Një letër e hapur për Bashën dhe Presidenti i gabuar 'Nishani', që ndoshta duhet të ishte thjesht roje në Presidencë

Një letër e hapur për Bashën dhe Presidenti i gabuar 'Nishani', që ndoshta duhet të ishte thjesht roje në Presidencë

Një vit i ri duket se nis ashtu siç mbaron ai para tij, i vjetri. Fitimtarët imitojnë të mundurit e tyre, thoshin latinët.

Në fund të vitit që lamë pas, bëri përshtypje në media një sulm jo dhe aq i beftë dhe jo aq i qartë i Bujar Nishanit si ish-ministër i Brendshëm dhe si ish-President i Republikës, ndërsa mediatika e ditëve të para të vitit të ri patën kundërsulmin e të sulmuarit, vetëmbrojtjen më saktë, të Romeo Gurakuqit, intelektual i njohur, pedagog, historian profesionist, veprimtar i demokracisë, idealist, por dhe ish-deputet dhe ai. Ndërkaq, i dyti hapi gjyq kundër të parit, i sulmuari ndaj sulmuesit, madje dha një intervistë në “Zërin e Amerikës”.

Nxitoj të them se Shqipërisë i munguan gjyqet e domosdoshme, ku të dënohej e keqja, një “Nuremberg shqiptar” kundër diktaturës dhe diktatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij, gjë e cila e çoroditi politikisht dhe jo vetëm tranzicionin e gjatë postdiktatorial.

Do të doja të shkruaja një letër të hapur për kryetarin e Partisë Demokratike, zotin Lulzim Basha. Çështja është serioze, ka të bëjë me moralin e partisë, s’ka rëndësi se cilës, dhe më shumë se aq, me moralin qytetar të vendit, edhe pse është shfaqur në mënyrë ordinere nga mediokër me karrierë partiake dhe mbi të gjitha duke shkelur ligjet dhe statutin. Nga partitë, opozita dhe pozita, nga kryesitë e tyre, herë pas here dalin sulme të rënda politike, ku përzihen mashtrimi dhe amoraliteti, me interes vetjak, fabrikohen shpifje publike etj., të cilat mbulojnë korrupsionin dhe krimin siperan. I kujt është interesi? Dhe këto nuk ndodhin vetëm në pragje fushatash zgjedhore, kundër kundërshtarit politik, kur dhe si të tilla do të ishin të dëmshme, sepse presim të përballen programet dhe aftësitë e zbatuesve në ngritje të vendit dhe jo sherret dhe ligësitë e drejtuesve, cenet dhe veset e politikanëve etj. Sulmet bëhen nga sipër, për ata që qëndrojnë më sipër si dije dhe punë e moral, shkurt që kanë dhënë më shumë e japin ende për demokracinë dhe vendin, por që u bëhen pengesë paaftësive të promovuara dhe korrupsionit galopant.

Dua të jem konkret, lufta bëhet para nesh, nga ata që i njohim, na njohin, na vlerësojnë, na godasin prapa shpine, na japin, na vjedhin, na harrojnë, i harrojmë etj., etj. Në emrin e Romeo Gurakuqit unë gjej qytetarin europian dhe në mbiemër patriotizmin kombëtar.

Shpifjet kundër tij si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, kur Bujar Nishani ishte oficer i ushtrisë së shtetit të atij Sigurimi, u rrëzuan zyrtarisht duke i nxjerrë të pavlefshme dokumentet që ai hodhi, teksa Autoriteti i Dosjeve vërtetoi se qytetari Romeo Gurakuqi apo familjarë të tij nuk rezultojnë ashtu siç akuzonte Nishani.

Si ish-President i vendit, prej atij pritej, si për çdo President që lë detyrën, të mbetet moralisht në atë lartësi, të një kryeqytetari, figurë përbashkuese, garant i Kushtetutës, frymëzuese, e drejtësisë dhe e mbrojtjeve të lirive. Por Nishani s’ka qenë i tillë as kur ishte President. Përkundrazi, ishte i përdorshëm, manekin. Vetëm në Shqipëri ndodh çudia që presidentët dalin kundër qeverive që dekretojnë vetë, Kryeministrit apo ministrave, të cilët e fillojnë detyrën pasi marrin firmën e Presidentit.

