Speciale/ Studiuesja e njohur rrëfen për artin e pavdekshëm të Sali Shijakut

I talentuar, i ndjeshëm, filozof i ngjyrave. Ai ishte mjeshtri që e donin të gjithë. mMiqtë dhe nxënësit e tij nuk ia harrojnë zërin, me një timbër ndryshe, dhe ngrohur me shpirt e sy të ëmbël. Nuk ia harrojnë bisedat, idetë mbi artin. Nuk ia harrojnë anekdotat fantastike të treguara me aq mjeshtëri. Nga cilido që ka parë e ndjerë artin e Sali Shijakut, do të flitet për një artist të jashtëzakonshëm.

Pyetje: Ka pak ditë që u largua nga jeta mjeshtri i pikturës Sali Shijaku. Si e ke ndjerë ikjen e tij si mik, si koleg?

“-Saliu ishte i qetë, ishte i butë, ishte i zgjuar. Pra, kur tregonte diçka që ishte në lidhje me artin, ai kishte një lloj ndryshueshmërie nga njerëzit e tjerë. Mbase vinte kjo ngaqë ishte një nga tiranasit e vjetër, do ta quaja në këtë moshë, por jo dikur kur ai ishte një personalitet me një fuqi maksimale në fushën e pikturës ose në kontribute që ai jepte në artet pamore të viteve ‘70, ‘80 edhe me pas në vitet 2000. Pra jo në këtë pleqërinë e hershme. Sali Shijaku do të ngelet një personalitet shumë i dashur për të gjithë ne artistët. Do të ngelet një personaliet i dashur edhe për artistë të rinj, të brezit të ri, të tanishëm, sepse ekspozita që bëri në COD (qendra e artit dhe kulturës në Kryeministri) i la me gojë hapur artistët e rinj, ku panë që artisti Sali Shijaku, nuk ishte një artist i sinjifikuar rastësisht si një personalitet në fushën e arteve pamore, por ishte një artist i cili kishte kontribuuar që të ekzistojnë këto arte pamore që kemi ne sot. Pra brezi i prof. Sali Shijakut është një brez i fortë në arte. Nuk është një brez i lëkundur, ose që s’ka besueshmëri në artin që krijon. Pra ishte një brez vërtet shumë i fuqishëm, vinte vërtetë nga brezi, po personifikoj vetëm dy artistë, Buza edhe Kaceli dhe më pas erdhën Shijaku, erdhi Kilica e të tjerë, pra krijuan një ndeshje me artin e baballarëve tanë, siç ju përmenda Kacelin, edhe Buzën dhe menjëherë vjen ky brezi i fuqishëm që na ka lënë si të thuash atë hallkë të pastër arti që tregon... Dhe çfarë na tregon. Pra, Sali Shijaku na tregon një art të ngjyrës, na tregon një art të subjekteve të forta të historisë, pra të historisë së kombit tonë, po kështu të teknicitetit të ndryshëm që kishin këta artistët me njëri - tjetrin. Edhe pse ata mbijetuan në realizmin socialist, ata kishin teknika të ndryshme, të pakta që duket sikur nuk dallojnë, por tek artistët e mirë, ose tek artistët me një talent mbi talent, i sheh që janë të ndryshëm, dhe Sali Shijaku gjithmonë vendosej gati në zenit, por nuk krijoi i vetëm, nuk dua ta them që ishte i vetëm, por ishte në zenit.”, -thotë Suzana Varvarica.

Zemra e mjeshtrit të pikturës shqiptare pushoi më 24 shtator të këtij viti. Suzana Varvarica Kuka e ka pasur profesor dhe sot ajo është një nga studiueset dhe kritiket më të mira të artit. Natyrisht artisti do t’i bënte miq më pas nxënësit e tij të talentuar dhe do të krenohej kur vinte rasti me ta. Ajo që është vërtet e bukur dhe për ta kujtuar atë është sjellja shumë e përzemërt e këtij artisti me njerëzit. Ajo shtëpia e tyre mikpritëse, Saliu dhe Ana që i priste të gjithë, që i priste si mysafirë të njohur hershëm, çfarëdo të ishin gazetarë, apo që shoqëronin kritikët e artit, apo shkrimtarët apo studiuesit, ishte i njëjti dhe shumë i çiltër në të shprehur...

“-Kur shkoje, gjithkush... po e fus dhe veten në vetën e tretë... në shtëpinë muze të Tiranës, që do të ngelë shtëpia jo thjesht e Sali Shijakut, por një shtëpi karakteristike e këtij qyteti, ku kishte brenda studion e tij, kishte brenda muzeun e tij, kishte brenda mikpritjen, ashtu siç thatë dhe ju bashkë me të ndjerën Anën, e cila vërtetë na ka pritur dhe me djemtë e tij. Nuk dua t’i përjashtoj, sepse ajo ishte vërtetë një shtëpi mikpritëse, ose një studio arti mikpritëse në mënyrën  e tiranasve, të elitës së Tiranës, të shtëpive të Tiranës me dy kate, me çardakët, ku përdoret druri, ku brenda është konservuar edhe qerpiçi, por edhe tulla, edhe pak gur. Pra ishte një shtëpi e ngrohtë, sepse e bënte të ngrohtë prof. Sali Shijaku, edhe me edukimin që i kishte bërë familjes së tij, jo thjesht me edukimin social të tyre, por edhe me edukimin e artit.”, -thotë Varvarica.   

Mendimet dhe vlerësimet për artin përzihen me kujtimet. Në themel të bisedës me kritiken Suzana Varvarica Kuka qëndron botëkuptimi dhe botë perceptimi artistik i Sali Shijakut. Ai ishte i thjeshtë në komunikim me të gjithë njerëzit e familjes dhe krijuesit e të gjitha fushave, shkrimtarë, poetë, piktorë, skulptorë, muzikantë, arkitektë. Në mendjen e zemrën e tyre ai ishte e do te mbetet mjeshtri i madh!

Pyetje: Nuk kemi pasur aq autorë shpërthyes në letërsi dhe në poezi sa kemi pasur në pikturë. Çfarë ka ndodhur realisht me artin shqiptar që Sali Shijaku u gjend në një kohë të caktuar dhe në një epokë të caktuar shpërthyes me lirinë krijuese të tij?

“-Nuk e kishin lirinë e plotë, por teknika e të punuarit, forma e të punuarit tek secili e ka lirinë. Por natyrisht kjo formë në arte pamore krijon një lloj manipulimi, i cili ndihet, sepse një artist i mirë në arte pamore, di ta japi edhe temën e realizmit socialist, pra temën madhe, temën e luftës, por në një mënyrë kaq të kamufluar, saqë ty të del përpara një vizatues i shkëlqyeshëm, një njohës shumë i mirë i ngjyrës, një njohës shumë i mirë i thellësive dhe transparencave të kësaj ngjyre, një njohës shumë i mirë estetik i kontrapunkteve që ka hija dhe drita, dhe ti befasohesh e thua, po mirë dreqi e mori, çfarë ka kjo që është e realizmit socialist. Është vetëm tema. Vetëm temat e mëdha që kërkonin t’i pasqyronin publikut ngjarje nga historia, që nga luftërat e mëdha, që nga koha e Skënderbeut dhe më përpara në kohën e Batos, etj, etj. të mbretërve ilirë shqiptarë, pastaj që vijmë me tema në kohën e rilindjes, pastaj vijmë tek temat e punës që ishin dhe tema shumë të fuqishme dhe deri tek tema e diktatorit Enver Hoxha. Por, artisti i mirë, artisti me fuqi perceptuese, di t’i shpëtojë dhe temës. Dhe kjo është arsyeja që unë vazhdimisht do të ngulë këmbë dhe do them që rreth dhjetë artistë shumë të mirë të realizmit socialist të asaj kohe e kanë krijimtarinë e tyre të pacenueshme, edhe nëse ju thua që e ke brenda realizmit socialist, kjo nuk i dëmton fare ata për sa i përket mënyrës që pikturonin. Nuk kanë pse të kenë frikë për vlerat, kur puna dhe vepra e ka tejkaluar naivitetin, mediokritetin dhe atë gjysmaken. Por këta artistë, pra dhjetë artistë, ku bënë pjesë Sali Shijaku, në krye të këtij grupi, them që ata e kanë tejkaluar realizmin me forcën artistike dhe me obligimin për artin.”, -thotë Varvarica.

Sali Shijaku shquhet për lëvrimin e detajeve koloristike në shprehje të gjalla ndikuese tek ata që dashurojnë artistin dhe ndjekin rrugën e krijimtarisë. E shikoni këtë gjel, dhe jo vetëm gjeli, por edhe autoportreti i tij “i shpupurishur” të çudisin për lehtësinë e shprehjes së simboleve përmes penelatave të ndezura. Gjithçka me ngjyrë të kuqe gjaku. Ngjyrat ngjizen nga vetë thelbi i jetës, shumë e kuqe si streha e molekulave që modulojnë edhe shqisën e tij të veçantë krijuese...

Për studiuesen e artit Suzana Varvarica Kuka, ai ishte artist frymëzues, ekspresiv, energjik, i çlirët në gjithë universin njerëzor e artistik.

Pyetje: Natyrisht ju si studiuese arti keni shumë për të thënë për ngjyrat. Ajo që e karakterizonte, e veçanta e tij ishte ekspresionizmi në ngjyra, ngjyra e veçantë e tij që dallohet kudo, një e kuqe e papërsëritshme. Shquhej guximi për të pikturuar të gjitha elementet e jetës e për ta thënë të gjithë atë ndjeshmërinë që është shpirtërore tek një artist. Për këtë kemi dëshirë t’ju dëgjojmë se kush më mirë se një studiuese arti mund t’i vërë pikat mbi i për elementët figurativë të veprës së Sali Shijakut....

“-Unë mund të them këtë, që nëse e ndjekim jetën e tij, ai filloi rreth viteve ‘50 të shfaqet në publik, dhe krijimtaria e tij shkon deri në 70 vite, dhe nuk janë pak të krijosh rreth 70 vite art, dhe natyrisht të rrish vite dhe të mendosh ditët dhe orët që ai ka punuar dhe në duart e tij ai ka pasur perceptimin përmes ngjyrës, kjo tregon se ai e ka pasur të brendshme ngjyrën. Nuk kërkoi për të manipuluar ose për ta pasur këtu këtë e këtu atë. Jo ai është artist që lindi me ngjyrën, dhe artistët që lindin me ngjyrën gjatë gjithë jetës e kultivojnë atë. Koha ka ndikuar në kultivimin e ngjyrës; që do të thotë nëse në vitet ‘50 ne shohim një pikturë të Sali Shijakut perceptuese ndaj realitetit që shihte, dhe unë mund t’u marrë një shembull të një vajze tiranase të veshur me kostum kombëtar, ku dominon e verdha, e bardha e ngrohtë dhe sfondet e arta, dhe një pjesë tisi umbrash në pjesët e duarve dhe të portretit. Kjo është shumë interesante dhe menjëherë ne na çon në vitet ‘50, kur edhe piktura ishte e tillë. Pra nuk lulëzonte me ngjyrat që do t’i shohim më pas. Dhe në kohën kur ai studionte në Bashkimin Sovjetik vjen si një artist është i kultivuar në mënyrë ekselente. Po të shohim një nudo të tij që e kemi pasur vazhdimisht të ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve, ti sheh transformimin e madh që pëson artisti Sali Shijaku duke u edukuar me një shkollë të BS të asaj kohe (por do ta quaja të Rusisë, që është një nga shkollat më të mirëinfomuara), e cila ndikoi totalisht brezin e tretë të artistëve shqiptarë, se nëse kemi brezin e parë Kol Idromeno, Simon Rrota dhe pastaj Vangjush Miho, kemi më pas brezin e dytë me Kacelin, me Buzën, me Zajmin, dhe kemi edhe brezin e tretë që është Vilson Kilica, Sali Shijaku, etj. Ky brez erdhi i transformuar. Pati një transformim të jashtëzakonshëm në mbushjen, përdorimin ose pushtimin e tablove të mëdha, pra të përmasave të mëdha, pushtimi që bënte arti i tyre në ekselencën e vizatimit dhe të konceptimit mbi këto vizatime, sepse shkolla ruse është shumë e fortë.. Më pas vjen edhe kultivimi i ngjyrës, sepse kultivimi i ngjyrës së Sali Shijakut e të këtij brezi të tretë, siç do ta quaja, u bë edhe më i fuqishëm, sepse ishin temat. Ata do të gjenin zgjidhje për temat e mëdha që hidhte Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë; që këto tema të shkonin drejt popullit dhe populli të kuptonte se çfarë ishte ndërtimi i socializmit. Por, arma e fuqishme e Sali Shijakut ishte ngjyra? Dhe nëse ne do të shohim “Batalionin e hakmarrjes”, ku janë disa burra të cilët janë luftëtarë partizanë dhe kanë të lidhur në kokë ato shamitë e kuqe, këto shamia të kuqe janë vepër edhe sot e kësaj dite. Po ta bësh një analizë, ajo hyn në veprat e artit më modern që ne jetojmë sot. Pra, kjo ngjyrë e kultivuar dhe arma më e fuqishme e Sali Shijakut u rrit ditë pas dite. Ishte e domosdoshme dhe nevojë e brendshme e artistit për ta kultivuar ngjyrën, për ta pasqyruar ngjyrën, sepse tema ishte atje dhe ne nuk kishim se ç’të bënim. Por me atë temë, ata duhet të sundonin me ngjyrën. Duhet të sundonin me linjën. Duhet të sundonin me hije-drita. Duhet të sundonin me temperamente e tone të dritave dhe këto i arritën. Sali Shijaku i arriti përmes një vullneti të pashmangshëm të lidhur me artin. Pra, artisti për këta njerëz, sidomos për Sali Shijakun ishte gërma A.”, -thotë Varvarica.  

Një artist i madh shumëngjyrësh, që e shpërfillin të pamundurën me larminë e tyre. Vepra e Sali Shijakut jetohet...

Kjo nudo që ka lënë shenjë në historinë e artit shqiptar, e dlirë si një lulesë e mbuluar me vesën e mëngjesit është Ana Maria dashuria e jetës së Sali Shijakut, një shqiptaro-italiane që vuajti divorcin e prindërve të saj të imponuar dhunshëm nga diktatura komuniste. Ana Maria mbështeti zemrën e saj të brishtë në kraharorin e mjeshtrit. U bë muza dhe ndihmësja e tij. Në këtë portret të saj, realizuar nga mjeshtri Shijaku mund të lexohet gjithçka pa shumë koment.

Arti i Sali Shijakut ngrihet mbi ideologjinë e kohës, kur ai krijoi Me Suzana Varvarica Kukën, kujtojmë një histori censure. Asnjë histori censure nuk është e bukur, por Sali Shijaku dinte t’i zbukuronte me humorin e tij gurgullues dhe ironinë e mprehtë.

Këmba e zbathur e Vojo Kushit mbi tank është një nga realizimet artistike më të bukura, por komisioni i censurës së kohës i sugjeroi që ta vishte heroin me këpucë, me gjasë do t’i rrëzohej madhështia. Saliu Shijaku i sfidoi me humorin e tij, dhe vepra shpëtoi nga përçudnimi.

 “Liria jonë erdhi nga të varfrit, nga këmbëzbathurit, -u thotë ai, duke përdorur si përgjigje të njëjtën monedhë të censurës.

Një nga ngjarjet më të bukura që më ka mbetur ne mendje është historia e këmbës së Vojo Kushit. Natyrisht Vojo Kushi ishte një hero me të cilin Sali Shijaku kishte një lidhje emocionale dhe i bënë kritikë që këmbën me atë element aq të bukur të kërcimit, të vendosur në ato gishtat e jashtëzakonshëm mbi tank, ta vishte me këpucë, sepse hero i popullit nuk mund të ishte një zbatharak....

“Sali Shijaku kishte dhjetëra ngjarje që mund të na tregonte për secilën vepër arti, na kishte treguar. Në secilën vepër arti ai kishte kundrejt një histori të vogël që kishte ngjarë. “Vojo Kushi mbi tank” është një nga veprat që ka hyrë ne enciklopedinë botërore Benezit. Kjo është ajo shumë e rëndësishme, që të huajt që vizitonin Shqipërinë, e klasifikuan këtë vepër me emrin prof. Sali Shijakut për të qëndruar në këtë lloj fjalori të artit, që jo shpesh është thënë në atë kohë, sepse nuk tregohej me një entuziazëm të kishte emrin atje, sepse më shumë duhet ta kishe emrin në këto enciklopeditë tona deri në vitet ‘90. Dhe vërtetë ajo është ashtu siç thoni ju, por ka shumë ngjarje. Meqë ju thoni këtë ngjarje, mund t’ju them ngjarjen e veprës “Zëri i masës”. Ka një pikturë fantastike të profesor Saliut me Galerinë Kombëtare të Arteve, e cila quhej edhe “Kontrolli punëtor” më përpara. Ka qenë kontrolli punëtor në studion e artistit, ku është edhe vetë prof. Saliu, që krijon edhe vetëpotretin e tij si shumë artistë të kalibrit botëror, por në një situatë krejt tjetër, në një situatë shumë shqiptare.  Dhe natyrisht nëse do e marrim këtë pikturë në analizë, mund të rrish tre orë, katër orë për të shpjeguar që nga tema, nga subjekti, nga pozicioni që rri artisti, i përkorë që duket që i dëgjon, ose nuk i dëgjon, nga komunisti, punëtori komunist, ose sekretari i partisë që është në mes, por e bukura është që në këtë pikturë, profesor Saliu i fut ato të pesë parimet brenda realizmit socialist, por që mbetet pikturë e shkëlqyer. Që nëse nuk i di ato pesë parime, nuk ke nevojë fare edhe t’i përmendesh. Kjo është e bukura e këtyre veprave. Dhe kjo histori që të tregova dhe që u kthye pastaj në zërin e masave që sot të rinjtë nuk e kuptojnë, po të rish përballë tablosë e të thuash ç’do të thotë “zëri i masave”. Në këtë pikturë, edhe pse e ka titullin e tillë, përsëri kërkon shpjegime të tjera nga estetët e artit, të filozofisë dhe të historisë.”, -thotë studiuesja Varvarica.  

Pyetje: Pra ishte ajo që vihet re në të gjitha tablotë e tij, qoftë edhe me temën e artit të realizmit socialist që njeriu, personazhi del gjithmonë përtej temës, pra konceptohet si një gjë e gjallë, e rimishëron personazhin, apo jo?

“Natyrisht këtë dua të them, temat janë brenda. Komunizmi është brenda. Realizmi socialist është brenda në këto tablo, por ama nuk duhet të harrojmë që është po kaq i fuqishëm talenti për t’i realizuar ato, tek disa. Nuk mund të them tek të gjithë artistët. Ka vepra shumë të dobëta të realizmit socialist, të cilat i jetuan si rezultat i temës. Ishin bukë e zezë për popullin, siç thoshte Lenini e siç thoshte dhe Stalini që duhet të prodhojmë vepra arti për edukimin dhe jo art për art. Pra, duhet të jemi inxhinierë të shpirtrave njerëzorë, pra për masën, e cila punon dhe e ndërton socializmin dhe artisti konceptohej si një punëtor për të ndërtuar socializmin, ndërsa janë disa vepra të cilat e tejkalojnë kufirin, si rezultat i kërkesës së brendshme që ka vetë artisti, që do të mbijetojë me artin e tij, pavarësisht realizmit socialist. Dhe duhet të hap këtu edhe një kllapë tjetër. Të gjithë artistë që studiuan në Bashkimin Sovjetik panë Pikasonë, panë atje Kandiskin, u integruan në Europë dhe u integruan dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shekullin e 20-të, ku realizmi socialist sundonte nga ‘30 ta deri në vite ’50, -57 që mbaroi shkollën Sali Shijaku në BS. Artistë të shquar rusë u shpallën të padëshiruar dhe më pas ata e kaluan kufirin dhe shkuan dhe shkëlqyen ne SHBA dhe në shtetet kryesore të Europës, Paris, Berlin, Londër. Pra, këta rusë ishin të njohur për artistët tanë. Ishin një vath në vesh për të mos e harruar atë timbër që dhanë. Pra, ishin të detyruar dhe jo fatkeqe, siç thonë disa për të shërbyer me artin dhe talentin e tyre dhe në atë drejtim artistik dhe këtë do ta quaja një fatkeqësi të madhe. Pra drejtimi artistik i realizmit socialist është një fatkeqësi e madhe për kombin tonë, siç është dhe komunizmi.”, -thotë Suzana Varvarica.  

