A ekziston mundësia e një NATO-je vetëm evropiane?
Një bisedë (chat) ku bëjnë pjesë presidenti francez, kancelari gjerman, kryeministri britanik, kryeministrja italiane, presidenti finlandez dhe presidentja e Komisionit Europian e bën këtë hipotezë më të prekshme.
Quhet Washington Group, sepse vendimin për të qëndruar në kontakt të ngushtë e morën pasi shkuan së bashku me presidentin ukrainas në Shtëpinë e Bardhë, në gusht. Që atëherë Emmanuel Macron, Keir Starmer, Friedrich Merz, Giorgia Meloni, Alexander Stubb, Ursula von der Leyen dhe Volodymyr Zelensky shkruajnë me njëri-tjetrin sa herë që Donald Trump bën ndonjë nga “lajthitjet” e tij. Në përgjithësi temat lidhen me Ukrainën, me shpërthimet e herëpashershme të bezdisë së presidentit amerikan ndaj vendit të sulmuar dhe me një sintoni pasuese me Rusinë, vendin agresor.
Me shumë gjasë, pikërisht aty u ndez kundër-plani i emergjencës për të reaguar menjëherë ndaj planit prej 28 pikësh të rënë dakord mes të dërguarit trumpist Steve Witkoff dhe stafit të Putinit, ku në nëntor në fakt i kërkohej kapitullimi Ukrainës. Përgjigjja evropiane ishte jashtëzakonisht e shpejtë. Liderët u nisën me avionin e parë nga Johanesburgu (ishin të gjithë atje për G7ën) drejt Gjenevës, ku arritën ta bindnin sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio të bllokonte planin Witkoff dhe të rifillonte negociatat. Negociatat janë ende për t’u përcaktuar, por të paktën asokohe më e keqja u shmang .
Ky rast bashkëpunimi, i rastësishëm në kuptimin e shpejtësisë taktike, por jo i thellësisë strategjike, bëhet edhe më i çmuar në ditët kur kriza mes evropianëve dhe amerikanëve, e shkaktuar nga pretendimet e Trump për Groenlandën, vë në diskutim vetë ekzistencën e NATOs.
Fakti (jonormal) që Trump nuk përjashton marrjen me forcë të ishullit arktik, pra, të provokojë një përplasje ushtarake me trupat evropiane që kanë mbërritur në Nook javën e fundit, i ka shtyrë disa evropianë në një përshpejtim mendor, të imagjinojnë gjëra deri pak kohë më parë të paimagjinueshme. Aq sa në Bruksel ka nga ata që mendojnë se Koalicioni i Vullnetmirëve, i ngritur me nismë anglo-britanike pikërisht për të mbështetur Ukrainën në një fazë të tërheqjes, në mos armiqësisë së Amerikës mund të bëhet bërthama e një NATO-je të re vetëm evropiane.
Skenarë që dikur do të kategorizoheshin si fantazi politike, tani përshtaten në mënyrë të përkryer me krizën gjithnjë e më pak të kontrollueshme të një çifti. Dhe si në çdo krizë çifti, pala e lënë duhet të përballet me vetë mbijetesën e saj.
Në rastin evropian bëhet fjalë për mbijetesë në kuptimin e plotë. Prandaj kriza “martesore” me Shtetet e Bashkuara nuk mund të mos ketë një efekt historik: do të përshpejtojë bashkëpunimin mes një bërthame shtetesh evropiane dhe ky bashkëpunim do të nxisë integrim ushtarak, madje edhe politik.
Pa fantazuar për Shtetet e Bashkuara të Evropës, do të shkohet në mënyrë të pashmangshme drejt shteteve evropiane më të bashkuara.
Procesi, natyrisht, do të prekë një grup vendesh, jo të gjithë 35 që marrin pjesë në mbledhjet e Koalicionit të Vullnetmirëve. Për shembull, Italia, vazhdon të shfaqet më e ftohtë ndaj hipotezës së përgatitjes për “divorc”: përjashton dërgimin e trupave në Ukrainë pas armëpushimit, e konsideron “shaka” atë që është vendosur për Groenlandën dhe predikon nevojën për të këmbëngulur mbi strukturat dhe procedurat ekzistuese të NATO-s, ku roli kyç i Amerikës është i domosdoshëm.
Është e qartë që të gjithë do të preferonin akte reflektimi nga Uashingtoni; por meqë janë SHBA-të ato që priren drejt ndarjes dhe i trajtojnë evropianët gjithnjë e më armiqësisht, mes vendeve të mëdha po rritet ndërgjegjësimi për domosdoshmërinë e përgatitjes.
Nëse kriza përshkallëzohet, do të ketë pra një bërthamë kombesh të gatshme (ose të paktën të disponuara) të riorganizohen, të veprojnë vetë. Ky është zhvillimi më i afërt për Evropën, i rekomanduar nga personalitete si Mario Draghi si e vetmja rrugëdalje e mundshme nga ngërçi i shkaktuar nga vetot e ndërsjella që rregullojnë (dhe paralizojnë) Bashkimin Europian.
Nuk janë vetëm liderët që e kultivojnë këtë frymë dhe zhvillojnë mënyra komunikimi të shkathëta që i çojnë drejt vendimeve më të shpejta. Mendjet e vërteta të zhvendosjes në zhvillim janë këshilltarët për sigurinë kombëtare dhe emisarët e tjerë të ngarkuar për zgjidhjen e çështjeve komplekse. Edhe ky personel bisedon dhe këmben pikëpamje çdo ditë mbi efektet e daljeve të Trump. Dhe e bën këtë me një mentalitet që nuk synon ta braktisë: atë të multilateralizmit.
Të dy nivelet, liderët dhe këshilltarët, e shohin këtë mënyrë veprimi që lind nga informaliteti më i plotë, si gjithnjë e më efektiv.
Siç i tregon një burim diplomatik Politicos: “Koalicioni i Vullnetmirëve lindi për Ukrainën, por krijoi lidhje shumë të ngushta mes disa figurave kyçe në kryeqytete. Kanë ndërtuar besim dhe edhe aftësinë për të punuar bashkë. E njohin njëri-tjetrin me emër dhe është e lehtë të kontaktohen e të shkëmbejnë mesazhe”.
Nga kjo rrjetë e re kontaktesh e intensifikuar nga cikloni Trump mund të marrë formë një arkitekturë e re e sigurisë evropiane.
Fakti që në chat janë Zelensky dhe ukrainasit e forcon konceptin, sepse tragjedia e këtyre viteve e ka bërë atë vend më të militarizuarin e Evropës, me ushtrinë më të madhe, me një industri dronësh të shkëlqyer dhe me një përvojë në terren, natyrisht, të pakrahasueshme. Nëse anëtarësimi i Ukrainës në NATO është i pamundur, prania e saj në një të ardhme post-amerikane për sigurinë evropiane është e natyrshme.
Nuk është rastësi që pikërisht këto javë komisioneri europian për Mbrojtjen Andrius Kubilius e nxori nga sirtarët projektin për një ushtri europiane prej 100 mijë vetash, të hedhur dhjetë vjet më parë nga Jean-Claude Juncker, Emmanuel Macron dhe Angela Merkel, që politikani lituanez e ka integruar me idenë e një Këshilli Europian të Sigurisë ku të jetë pjesë përbërëse edhe Mbretëria e Bashkuar. Një hap i rëndësishëm për të kapërcyer 27 ushtri që e kufizojnë shumë potencialin mbrojtës të evropianëve. Dhe që do të lidhej me hapat gjithsesi të nisur nga Komisioni Europian. Pa folur për mundësinë e eurobondeve që të emetohen pikërisht për të financuar mbrojtjen e përbashkët.
Nuk është rastësi as që, po këto ditë, mes evropianëve ka nga ata që bëjnë inventarin e burimeve, përfshirë ato që, nëse do t’u hiqeshin Shteteve të Bashkuara, do t’ua komprometonin rëndë kapacitetet strategjike. Aktualisht amerikanët kanë në Evropë 31 baza të përhershme dhe 19 site ushtarake të tjera ku veprojnë 67.500 ushtarë të tyre, pjesa më e madhe të stacionuar në Gjermani, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ramstein, në Gjermani, strehon bazën më të madhe të NATO-s në Evropë.
Themelore janë edhe bazat britanike të Lakenheath dhe Mildenhall dhe ajo italiane e Aviano-s. Sipas Ben Hodges, ish-komandant i trupave amerikane në Evropë, këto asete janë “thelbësore për të garantuar gatishmërinë operative dhe për të mundësuar shtrirjen strategjike globale të Shteteve të Bashkuara”. Nëse do të privoheshin prej tyre, do ta kishin shumë të vështirë të zbatonin çfarëdo strategjie në Lindjen e Mesme apo në Afrikë. Natyrisht, dhe për fat, nuk bëhet fjalë për mundësi të ditës, por kur përfytyrohet divorci, priret të theksohet çfarë do të humbnin evropianët dhe të nënvlerësohet çfarë do të humbnin amerikanët.
A është herët për këto arsyetime? Sipas një tjetër eksperti autoritar të cituar nga Politico, jo.
Britaniku Richard Shirreff, ish-zëvendëskomandant suprem aleat për Evropën i NATO-s, pohon se, me lëvizjet e Trump për Groenlandën, “një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj integritetit territorial të një aleati të NATOs”, roli i Shteteve të Bashkuara si garant i paqes globale “ka mbaruar” dhe NATO mund të njohë një jetë të dytë pa amerikanët.
Për Shirreff, pika e pakthyeshme është arritur tashmë: kërcënimi amerikan ndaj Danimarkës “minon gjithë parimin e mbrojtjes kolektive, minon ndjenjën e besimit që ka qenë pika e fortë e aleancës që prej themelimit të saj 76 vjet më parë. Pra kjo po e fundos NATOn nën vijën e ujit”.
Prej këtej lindin pyetjet ekzistenciale: “A ka vdekur NATO? Jo. A mund të mbijetojë NATO? Po. Por mund t’i duhet të mbijetojë pa Amerikën”, janë përgjigjet e Shirreff. “NATO nuk mund të intimidohet nga lideri i kombit të saj më të fortë. Prandaj vendet e NATO-s duhet të pranojnë se duhet të bashkohen. Qetësimi nuk shërben për asgjë. Qetësimi vetëm e inkurajon rrugaçin. Prandaj duhet të jenë të fortë. Duhet të forcojnë realisht kapacitetet e tyre mbrojtëse”.
Eksperti britanik, natyrisht, parashtron një çmim aspak të lirë: të lëvizësh drejt një NATOje pa Amerikën “nuk do të thotë të premtosh 3,5% dhe 1,5% të PBB-së për infrastrukturat pas 10 vjetësh. Do të thotë të sakrifikosh tani. Do të thotë të tregosh vullnetin dhe vendosmërinë reale për t’u mbrojtur, për të mbrojtur aleatët nga çdo agresor”.
Por në atë pikë, a nuk do të barazohej një strukturë evropiane e NATOs pa amerikanët me një ushtri europiane?
Shirreff thotë jo. “Sipas mendimit tim, BE-ja nuk ka nevojë për një ushtri”, thotë ai, duke shtuar se vendet e BE-së anëtare të NATOs kanë tashmë një bashkëpunim të mirë me vende jashtë BE-së si Britania e Madhe dhe Norvegjia.
Por kjo duket më shumë si një sofizëm britanik, i atyre që janë mësuar të mendojnë se etiketa “evropiane” i vonon automatikisht proceset. Realiteti është se, qoftë ta quash NATO, Evropë, Donald Duck apo tjetër, ajo që do të profilohej do të ishte një sistem i përbashkët evropian i mbrojtjes — dhe kjo është ajo që ka rëndësi.
Dhe NATO do të ishte mami perfekte: “Ajo që ofron NATO, edhe pa Amerikën, është një kornizë referimi, një strukturë komande, një doktrinë, një mënyrë veprimi, e ndërtuar në 76 vjet. Do të ishte marrëzi ta hidhje tutje”, thotë Shirreff.
"Dhe ky zhvillim është aq i natyrshëm sa kush nuk do ta ndajë, nuk do të mund ta ndalojë në asnjë mënyrë, sepse gjithsesi do të ketë “partnerë të NATO-s të gatshëm të marrin një barrë më të madhe se të tjerët” dhe që “e njohin më mirë natyrën e kërcënimit që vjen nga Lindja. Kjo nuk përjashton mënyra të ndryshme të të parit të çështjes, por në thelb, ta bësh këtë brenda një strukture të trashëguar nga aleanca e NATO-s është rruga për t’u ndjekur” shpjegon ai.
E ardhmja, pra, është e shënuar. Drejtimi do të jetë ky edhe nëse pas Trump vjen një president i denjë: evropianët nuk mund të mos nxjerrin mësim se nga kjo krizë duhet t’ia dalin vetë. Dhe italianët ose janë (edhe) evropianë, ose nuk janë./Corriere
Komente









