Një ‘grua e kuqe’ si artistja Liliana Çika Kelmendi! Suzana Varvarica rrëfen për artin e saj

Për të arti është një ëndërr që e ka shoqëruar e do ta shoqërojë gjithë jetën....

U diplomua për skulpturë, për të cilën u specializua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Kur ishte në vitin e dytë të kësaj akademie u nderua me një diplomë të veçantë për nivel profesional. Studentja me origjinë nga Mitrovica, e lindur në Tiranë, ishte e talentuar dhe ylli i talentit do ta ndiqte hap pas hapi në jetën e saj.

Piktura për artisten Liliana Çika Kelmendi, të cilën një tornado e fortë në jetën e saj e detyroi të ulej në karrocën e invalidit, pati qenë një pikënisje e udhëtimit artistik që në fëmijëri.

Ajo dashuri e parë e ndihmoi që t’i prekte ngrohtë format, të cilat zbrisnin prej imagjinatës drejt skulpturës pë t’i dhënë jetë çdo cope balte, druri apo guri.

I ndjente materialet e forta dhe ato përuleshin para saj, por:

“Lilianës i ndodhi një fatkeqësi e madhe në jetën e saj. Djali i saj humbi jetën në një aksident dhe që nga ajo kohë, Lliliana nuk e preku më baltën me dorë, e la skulpturën dhe nisi të pikturonte", rrëfen kuratorja e kësaj ekspozite Suzana Varvarica Kuka, e cila si kritike arti e vlerëson pikturën e Liliana Çikës për stilin origjinal dhe tematikat e mprehta që trajton. Edhe pse sëmundja e Parkistonit që iu shkaktua nga tragjedia e të birit e pengon të punojë, sërish Liliana ka sfiduar me artin e saj.

Kur ishte në Shqipëri Liliana Çika ka punuar specialiste pranë Muzeut të Kulturës Popullore në Durrës. Pas viteve ’90 emigroi në Itali dhe e zhvilloi artin e saj në skulpturë.

Liliana është nënë, një nënë e kuqe do të përshkruhej sipas artit të saj. Një nënë që për fëmijët do të sakrifikonte gjithçka. Emigroi në Itali jo nga varfëria, por nga dëshira për të qenë pranë fëmijëve.

Italia, vendi i lulëzimit të artit të madh europian pas shumë sakrificave, i mundësoi Lilianës karrierën që kishte ëndërruar.

Ekspozita e saj u parë personale erdhi pas një viti pune në kështjellën turistike Chianti.

Mori pjesë në  konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare. U vlerësua nga galeri të rëndësishme në Itali, në Londër, në Paris e në Amerikë.

U nderua me trofe dhe çmime të para e të dyta. Madje e vlerësua nga  skulptori i famshëm italian, Giuseppe Calonacci, ndërsa ajo ngjitej në kulmin e lumturisë që të jep të qenit krijues.

Ishte një moment që dora e saj ndali, një moment që jeta u duk sikur u pre në mes.

“Ndodhi një tragjedi në jetën time. Djali im 22-vjeçar, e fejuara e tij dhe kushëriri në një natë të ftohtë dimri, ku rruga kishte ngrirë, rrëshqitën në një humnerë dhe humbën jetën. Dhimbja ishte e madhe, por në atë kohë duhet të bëhesha e fortë, duhet t’ia bëja gjithë nderimet djalit, dhe për vite me radhë nuk preka skulptura dhe telajo me dorë. Një ditë kur kthehesha nga varrezat pashë ca lule fushe dhe i mblodha dhe kur erdha në shtëpi i vura në një vazo dhe nisa të pikturojë”, thotë artistja.

Liliana u sëmurë me Parksinson mbas humbjes së të birit, por të qenit grua e ngre peshë jetën e saj të mbajtur peng nga shkulmet e dhimbjes.

Muza e saj tashmë në pikturë është shpirti dhe trupi i femrës, peizazhi më i bukur njerëzor sipas saj.

Në nudot e kuqe të Liliana Çikës sheh jetën, gruan, nënën, plastikën, format e mrekullueshme dhe harmoninë e detajeve.

Për Liliana Çikën vetë jeta është një libër i padukshëm enigmatik, që kur e shfleton arrin të gjesh rrugën që ka nisur pak nga pak e të hysh në rrjedhën e saj, deri sa vjen një çast ku kërkon të shpërthesh dhe ai është çasti i çmuar i saj, çasti që artisti lë gjurmë. Dhe këto vepra janë gjurmët e gruas së fortë, e gruas që lëshon ato flakët e kuqe të ngrohta të zjarrit të jetës, gjurmët e Liliana Çikës.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Yjet tregojnë se do të ketë perspektiva dhe mundësi të reja për avancim në karrierë, horoskopi per sot

Yjet tregojnë se do të ketë perspektiva dhe mundësi të reja për avancim në karrierë, horoskopi per sot