëria ka një problem, ka reformë të shkruar mirë, por problem është te implementimi. Nëse ka problem te implementimi duhet të ulesh dhe të kuptosh se ku qëndron problem" tha ajo për Report Tv.