Unë kam përvojën time bezdisëse me President. E kujtoj, jo për vete, por si dukuri për të kuptuar se ç’fshihej pas, që ka interes të dihet, për të dalë tek e përgjithshmja, me shkelje të parimeve, kthim të krahëve institucioneve, kapjen e kreut të shtetit nga oligarkia, nëpërkëmbjen që donin t’u bënin dhe u bëjnë të përndjekurve të diktaturës, vuajtjes dhe dhembjes njerëzore etj., duke zhgënjyer kështu edhe të vetët..

Dhe në fund shpifja. Politike. Mediatike. Ordinere. Si klimë dhe kulturë. Më keq se shpifja vetë. Kur Nishani ishte President i Republikës, nisi dhe një katandisje më humnerore e Presidencës, duke u bërë pjesë e interesave, jo vetëm partiake, por oligarkike, e klanit të tij, ku ai ishte i kapur. Kam marrë veten si shembull, sepse kam siguri në atë që them. Po sjell një pjesë nga libri im i porsadalë “Kartela të Realizmit të Dënuar”.

PRESIDENTI I GABUAR

Edhe pse puna duket se ka zbritje dhe më të neveritshme. Ka një lakmi si të përgjithshme për të bërë një barazi në të keqen morale, Në vend të një letre të hapur… të gjithë duan të përbaltin të gjithë, ishim njëlloj mëkatarë, duan të thonë, ashtu si mëkatarët, u bëmë pis njëlloj ashtu si pisat, u dënuam njëlloj ashtu si të burgosurit, kur s’ishin njëlloj as dënimet dhe as privilegjet.

Në postdiktaturë, veglave të mbetura të diktaturës u duhet dhe u pëlqen si më parë të pengojnë, të mos punohet, koha të merret me ata, të qëndrojë me ata, për ata, duke i pasur në krye si dikur etërit e tyre. Dhe kultura të jetë po ajo, me ata shkrimtarë e artistë që bëri partia e tyre, të tjerët nuk na duhen.

Suksesin tani e gjejnë te shpifja, propaganda dhe zbulimet e rreme, shtoji dhe kompleksin e Stockholm-it, gjithmonë me adhurimin e dëmshëm për atë sistem dhe rend që iku. Hidh akuza false për të barazuar gjithçka me veten e tyre të dikurshme. Dhe këto veprime jo se i bën vetëm ndonjë studiues a gazetar i paguar, deputet me vota të blera, ndonjë ziliqar, sa dështak, po aq dhe i zellshëm a televizion privat oligarkik, por arrin në majë, deri te President i Republikës.

Turpi dhe rënia janë kombëtare.

***

Jo se Presidenti i Republikës gaboi, por ishte gabim i përsëritur ai lloj Presidenti, që shkëlqente bezdisshëm nga mediokriteti i keq dhe paaftësia, ku nga njëra anë flisnin për të persekutuarit, edhe i dekoronin, sidomos po të ishe i vdekur, bashkë me ta dekoronin dhe persekutorë të shquar, ndërsa të gjallët harroheshin, nëpërkëmbeshin dhe pengoheshin, sidomos po të ishte shkrimtar, arrinin dhe në sulme të dënueshme, por kush mund t’i dënonte?

Bujar Nishani, i edukuar si të gjithë, nëse mund të quhet edukatë, me mësimet e partisë dhe të shokut Enver, siç thuhej atëherë, bëhet oficer i ushtrisë së diktaturës, madje dhe pedagog-oficer i oficerëve të ardhshëm në shkollën e bashkuar që mbante emrin “Enver Hoxha”, ku ishte dhe shtatorja e diktatorit në oborr dhe do të ishte dhe ai mes atyre me kallashnikov në dorë që pikërisht atë shtatore donte ta vendosnin atje, në sheshin “Skënderbej”, më i madhi dhe kryesori i kryeqytetit, mbi piedestalin e mbetur bosh, ku populli i revoltuar sapo kishte rrëzuar shtatoren e përbindshme të diktatorit, ku kishin mbetur ca hekura si paterica të thyera.

Kjo sindromë e zëvendësimit të një statuje të madhe të Enverit me një statujë më të vogël po të Enverit ndoshta shpështolli kompleksin katovician që Enveri të zëvendësohej herë pas here me dishepuj, natyrisht më të vegjël se ai, madje dhe se Ramiz Alia dhe u katandis puna që në krye të vendit të vendoseshin karikatura të Enverit. Dhe i erdhi radha Bujar Nishanit, që u mahnit dhe vetë se si u gdhi një ditë i pari i vendit, President i Republikës.

Që të mos zgjatem, ajo mendësia e tij forcashterur u përndez vagëllimthi që të bënte si dikur, të paktën në disa aspekte të luftës se klasave në kushtet e demokracisë. I doli përpara një ish i burgosur, i dënuar për poezi dikur, gazetar dhe shkrimtar tani, i përkthyer dhe në gjuhë të tjera, me çmime, madje dhe me një dekoratë që ia kishte dhënë po ai, me vlerën sa dhënësi etj., etj., dhe, meqenëse iu bë pengesë për planet e tij oligarkike, hodhi mbi të urrejtjen presidenciale, duke marrë hakën e Enverit, duke shpifur llapaqenëshe si ai.

Meqenëse s’gjeti dot ndonjë “kleçkë’ në biografinë e tij, nuk ia luante dot integritetin prej ish-të burgosuri politik dhe poeti edhe në burg, pasi i thanë zyrtarisht ata të Autoritetit të Dosjeve se në dosjen e tij jo vetëm që s’ka asgjë të dyshimtë, por, përkundrazi ka një kartelë që dëshmon se ka refuzuar të jetë bashkëpunëtor i Sigurimit famëkeq të Shtetit, atëherë, si një revansh për kolegët e tij oficerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Presidenti Nishanlli shpifi diçka që s’ekzistonte, tha që ai, ish-i burgosuri politik dhe poeti, kishte bashkëpunuar me zyrën teknike të burgut, personeli i së cilës ishte po me të burgosur, por në shërbim të komandës, dhe këtë e vërtetonte me një mesazh anonim disa fjalësh që i kishte ardhur në celular, që, ja, sapo i mbërriti. Dhe e botoi në gazetë foton e ekranin të celularit të tij të zi. Presidentit kështu. Sikur nuk kishte shtetin në dorë ai. Dhe zgjodhi më të kotën, vogëlanen, grotesken, siç është dhe vetë dhe klani që rrinte mbas tij..

Bashkëvuajtës të mi, shokë të Spaçit dhe të Qafë-Barit dhe jo vetëm ata, iu vërsulën Presidentit me të shara si në burg, siç iu vërsulën oficerëve në revoltë. Gënjeshtar ordiner, i thanë, e plot të tjera me zhargonin e burgut, që s’i përsëris dot këtu, na ke fyer të gjithëve, i thoshin, p-l-e-h-r-a, bërtisnin me plot gojën si rebeli plot dije Petro Zheji.

Kartelën me emrin tim, ku shënjohej refuzimi im për të qenë bashkëpunëtor me të keqen, e nxori së pari botuesi im Luan Pengili, ndërsa shkrimtari Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të komunizmit, e botoi po në atë gazetë ku Presidenti kishte botuar mesazhin e tij të zi si vazhdim i atyre krimeve.

Ishte fyerje dhe mjerim për të gjithë, kur një dështak i zakonshëm bie dhe ku? Në poltronën e Presidentit..

***

Kam qenë për hapjen e dosjeve, e kam trajtuar këtë çështje që në fillimet, që kur isha gazetar në të parën gazetë opozitare “RD”, duhej bërë me kohë hapja e dosjeve të diktaturës dhe të diktatorit, të bashkëpunëtorëve të tyre, politikanëve të vjetër dhe të rinj. Të fillonin me presidentët, kryeministrat, ministrat, zëvendësit, deputetët, oligarkët, që më së shumti së bashku vijnë nga nomenklatura e vjetër. Nga ajo e dyshimta, vrastarja. Pse? T’u hapeshin dosjet intelektualëve që po bëheshin publikë. Shkrimtarëve, se shkrimtarët janë dënuar dhe me shkrimtarë, të njerëzve të artit dhe jam i pari që kam shtruar çështjen kështu:

Në anë të emrit të çdo bashkëpunëtori të Policisë Sekrete, spiuni, në listë të vihet në krah dhe emri i atij që e bëri ata të tillë, si, me ç’torturë. Të shihej se sa dëme kanë sjellë, secili, të gjithë.

NGA LIBRI NË REALITET

Nuk është çështja të dalësh i pafajshëm apo i pastër nga akuzat e Bujar Nishanit, kjo nuk është e vështirë, por të gjejmë dhe të pengojmë që pse në kohë krizash ekonomike, politike e morale, pikërisht atë ose si ai i bëjnë President. Duke mos dashur të bëjnë ndonjë gjë për ndryshimin, vendoset në krye një asgjë, që befas e kap një marramenth, që e mban gjatë, gjatë gjithë mandatit, se, pa e parë as në ëndërr, në një mëngjes i thonë: ti je President. Bëhet dhe sikur votohet. E si të mos bëhet ky lloj Presidenti i emëruar ombrellë e atyre interesave, që e vunë duke ndërkallur dhe të vetat?

Në qartësim të kësaj që nisa, Presidenti i Republikës më akuzonte mua, një qytetar të Republikës, me provë celularin e tij që e nxori si revole, për qëndrimet e mia në burg, që më mirë se ai e dinë bashkëvuajtësit e mi, e ka dosja ime. I jap të drejtën çdo gazetari, kujtdo, që do të donte ta hulumtonte. Ndërkaq, po ai vetë/Presidenti, e përsëris, më kishte dekretuar për ministër Kulture më parë, madje dhe më parë akoma më kishte dhënë atë dreq dekoratën e tij, “Mjeshtër i Madh”, që unë e pranova, e kam treguar, nga shkaku i bashkëvuajtësit tim, këshilltar në presidencë, shkrimtarit Amik Kasoruho, që, në fakt, ai duhej të ishte Presidenti dhe mbase Nishani kujdestar i rojeve përreth deri sa të hiqej mbas ndonjë shpifje të përsëritura.

Nejse, unë desha ta ktheja atë dekoratë, por nuk e gjeta, s’mbaja mend ku e kisha hedhur, por ia thashë që kur ishte President. Puna jote, – më tha, sikur të mos kishte qenë puna e tij. Dhe e vazhdonte fushatën kundër meje, kur unë isha shembur nga tjetër gjë, nga tragjedia e fatit tim. Një dehumanizim të tillë kisha parë vetëm në burg dhe jo nga të gjithë oficerët, kolegë të Nishanit. Por duke qenë ai President, ky dehumanizim administrativ i kalonte dhe vendit, për fat të keq.

Shqetësimi im tani nuk është për mua, por më përtej, për të tjerët, për të vërtetën, çështjen. Nuk ka më rëndësi që ai nuk dekretoi për ambasador në Vatikan as mua dhe as para meje intelektualin e njohur, studiuesin, autorin e shumë librave filozofikë, Ardian Ndreca, profesor në një nga universitetet papnore në Romë. Por pse? Ç’prapaskena luheshin dhe luhen? Që si epilog u vinin një shpifje. Kur ma propozoi Kryeministri i vendit, Edi Rama, unë e bisedova dhe me kryetarin e PD-së në opozitë, Lulzim Basha, dhe me dr. Berishën, Kryeministrin e qeverisë, ku kisha qenë pjesëtar së fundmi.

Për të qenë korrekt me të gjithë. Me moralin e detyrave që lija dhe të atyre që do të merrja. E kam treguar dhe në një libër tjetër timin, që ata jo vetëm më siguruan mbështetjen, që besoj se ka qenë utilitare dhe për ta dhe e sinqertë, në kundërshtim me ‘thonë të tjerë, se dhe grupi parlamentar i marrëdhënieve me jashtë e miratoi propozimin për mua në unitet, si pozita dhe opozita, siç rrallëherë ndodhte. Po pse s’deshi Nishani përsëri e përsëri?

Ç’ishte më e fortë se partia nga kishte dalë ai për President? Po nga Ministria e Punëve të Jashtme? Po nga Kryeministri që e kishte dekretuar po vetë? Po nga Parlamenti që e kishte votuar? Po nga media? Dhe, më e rëndësishmja për mua, po nga ajo shtresë që vinte nga persekutimet, që solli moralin e munguar, atë të qëndresës ndaj së keqes dhe kulturën e saj, kur shoqatat e ish-të burgosurve politikë i kishin dërguar letër që ai, Presidenti, të miratonte si një përfaqësues i tyre. Ndërkaq, edhe Vatikani vetë, në të kundërt me parashikimin e Presidentit, më mirëpriti hapur dhe pata fatin të bashkëpunoja deri dhe në shenjtërimin e Nënë Terezës sonë.

Ç’djallin ishte më e fortë se të gjitha këto? Dukja e ngrehinës shtetërore, Presidenca në krye të saj, binte dhe pashë oligarkinë, që kishte kapur për fyti vendin. Një shtet vrastar brenda shtetit. Po ku ishte kapur në prapaskenë Presidenti? Peng i cilit klani ishte? A vazhdon të jetë? Vetëm është? Si munden që nuk i shërbejnë detyrës së lartë, por e vënë atë në shërbimin e tyre të ulët?

Me mua ato zbulohen, por kundërveprimi duhet të jetë i shoqërisë, politik, moral, ligjor, gjyqe, protestë, pa u harruar “Nurembergu shqiptar”, i pari, sado vonë qoftë. Me Presidentë si Nishani janë gjallëruar dhe kryepolicët e burgjeve, kryeprokurorët e diktaturës duke i sulmuar dhe tani ish-burgosurit e tyre politikë, duke rikthyer kulturën e barbarisë.

Unë ndiej shkrimtarin brenda vetes, këtë s’ma heqin dot presidentët dhe asgjë më. Dhe s’kam ndonjë inat që të më mbajë gjatë me Nhishanin dhe nishanët. Përkundrazi, ata janë personazhe interesantë që shpjegojnë kohën e lirisë që po përjetojmë, për të mos thënë që po vuajmë idealisht. Ai, ata, i duhen letërsisë, ka filluar që t’i fusë në burgun e saj.

Po partisë i duhen? Demokracisë së saj dhe të vendit?

Nëse kjo do të ishte letër e hapur për kryetarin e Partisë Demokratike, do t’i thosha që ka një aluvion rëndues nga e kaluara, mendësi dhe praktika, se shpifjet dhe nishanët nuk janë rastësi, të shikohet. Është krijuar, si një antikulturë, kultura e mashtrimit, e shfaqur banalshëm nëpërmjet politikës së shpifjeve kundër vlerave dhe të vërtetave, kundër moralit, duke cenuar qytetarinë e gjithsecilit, që  dobëson qëllimin e përbashkët, mirëqenien mendore që kalon në atë ekonomike, në ngritjen e vendit, për të cilën sakrifikohen të gjithë, programet i bën propagandë të dyshimtë, kur mendon se me kë do të zbatohen.

S’është fjala thjesht për Bujar Nishanin, që ndoshta ashtu vepron se aq di e do, thënë hapur nga papërgjegjshmëria, që e shquan. Por të lejuarit e tij mos është mision destabilizues, pa e kuptuar as ata që përdoren për atentate kundër demokracisë me kallashin e shpifjeve, si atëherë ata që e mbanin gati për të rivendosur shtatoren e diktatorit dhe djallit të tyre, që populli dhe historia e shkuli dhe e zvarriti dhe e hodhi ku e meritonte. Po dishepujt e Enverit, që po gëlojnë gjithkund, në pozitë dhe opozitë?

Bujar Nishani na qenka dhe në grupin që përzgjedh kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike. Ç’është ky grup skulpturor me fantazmën në mes, si të ardhur nga e kaluara kundërshtare e demokracisë? Me të përzgjedhurit e nishanëve do të të fitojë shpresa opozitare? Duke larguar autoritete të shkencës si doktor Halim Kosova? Dhe i kërkojnë pushim absurd liderit historik, kur ai është shumë e më shumë se ata. Nuk mund të përzësh ata që s’duhen, duhet të bien vetë. Dhe e vendos vota e sovranit popull. Sa pa u bërë vonë më shumë, duhet parë në sy, rreptë, gjendja që na rrethon.

Kryetari i opozitës më të madhe të guxojë për interesat e partisë që drejton, të opozitës demokratike, se klani i Nishanit i ka nisur më herët përgatitjet për nishanët dhe kjo s’është hamendje, por rrezik, që vetëm madhohet kangrenshëm. Nëse pozita socialiste merr nga “Blloku”, opozita demokratike nuk duhet të marrë nga oficerët e atij “Blloku”. Prandaj dhe u mbyllet perspektiva shumë nga punëtorëve të mëdhenj të PD-së dhe krijojnë parti tjetër demokratike, a ikin fare.

Po përgjegjësia dhe dëmi moral që pësohet, por dhe dëmi real, duke zhgënjyer falanga votuesish? Demoralizohet puna, ideali dhe frymëzimi për arritje, krijohet përçarja dhe do të mbizotërojë sërish urrejtja si vazhdim i luftës së klasave. A do ta shqyrtojë PD-ja precedentin përsëritës “Nishani”, kryetari i saj, kryesia, këshilli drejtues etj., deri edhe anëtarët më të thjeshtë, ata të ndershmit, të varfrit, sakrifikuesit, që mbas çdo fitoreje braktisen të parët?

Pse Bujar Nishani shpif edhe për përbrenda partisë si rasti më i fundit për profesor Romeo Gurakuqin, që me të tjerë si ai, të përkushtuar të heshtur, janë shtyllë morale në PD. Mos duan t’i lëkundin këto shtylla? Që nëse janë anuar si për të rënë, t’i drejtojnë. A do ta ndëshkojë partia shpifjen të paktën? Dhe pastaj dhe shpifësit politikë, që duke flakur kapotat e përbaltura staliniste, që ua dhuroi Enveri apo klani i tij, kanë uzurpuar tashmë ç’duhej, duke iu bashkuar gjithmonë pushtetit që fiton, për të keqen e të gjithëve. A do ta marrin nishanët partinë? Apo e kanë marrë? Mos po pritet marshimi triumfal i tyre kudo?

Nuk do të mjaftonte vetëm falja, që kërkon profesor Romeo Gurakuqi. Por si të shërohet shoqëria demokratike nga dukuria “Nishani”? Kur Presidenti, para mandatit, gjatë mandatit dhe pas mandatit, është thjesht palë, pjesë e oligarkëve, noterizues i interesave të tyre, shkelës i Kushtetutës deri dhe i dinjitetit qytetar etj., etj. Ku janë të rinjtë opozitarë të së keqes, të shkolluar mes vështirësive në universitetet e varfra të vendit, por dhe në Europë e Amerikë, me dije dhe shpirt? Qytetarët që u mbijetojnë halleve me dinjitet? Shoqëria civile? Apo kudo ka rënë hija e kapotës së nishantë?

Edhe shqiptarët e diasporës, në Europë e SHBA, janë të shqetësuar dhe i ndjekin me vëmendje zhvillimet në vend. Vatranët e Amerikës kërkojnë transparencë për çështjen e kufirit detar me Greqinë. Por nuk duhet harruar kufiri i njerëzores dhe çnjerëzor në vend. Ndryshe do të humbë shumëçka. Kjo është një letër e hapur për të gjithë.

Në qëndrimet dhe zgjidhjet e çështjeve të tilla varet e tashmja dhe e ardhmja e mbetur, jo vetëm e partive, të opozitës dhe jo të opozitës, por më e rëndësishmja, e gjithë vendit, që s’po ndahet dot nga e kaluara që e shtypte lavdishëm dhe nga tranzicioni me shtypësit e konvertuar, para dyerve të ëndrrës euroatlantike. Të shohim ... A mund të fillohet me Romeo Gurakuqin President?

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tej: 05/01/2021 23:58

    Jari magjari.

    Përgjigju
  • Scutari: 05/01/2021 19:47

    Pse nuk e beni zotin Zhiti president te republikes dhe mbaron loja?!!

    Përgjigju
  • Ardian: 05/01/2021 19:08

    Mu prish makina. Ta regulloje NISHANI. Mlidhuni ta qani . Hahaha nishani

    Përgjigju
  • Leli: 05/01/2021 17:59

    Zoti zhiti! Enveri esht aty. Fytyra si salua Nishani rruci nuk e leshoj. E Kan baba I rriti. Duhet te ishin keta laro ne burgje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion