'Denis Matoshi, alias Eldi Dizdari, një nga bosët më të mëdhenj të drogës, i arrestuar në Dubai si pjesë e organizatës kriminale të trafikut të kokainë, nuk do të ekstradohet në Itali'. Kështu shkruan një media në Belgjikë, ku nënvizon se, Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë lejuar ekstradimin e Matoshit, por edhe të kriminelit të famshëm të Camorra-s, Rafaele Imperiale. Në artikull, Matoshi cilësohet si 'mbreti i drogës shqiptare'.

Shkak për përmendjen e Eldi Dizdarit në mediat belge, është bërë arrestimi i një të shumë kërkuari nga Belgjika në Dubai, kreut të grupit të kokainës Farhan Bouzambou. Mediat belge ngrenë pikëpyetje lidhur me ekstradimin e tij në të ardhmen duke sjellë për analogji rastin e shqiptarit dhe trafikantë italianë të drogës, të cilët nuk janë ekstraduar nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Për Belgjikën, ekstradimi i Bouzambou do të jetë një rast i rëndësishëm provë. Ministri i Drejtësisë Vincent Van Quickenborne nënshkroi një traktat ekstradimi në Abu Dhabi vitin e kaluar, por deri më tani ai nuk ka dhënë asnjë rezultat. Ndërkohë mediat belge e konsiderojnë Dubain si shtëpinë e kriminelëve ku mund të lëvizin të lirë dhe pa u ekstraduar në vendet ku kanë kryer krimet e tyre.