Në ditët e sotme, roli i artizaneve po bëhet më domethënës. Për Anila Mërtirën, realizimi i veshjeve myzeqare nuk është vetëm pasion apo punë që nxjerr të ardhura, por një mision. Përmes punimeve të saj synon të ruajë historinë dhe të frymëzojë brezat e ardhshëm.
“Kam 27 vite që punoj si rrobaqepëse ndërsa 19 vite si artizane duke qëndisur dhe punuar kostumet tradicionale, kryesisht të zonës së Myzeqesë sepse aty gjeta veten time. Unë jam e punësuar edhe në Qendrën Kulturore të Fierit si kostumografe prej 7 vitesh. Dua të mbaj gjallë veshjen e qytetit tim. Duhet mbrojtur nga UNESCO si veshje. Një mikja ime më dha shtysën kryesore dhe më tha ta vazhdoj sepse është rrugë shumë e bukur. Është kthyer në një pasion dhe vërtetë nuk rri dot pa të”, tregon Anila.
Një mënyrë për ta promovuar këtë veshje tradicionale është përmes projekteve mësimore tregon Anila.
“Gjithmonë kemi pasur bashkëpunimin e shkollave kur ka pasur projekte mësimore ose për Festat e Nëntorit ku është bërë si traditë që vishen me veshjet kombëtare. Kryesisht Fieri kërkon kostumet myzeqare.Aty e kam fokusin edhe pse punoj veshjet e trevave të ndryshme.”
Procesi i krijimit u shoqërua me sfidat e veta, konsulta me specialistë, orë të gjata pune dhe përkushtim maksimal.
“Kam gjetur punimet origjinale dhe i kam punuar veshjet në bazë të atyre. Vazhdon konsultimi dhe me specialistë. Mund të quhet një trashëgimi që mund ta trashëgosh brez pas brezi dhe janë kujtime që nuk mund të shuhen asnjëherë. Çdo qëndisje ka teknikën e vet. Lulet nuk duhet të kenë deformim në pjesën e modelit. Nuk mund të bëjmë ndryshime nëse duam t’i qëndrojmë fiks modelit. Kam pasur vështirësi kur e kam shqepur punën nga e para sepse nuk më ka dalë siç duhej. Tani është e fiksuar në tru dhe e di procesin me sy mbyllur te modelet e veshjes myzeqare.”, tha ajo.
Nëna e tre fëmijëve punon nga mëngjesi deri në mbrëmje. Shpreson që në të ardhmen të marrë vlerën e duhur puna e dorës.
“Sot nuk ka vlerën e duhur, por në një të ardhme themi se do ketë një vlerësim puna e artizanes. Porositë i marr dhe jashtë vendit sidomos nga emigrantët sepse duan ta ruajnë traditën e tyre. Kam çuar në Kanada, SHBA, Gjermani, Suedi”.
Parimet që ka nuk e kanë lënë në baltë. Në Fier bën jetesën që do.
“Jam e dashuruar me qytetin tim. Është një jetë normale, kemi qetësinë, një ambjent të bukur. Kemi hapësira ku pasdite mund të dalim, të bëjmë ecje, të lëvizim, të pimë dhe një kafe me shoqërinë. Është një ekonomi normale që arrijmë të përballojmë çdo vështirësi. Bëjmë një jetë të thjeshtë, komode. Po të kërkojmë ka shumë mundësi në çdo vend. Unë kam një parim që nuk mund të themi dot asnjëherë nuk mund ta bëjmë. Kush do të punojë, e gjen punën vet ose e krijon atë. Unë me këtë parim kam ecur tërë kohës”, shprehet Anila për emisionin “Një nga ne” në Report Tv.