Prej orëve të para të mëngjesit të ditës së djeshme qindra qytetarë të besimeve të ndryshme fetare kanë ngjitur shkallët e Kishës së “Shën Ndout” në Laç për të qëndruar disa momente apo për të kaluar natën në tokën e shenjtë.
  
Me qirinj në duar dhe me mijëra lutje në zemër për të dashurit e tyre, nën një hënë që shndriste mbi fytyrat plot shpresë që ishin të drejtuara nga qielli teksa flinin mbi gurë e shkëmbinj, shqiptarët kulmuan të martën e 13 për këtë vit.

Besimtarët thonë se ky vend ka bërë mrekulli të shumta, prandaj besojnë Kisha e Laçit.
 
“Kemi kemi 4 vjet që vimë. Edhe ne na ka bërë mrekulli, besojmë shumë.
 
Kemi besim, njerëzit kanë ardhur të sëmurë këtu dhe janë shëruar. Kemi besim dhe kemi ardhur për mbarësi”,
shprehen banorët.
  
Mesha e shenjte e mesnatës u drejtua nga Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit Imzot George Frendo i cili në fjalën e tij tha se politika nuk duhet të behet përçarëse për popullin.

“Kisha e Krishtit në Shqipëri është e veçantë edhe pse në të kaluarën shumë janë përpjekur ta vrisnin Kishën e Zotin, por Zoti është i fortë dhe është gjithmonë me ne. Shqipëria është duke u përgatitur për zgjedhje, politika që është gjithmonë në shërbim të popullit por mund të bëhet vegël përçarjeje, por ne si nxënës të Krishtit duhet të kërkojmë gjithmonë paqen”, tha ai.
 
Për të garantuar mbarëvajtjen e pelegrinazhit janë angazhuar dhjetëra forca policie, ndërsa pranë ambienteve të kishës kanë qëndruar në gatishmëri 4 autoambulanca.
 
Ne këtë vend të shenjtë në ditët festive 12 që është nata e “Shën Ndout” dhe 13 qershor, e marta e fundit që i gjen besimtarët në Kishë që prej mesnatës, numri i pelegrinëve shkon në afro 1 milionë.

shen ndou

shen ndou

shen ndou

Qindra besimtarë flenë në Kishë,historia e 13 të martave
Të shumta janë mrekullitë të cilat njerëzit ia dedikojnë këtij vendi të shenjtë që pret në çdo ditë të vitit myslimanë e të krishterë.

Po cili është historiku i 13 të martave?
“Tradita e 13 të martave fillon në shekullin e XVII. Ishte një grua nga Bolonja e cila për 9 të marta i drejtohet Kishës së Shën Ndout dhe pas 9 të martave ka një dhuratë shumë të madhe prej zotit, ka një fëmijë të cilin e dëshironte prej 20 vitesh. Edhe kur lind fëmija, i lind sakat, i paralizuar. Ajo nuk dëshpërohet, por i lutet sërish Shën Ndout dhe pas kësaj fëmija shërohet. Prej 9 të martave ndërron tradita dhe bëhen 13 të marta. Kjo për arsye se në 13 qershor ka vdekur Shën Ndou dhe data 13 kthehet e bëhet 13 të marta. Kam shumë raste kur njerëzit vijnë dhe bisedojnë këtu se kanë gjetur shërim. Janë kthyer dhe kanë gjetur punë. Njerëz që kanë ardhur me një depresion, janë kthyer me një shërim të fortë shpirtëror. Nuk është diçka e rastësishme që njerëzit grumbullohen në një vend të shenjtë. Pse Zoti e ka zgjedhur këtë vend? Është mister. Shën Vlashi dha jetën e vet në këtë vend, sigurisht gjaku i tij nuk ka shkuar kot”, është shprehur Frat Mirash Martini në një intervistë të para një viti te Shqiptarja.com.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com