TIRANE- Ambasada Amerikane përveç mbështetjes financiare, na ka dhënë sot edhe një leksion vullnetarizmi. 12 kadetë amerikanë, por edhe staf diplomatik e administrativ të Ambasadës Amerikane në Tiranë, “kanë përveshur mëngët” dhe kanë nisur të pastrojnë e lyejnë Qendrën Shëndetësore nr.1 në Tiranë. Kësaj nisme vullnetarizmi i është bashkuar edhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
 
Ndërkaq, ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu u shpreh se janë pikërisht gjestet e vogla që bëjnë diferencën.
 
“Dua të falënderoj Ministrin dhe stafin e tij për praninë e tyre sot. Ne kemi dashur të jemi partnerë të mirë. Nuk janë gjestet e mëdha, por ato të vogla në kohë që bëjnë diferencën. Ne po japim kontributin personal për përmirësimin e infrastrukturës së kujdesit shëndetësor në një qendër të vogël në pamje të parë, por me një domethënie të madhe në përpjekjet e përbashkëta për përmirësimin cilësor të këtij shërbimi”, tha ambasadori Arvizu.
 
Aktiviteti u zhvillua në vijim të programit të mirëmbajtjes së qendrave shëndetësore me ndihmën e misionit amerikan të ROTC në kuadër të programit të “Ndërgjegjësimit për Punën në Komunitet”.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)