Pyetje: Në këtë jetë të gjatë të krijimtarisë së piktorit, ai ka edhe tema të pasura në fushën e natyrës, tema të pasura erotike, tema të pasura të dashurisë. Pikërisht këto tema që janë të dashura të për të gjithë, çfarë vendi zënë, cilat vepra i ke spikatur ti që janë më të dashura për publikun?

“-Ai paralelisht punonte dhe për temat të cilat nuk funksiononin në asnjë mënyrë, vetëm thjesht për temën e madhe. Por nëse unë do t’ju dallojë tashmë në këtë moment dhe t’ju them që Sali Shijaku punoi edhe Rozafatin ose Rozafën, gruaja madhështore me kostumin karakteristik të xhubletës që mban mbi kokë tepsinë e madhe dhe një kokë dashi me ca dhëmbë të hapura, pak a shumë të trembin dhe këtë ushqim ajo do t’ua çonte tre vëllezërve që po ndërtonin kalanë e Rozafatit të Shkodrës. Po të bësh një analizë, të del menjëherë tek disa tema, të cilat nuk janë përkuese as në ndërtimin kompozicional me ndërtimin e temës së realizmit socialist, por është një temë e jashtëzakonshme monumentale, e cila na sjell gruan të veshur me xhubletë. Monumentale, në kuptimin e madhështisë dhe bukurisë që i ka dhënë Sali Shijaku kësaj figure, pavarësisht se atë do gjente gjëma, kur të shkonte dhe të çonte këtë lloj ushqimi që mbante mbi kokë. Dhe natyrisht kjo gjëmë e pikturuar në tepsinë lart, sepse lart nuk kemi një kokë dashi dashamirëse, por kemi një kokë dashi me ca dhëmbë që po ta shikosh me vëmendje tregon që fatkeqësinë ajo po e mbante mbi kokë, por që nuk e dinte këtë lloj fatkeqësie. Ndërsa, nëse do t’i hysh në një analize të thellë, do shohësh që e zeza, një argjend e së bardhës dhe një pikturim në fund fare e një kështjelle të vogël, ose  një ndërtese të vogël në fund të tablosë, tregon sesa i fuqishëm dhe intelektual ishte artisti Sali Shijaku për të ndërtuar edhe temat e hershme. Pra, këto tema të rëndësishme mes të baladave tona ose të gojëdhënave të vendit tonë. Dhe këtë vepër e kujtoj me dashuri, sepse është një nga më të bukurat që ai ka. Ka vërtetë madhështore ndërkohë. Sepse bëjnë historinë ne s’duhet të kemi frikë ta themi këtë gjë. Janë pika të rëndësishme, të cilat bëjnë historinë e artit shqiptar në dhjetëvjeçarë të ndryshëm. Dhe nëse dalim pas viteve ‘90, prof. Sali Shijaku shkëlqeu në temën e zanave. Ai ka dhjetëra zana, të pikturuara sipas momentit të perceptimit të vetë të çastit, vaj pastele, lapsa, qeramikë, ose kreshnikët me portrete si në pikturë, edhe në qeramikë...” - thotë studiuesja e njohur e artit Suzana Varvarica Kuka.

*    

Dhe ka plot histori që rrëfejnë se vet autori qëndronte rojë i artit të tij origjinal. Dhe ka plot fabula që hedhin dritë në të pathënat e artistit. Veprat e tij janë si ato yjet e shndritshme në qiell. Nuk na flasin, por ne kemi dëshirë t’i shohim, t’i zbulojmë, t’i zbukurojmë e të rrëfehemi në emër të tyre, të rrëfehemi në emër të artit të pavdekshëm të Sali Shijakut.

B.K./G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja