Mes bobinave dhe kujtimeve të një epoke që i përket të kaluarës, Ervin Ziu mban gjallë magjinë e kinemasë. Dikur ushtarak, sot e gjen pranë Arkivit të Filmit, për të ushtruar zanatin e kinomekanikut, të cilin e trashëgoi nga i ati, Theodhor Ziu.

"Që në kohën që kam qenë në kopsht e deri në moshën 13-14 vjeçare i rrija nga mbrapa babait dhe mësova këtë zanat që e ushtroj prej 8 vitesh në AQSHF. Që prej vitit 1993 jam pajisur me patentën e kinomekanikut që tregon për profesionin tim që kam të drejtë për ta ushtruar. Puna e kinomekanikut konsiston në marrjen e filmit 35 mm dhe me aparaturat që kemi bashkohet në një i vetëm dhe bëhet projeksioni në sallë i filmit. Në '98 unë jam regjistruar në Akademinë e Forcave të Armatosura dhe im atë nuk e priti mirë sepse më rekomandoi këtë profesion. Punova si ushtarak për 20 vjet dhe iu ktheva profesionit të babait", tregon Ervini për fillimet e tij në këtë rrugëtim të veçantë.

"Një kinomekanik i mirë duhet të jetë preçiz në punën e tij dhe duhet të ketë shumë kujdes në bashkimin e filmit dhe të montojë filmin saktë që të mos dalë shfaqja me kokën poshtë", tregon për përgjegjësitë e tij profesionisti, duke shtuar se dixhitalizmi e ka thjeshtëzuar çdo gjë.

Është ndër të paktët kinomekanik të mbetur në vend. Teknologjia e zbehu këtë zanat, por për Ervinin duhet të ruhet si pjesë e trashëgimisë kulturore.

"Sot të gjitha kinematë që janë punojnë me projektorë, nuk ka më filma që shfaqen me shirit 35 mm, por nuk është më e njëjta nostalgji.Është një profesion shumë i bukur, i rrallë dhe më vjen keq që sot nuk ka më shkollë ose kurse për këtë gjë. Shpresoj të mbahem mend mirë për punën time për aq sa kam kontribuar dhe do vazhdoj të kontribuoj. Kam dëshirë që t'ia lë dikujt zanatin tim që ta ketë nesër", shtoi ai.

Emisionin "Një nga ne" mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.