Tifozeria e Partizanit ka deklaruar këtë të martë se janë plotësisht të distancuar nga parulla raciste e shfaqur ditën e djeshme në stadiumin “Selman Stërmasi” përgjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu.
“Ultras Guerrils” janë shprehur përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” se veprimi i disa individëve nuk mund të identifikojnë një tifozeri të tërë dhe se për këtë arsye, ata i bëjnë thirrje mediave që të mos instrumentalizojnë parulla të këtij lloji.
Reagimi i plotë i “Ultras Guerrils”:
"The show must go on! *Sqarojmë se tifozeria e organizuar e Partizanit dhe grupimi “Ultras Guerrils” nuk ka lidhje me parulla raciste të shfaqura nga individë në stadium. Nuk i mbështesim parulla të tilla që na barazojnë me nivelin e një ekstremisti. Nuk mund të identifikojë veprimi i disa individëve një tifozeri të tërë! I bëjmë thirrje mediave të promovojnë koreografitë dhe elementet pozitivë e mos të instrumentalizojnë parulla të tilla që nuk përfaqësojnë qëndrimin e tifozërisë së kuqe."
Një ditë më parë, në stadiumin "Selman Stërmasi", teksa po zhvillohej ndeshja Partizani-Skënderbeu,tifozët e "Demave të Kuq" shpalosën një banderolë ku shkruhej: Një grek më pak, një bastard më pak!