Mero Baze: Një fushatë parazgjedhore, mes Ilir Metës dhe Lulzim Bashës

Mero Baze: Një fushatë parazgjedhore, mes Ilir Metës dhe Lulzim Bashës

Kjo fushatë zgjedhjesh, më shumë se sa një betejë e opozitës së ndarë, me Edi Ramën, po profilizohet si një garë zgjedhore për kreun e opozitës pas 25 prillit, mes Ilir Metës dhe Lulzim Bashës.

Eshtë e pazakontë që në një fushatë zgjedhore të një opozite, e cila pretendon të mundë Edi Ramën, të shfaqen në fushë dy profile liderash, të cilët më shumë rivalizojnë njëri- tjetrin në emër të opozitës, se sa Edi Ramën.

Lulzim Basha po tenton të bëjë fushatën e tij, pa shumë emocion, me një profil familjar, si një njeri që nuk ngjall as urrejtje, as vëmendje, me një fjalor bazik, i cili nuk të detyron të mbash mend gjë, pasi ai pushon së foluri, por të mbetet në mendje shprehja se ka dëshirë të jetë kryeministri yt.

Herë duke gatuar, herë duke i blerë librin e gabuar vajzës së vogël, herë duke kujtuar rininë e hershme me gruan, herë duke demonstruar se di t’i japë veturës, ai synon të bëhet popullor duke shkaktuar buzëqeshje.

Përkundër linjës së tij të butë, ai herë pas herë detyrohet t’i bëjë “qokat” dhe Berishës, duke trashur zërin, që nuk i shkon, dhe duke bërë të fortin, por pastaj kthehet sërisht tek profili i tij.

Përballë tij, Ilir Meta ka vënë kandidaturën për kryetar opozite më 26 prill, nëse fiton Edi Rama, duke mos ja njohur fitoren. Këtë e ka deklaruar publikisht tre javë më parë dhe prej asaj dite, ai është në fushatë përditë, me gjeste, ngjarje dhe fjalor, që janë tërësisht e kundërta e Lulzim Bashës dhe e pangjashme në politikën shqiptare.

Duke mos e fshehur bipolaritetin e tij, ai del përditë në rrugë, edhe pse formalisht është president, përdor dekoratat për të mbledhur vota për LSI, sulmon ndërkombëtarët e sidomos SHBA-në, betohet që do të zhbëjë reformën në drejtësi, bën gjëra të marra si sulmi mbi policët, nuk ka drojë të shfaqet tërësisht i shfytyruar dhe i frikësuar njëkohësisht para gazetarëve, sulmon me egërsi shtypin kritik me të deri në linçim, duke përdorur dhe qentë e gjahut që mban në Presidencë, fyen me fjalor rrugaçi çdo kundërshtar, dhe shpreson që Qeveria të reagojë ndaj tij, ose duke kërkuar shkarkimin, ose duke e ndaluar.

Në fakt, Qeveria  e shikon çmendjen e tij si një favor elektoral dhe me malinjitet, vetëm e sodit, me shpresë se do të vazhdojë ashtu. Është po aq zbavitëse kjo gjë, sa dhe këngët epike dibrane kushtuar atij, që e krahasojnë me Hajredin Pashën apo Skënderbeun e ri që po lind në opozitë.

Përkundër kësaj, brenda opozitës pjesa me mentalitet të dhunshëm brenda PD-së, kanë filluar ta shikojnë atë si idhullin e tyre, që u zëvendëson Sali Berishën në pension.

Në këtë aspekt, Ilir Meta ka dalë në rrugë më shumë se sa për t’i marrë vota Edi Ramës, për t’i marrë PD-së qejflijtë e dhunës dhe akteve të çmendura, të cilat u japin atyre ndjesinë e të qenurit të fortë dhe të gjallë.

Dhe nuk është puna që më 25 prill ata të votojnë Metën në vend të PD-së, por më 26 prill ata të thonë “më mirë të kishim Metën, se sa Lulin në krye”, siç në fakt kanë filluar ta thonë që tani.

Sali Berisha është dukshëm pas kësaj fushate Ai detyroi Lulzim Bashën të shkonte me tre orë vonesë dhe përtesë, tek zyrat e Sali Shehut, tek ish- FRD, të cilat kishte vite që i mallkonte si zyra të Bamir Topit.

Sali Berisha ka bërë kujdes në kontrollin e listave të PD-së në zgjedhje, të eleminojë çdo kandidat të mundshëm për kryetar nga PD përballë Bashës, në rast humbjeje, përfshi dhe të padëmshmin Bujar Nishani.

Kandidati i tij në rast dështimi është Ilir Meta. Me atë ai ka një kauzë, ka të njëjtat halle, ka të njëjtin profil dhe mbi të gjitha, kanë të njëjtin plan, të përdorin atë godinë për të mbrojtur veten.

Dhe në përpjekje për të menduar se çdo bëjnë më 26 prill, Meta e Berisha në fakt po vrasin me duart e tyre çdo shpresë për 25 prillin, pasi po shkatërrojnë fushatën e tyre, e cila nuk është puna se tani ka dy liderë, por i ka krejt të ndryshëm, në strategji, në taktikë, në fjalor, në objektiv dhe në karakter. I ka sikur po rivalizojnë me njëri- tjetrin, se kush t’ia shkatërrojë fushatën tjetrën.

Deri tani është fitues Ilir Meta. Dhe siç duket, do vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes deri më 25 prill, siç ndodh gjithmonë mes një të marri dhe një njeriu normal.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Haha: 14/03/2021 18:43

    M... midis nje te marri dhe nje hajdargare

    Përgjigju
  • Ardian: 13/03/2021 19:30

    Po sa bukur e thua o Mero... uroj populli i thjeshte te te lexoje kemi c mesojme nga ty.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Lezhë/ Vranë për hakmarrje në Mamurras, Apeli lë në fuqi 47 vite burgim për 2 autorët! Kërkuan rrëzimin e shkallës së parë

Lezhë/ Vranë për hakmarrje në Mamurras, Apeli lë në fuqi 47 vite burgim për 2 autorët! Kërkuan rrëzimin e shkallës së parë