Një historik i shkurtër mbi ndërtimin e Urës së Matit

Një historik i shkurtër mbi ndërtimin e Urës së Matit

Ura  e Matit, Ura me Harqe e Milotit, apo Ura e Zogut, është ndër veprat më të veçanta inxhinierike të realizuara në vendin tonë.

Ura e Matit nisi të ndërtohej në Janar të vitit 1926. Si sipërmarrëse e ndërtimit të Urës ishte kompania Italiane e ndërtimit Mazorana & Co me eksperiencë në fushën e ndërtimit.

Duhet nënvizuar që në fillim se Projekti i Urës u realizua nga një prej personaliteteve botërore të shkencës së konstruksioneve, Profesori Gjerman Emil Mersh (Emil Morsch) i Universitetit të Shtutgartit. Profesori Mersh e mbaroi plotësisht projektin e urës në muajin Maj të vitit 1926. (Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit).

Në fund të vitit 1925, Inxhinieri i ri Gjovalin Gjadri pas marrjes së diplomës si Inxhinier në degën e inxhinierisë civile nga Universiteti i Lartë Teknik i Vjenës, kthehet në atdhe, ku fillon punë në Ministrinë e Punëve Botore në Tiranë. Kjo Ministri në Janar të vitit 1926 e ngarkon Inxhinier Gjovalin Gjadrin me detyrën e drejtorit të punimeve të zbatimit dhe supervizionit teknik të Urës së Matit.(sipas dokumentave që ndodhen në Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit, si dhe në Arkivin e Universitetit Politeknik të Tiranës).

Është për tu nënvizuar fakti, që zbatimi i projektit të kësaj ure u realizua në mënyrë mjeshtërore dhe tepër origjinale nga Prof Gjovalin Gjadri. Në ligjeratën e mbajtur gjatë sesionit shkencor, që u organizua në Universitetin e Prishtinës në kujtim të figurës së Profesor Gjovalin Gjadrit, Profesor Niko Pojani shkruan se: “Ndërtimi i urës me harqe të Milotit, mbi lumin Mat, është një ndër veprat më elegante dhe më të arrira inxhinierike të realizuara ndonjëherë në vendin tonë. Kjo urë është specifike edhe sepse nga ana strukturore kishte si projektues një emër me reputacion botëror në shkencën e konstruksioneve betonarme që ishte profesori Gjerman Emil Mërsh, i Universitetit të Stuttgart.

Ura e Matit veçohej nga të tjerat për faktin se në disa elemente mbajtëse betonarme të saj do të aplikohej paranderja, koncept ky novator për kohën në botë. Aplikimi i paranderjes synonte aty uljen e nderjeve tërheqëse në betonin e varseve vertikale dhe eventualisht te tiranteve horizontale të harqeve, për të shmangur kështu plasaritjet në to. Natyrisht, në Milotin e atëhershëm kjo teknikë do të realizohej duke përdorur mundësitë modeste të kohës. Praktikisht ajo u realizua në sukses duke bërë  betonimin e elementeve të caktuar për paranderje, pasi pjesa kaluese e urës ngarkohej me një shtresë zhavorri prej 400 kg/ m2. Me heqjen e ngarkesës, për shkak të tërheqjes paraprake që merrte armatura,në betonimin e atyre elementeve do të lindnin sforcime shtypëse me çka realizohej qëllimi. Këto vështiresi teknike dhe inxhinierike, qe paraqiste  zbatimi i projektit, Inxhinieri i ri Gjovalin Gjadri jo vetëm i kaloj me sukses, por bëri gjithashtu një zbatim mjeshtëror të këtij projekti."

Siç shihet për Inxhinier Gjovalin Gjadrin ishte një privilegj por dhe vlerësim në të njëjtën kohë fakti që ju besua zbatimi i projektit, të një vepre të tillë me rëndësi, autor i të cilit ishte një nga figurat më të shquara inxhinierike të fushës së konstruksioneve të kohës Prof Emil Mersh. Ura e Matit u ndërtua me 6 harqe (aktualisht ka 5 harqe). Gjatësia e harkut të urës është 54 m, dhe lartësia maksimale e harkut 10,95 m.

Ura e Matit u inaugurua në fund të muajit Maj të vitit 1927, fakt ky që tregon se punimet për ndërtimin e saj zgjaten vetëm 1 vit, periudhë kjo tepër e shkurtër duke patur parasysh vështirësitë inxhinierike në zbatimin e projektit, të përmendura më sipër, por dhe mundësitë modeste teknike të Shqipërisë në mesin e viteve 1920. Deri në Prill të vitit 1939 ura mbajti zyrtarisht emrin e Mbretit Zog./Artan Trako

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja