Një muaj pas Kongresit, ja urdhëri
për zbatimin e drejtshkrimit

Një muaj pas Kongresit, ja urdhëri<br />për zbatimin e drejtshkrimit
Duke u mbështetur në Rregullat përfundimtare të drejtshkrimit të shqipes, në të gjitha kategoritë e shkollave të bëhet ndreqja e të gjitha mjeteve mësimore me gabime gjuhësore. Kjo punë do të fillojë në shtator 1973...
Kongresi i Drejtshkrimit i planifikuar për tu mbajtur në dhjetor 1972, u mbajt në të vërtetë një muaj më herët në fund të nëntorit 1972 nga data 20-25 nëntor.  Një muaj pas mbajtjes së Kongresit nga Ministria e Arsimit doli urdhri i parë për zbatimin e vendimeve të tij.
Urdhrin e plotë  bashkë me shkresën shoqëruese ku përmenden një varg institucionesh që duhet ti nënshtroheshin rregullave të reja të drejtshkrimit, po i sjellim të plota për lexuesit tanë.

Ky rezulton të jetë urdhri i parë për të zbatuar vendimet e Kongresit dhe është shoqëruar nga disa urdhëresa e vendime qeverie të mëvonshme deri në vitin 1975-1976.
Më poshtë e sjellim të plotë dokumentin e firmosur nga ministri i atëhershëm i arsimit Thoma Deliana. 
Ad.Pe.
 

Dokumenti 1
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E ARSIMIT DHE E KULTURËS
DREJTORIA E ARSIMIT TË LARTË
     Nr. 4865/I Prot.                                Tiranë, më 30.12.1972
 
Lënda: Dërgohet urdhri i Ministrit, nr. 4, datë 26.12.1972.
“Për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës     shqipe”.
 
Bashkëngjitur po ju dërgojmë për njoftim e veprim urdhrin e Ministrit nr. 4, datë 26.12.1972, “Për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe”.
DREJTORI
(Kiço Negovani)
(firma)
 
U dërgohen:
1) Shkollave të larta
- USHT, Institutit Bujqësor Kamëz e Korçë;
- Instituteve pedagogjike: Shkodër, Elbasan e Gjirokastër;
- Institutit të Fizkulturës; të Arteve Figurative;
- 6 shkollave të larta ushtarake;
- 10 filialeve të shkollave të larta (Korçë, Elbasan, Berat, Fier, Lushnjë, Durrës, Kukës, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër);
- Ndërmarrjeve që janë nën vartësinë e Ministrisë së Arsimit (Kinostudios, Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor, Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, Teatrit të Operës e Baletit, Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Institutit të Studimeve Pedagogjike, NISH Mjeteve Mësimore, NISH Shtypshkronjës “Mihal Duri”, Galerisë së Arteve Figurative;
- Institutit të Historisë, Gjuhësisë, Folklorit, Monumenteve, Fizikës Bërthamore dhe Qendrës së Matematikës Llogaritëse.
 
 
Dokumenti 2
 
Republika popullore e shqipËrisË
Ministria e arsimit dhe e kulturës
 
urdhËr
Nr. 4, datë 26.XII.1972
Për zbatimin e vendimeve të kongresit të
Drejtshkrimit të gjuhës shqipe
Tiranë, 26.XII.1972
 
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË MINISTRIA E ARSIMIT DHE E KULTURËS KABINETI
Tiranë, 26.XII.1972
 
U R D H Ë R
Nr. 4, datë 26.XII.1972
PËR ZBATIMIN E VENDIMEVE TË KONGRESIT TË DREJTSHKRIMIT TË GJUHËS SHQIPE
Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, që u mbajt në Tiranë më 20-25 nëntor 1972, është një ngjarje e shënuar për historinë e kulturës sonë kombëtare dhe me rëndësi të veçantë politike. Në të u morën një sërë vendimesh të rëndësishme jo vetëm për drejtshkrimin, por edhe për gjuhën tonë letrare kombëtare. Zbatimi me sukses i këtyre vendimeve kërkon, në radhë qëparë, punën e vazhdueshme, të kujdesshme e me përgjegjësi të institucioneve arsimore, kulturore e artistike. Krahas përpjekjeve që janë bërë e po bëhen në këtë drejtim nga të gjitha organet e arsimit e të kulturës
 
U R D H Ë R O J :
1/ Përfundimet e Kongresit të gjuhës shqipe të njihen plotësisht nga të gjithë punonjësit e arsimit, të kulturës e të artit, në mënyrë që vendimet që ai mori të vihen shpejt dhe mirë në jetë. Për këtë qëllim të merren masat përkatëse që Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe të punohet, brenda muajit janar 1973, me punonjësit e çdo instituti arsimor, kulturor e artistik të vendit tonë. Për punimin e rezolutës të aktivizohen në radhë të parë delegatët dhe të ftuarit e Kongresit. Në mbledhjet që do të organizohen me këtë rast të nënvizohet, krahas të tjerave, se populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar dhe me një shkallë të tillë zhvillimi që e vë atë përfundimisht në radhët e gjuhëve të përparuara, të cilat pasqyrojnë të gjitha arritjet e qytetërimit të sotëm botëror.

Rezoluta e nënshkruar në Kongres sanksionon jo vetëm njësimin e drejtshkrimit, por edhe të gjuhës letrare kombëtare.  Punimi i Rezolutës së Kongresit duhet të shoqërohet e të lidhet ngushtë me shqyrtimin e diskutimin e gjerë të gjendjes e punës që është bërë e po bëhet jo vetëm për drejtshkrimin, por edhe për çështje të tjera teorike e praktike, që kanë të bëjnë me normën letrare në përgjithësi. Vëmendje e veçantë t’i kushtohet marrjes së masave konkrete për përmirësimin e mëtejshëm të gjendjes në gjuhën e folur e të shkruar.

2/ Të shpejtohet puna për hartimin përfundimtar të rregullave të drejtshkrimit të shqipes. Komisioni përkatës pranë Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë t’i përfundojë ato brenda muajit qershor 1973. Drejtoria e prodhimit në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës të marrë masa për shtypjen e shpërndarjen e Rregullave të Drejtshkrimit të shqipes brenda muajit gusht 1973. Deri në daljen e Rregullave përfundimtare të Drejtshkrimit të shqipes, të gjitha kategoritë e shkollave dhe të gjithë punonjësit e arsimit, të kulturës e të artit do të vazhdojnë të mbështeten në Projektin “Rregullat e Drejtshkrimit të shqipes”, botuar në vitin 1967 nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, por duke pasur parasysh edhe disa ndryshime që u bëri Kongresi i Drejtshkrimit. Rregullat e këtij projekti dhe ndryshimet që u bëri Kongresi i Drejtshkrimit duhet të njihen dhe të zbatohen me kujdes.
3/ Drejtoria e arsimit parashkollor në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës të studiojë programet e institucioneve parashkollore dhe të marrë masa për përmirësimin e forcimin e mëtejshëm të formave të edukimit gjuhësor të fëmijëve dhe për kualifikimin gjuhësor të kuadrit të arsimit parashkollor.

4/ Instituti i Studimeve Pedagogjike, Drejtoria e arsimit 8-vjeçar dhe ajo e arsimit të mesëm në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës, brenda muajit maj 1973, të udhëzojnë shkollat që të marrin masa konkrete, me qëllim që të gjithë mësuesit të njohin e të zbatojnë që nga viti shkollor 1973-1974 Rregullat përfundimtare të drejtshkrimit të shqipes në të gjithë procesin mësimor dhe jo vetëm në lëndën e gjuhës e të letërsisë. Të studiohet e të gjendet mundësia që gjatë vitit shkollor 1973-1974 Rregullat përfundimtare të drejtshkrimit të shqipes të përvetësohen edhe nga nxënësit e shkollave të mesme.

5/ Drejtoria e arsimit të mesëm në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës, në bashkëpunim me specialistë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, të katedrave të gjuhës shqipe në shkollat e larta dhe me mësues të shkollave të mesme të studiojë, brenda muajit qershor 1973, mundësinë e futjes së elementëve të kulturës gjuhësore në shkollat e mesme.

6/ Gjatë vitit 1973, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Drejtoria e arsimit të lartë dhe ajo e arsimit të mesëm në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës të studiojnë përgatitjen e mësuesve në fakultetet e degët e gjuhës shqipe në shkollat e larta dhe në shkollat e mesme që përgatisin mësues. Në muajin dhjetor 1973 t’i paraqitet kolegjiumit të Ministrisë së Arsimit e të Kulturës materiali përkatës me masat për përmirësimin e mëtejshëm të gjendjes.

7/ Duke u mbështetur në Rregullat përfundimtare të drejtshkrimit të shqipes, në të gjitha kategoritë e shkollave të bëhet ndreqja e të gjitha mjeteve mësimore me gabime gjuhësore. Kjo punë do të fillojë në shtator 1973, do të kryhet gradualisht, e planifikuar e pa dëmtuar procesin mësimor, dhe të përfundojë brenda vitit shkollor 1973-1974.
8/ Instituti i Studimeve Pedagogjike në bashkëpunim me kabinetet pedagogjike në rrethe të marrë masa për përhapjen e përvojës së mirë të shkollave për formimin gjuhësor të nxënësve.

9/ Instituti i Studimeve Pedagogjike dhe Shtëpia Botuese e Librit Shkollor të përgatisin dhe të botojnë për shkollat tekste ndihmëse dhe mjete të tjera të nevojshme për përvetësimin dhe zotërimin praktik të normave të gjuhës letrare dhe të drejtshkrimit të saj. Vëmendje e veçantë u duhet kushtuar edhe botimeve për ngritjen e kulturës gjuhësore të edukatoreve të institucioneve parashkollore, të çerdheve e të kopshteve, dhe të familjes sonë në përgjithësi.
10/ Universiteti Shtetëror i Tiranës, Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Instituti i Studimeve Pedagogjike, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Shtëpia Botuese Politiko-Shoqërore, NISH Mjete Mësimore të marrin masa, sidomos nëpërmjet kualifikimit gjuhësor të kuadrit përkatës, me qëllim që në të gjitha botimet (politike, mësimore, shkencore, pedagogjike, letrare etj.), të zbatohen me përpikëri Rregullat e drejtshkrimit të shqipes dhe të ndihmojnë kështu gjallërisht për përhapjen e normave letrare dhe për ngritjen e kulturës gjuhësore të masës.

11/ Trupat artistike dhe Kinostudioja “Shqipëria e Re” të mbështeten në Rregullat e drejtshkrimit dhe në Rregullat e drejtshqiptimit për të ndihmuar në përhapjen dhe në ngulitjen e normave të trajtës së folur të gjuhës letrare shqipe.
12/ Gazeta “Mësuesi” dhe botimet pedagogjiko-shkencore periodike, sipas një plani të veçantë, t’u bëjnë jehonë vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe të ndihmojnë për përgjithësimin e përvojës së mirë të shkollave dhe të institucioneve të tjera arsimore, kulturore e artistike, në qendër e në rrethe.
13/ Organet e arsimit e të kulturës të forcojnë ndihmën e kontrollin për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe për përmirësimin e punës me gjuhën letrare shqipe, të shkruar e të folur.
*
*          *
Ky urdhër t’u njoftohet të gjithë punonjësve të arsimit, të kulturës e të arteve të vendit tonë. Me ndjekjen e zbatimin e tij ngarkohen të gjitha organet e arsimit e të kulturës në rrethe, drejtoritë arsimore në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës dhe Komiteti Shtetëror i Arteve dhe i Kulturës.

urdhri drejtshkrimi

Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin