Fshati Griqan po mbahet në këmbë nga mosha e tretë. Osman Kaçuli është një prej banorëve që nuk është larguar. 12 muaj të vitit i kalon me lopën dhe duke u marrë me bujqësi. Babai i 9 fëmijëve tregon se fukarallëku i ka detyruar të rinjtë të largohen për një jetë më të mirë.
"Kam 4 djem dhe 5 vajza. Vajzat janë martuar, janë tek burrat e vet ndërsa djemtë kanë ikur familjarisht në Greqi. 80% e të rinjve kanë ik, ka mbetur vetëm mosha e vjetër si puna ime. Pensioni 230 mijë lekë të vjetra nuk mjafton sepse harxhojmë për ilaçe. Mbaj lopën për të ndihmuar në ekonomi. Bën vaki dhe fëmijët nuk na gjejnë gjallë. Mirë do ishte që të rrinin këtu, por nuk kanë mundësi. Ça do bëjnë këtu? Nuk mbahet familja me një rrënjë qershi.", tregon 75 vjeçari për emisionin "Një nga ne".
Përveç zbrasjes së fshatit, shqetësimi tjetër që mundon banorët është mungesa e ujit.
"Ujin e kemi shumë problem. Kemi vetëm për të pirë, për vaditje jo. Ka 50 vjet ky muhabet. Na e premtojnë për zgjedhje, por vetëm shiun kemi zgjidhje.", thotë Osmani.
Fermeri thekson rëndësinë e prodhimeve të fshatit. Falë kujdesit dhe përkushtimit që ata tregojnë, ka prodhim të shijshëm, me vlera ushqyese.
"Në fshat mishi dhe veza janë më cilësore. Lopa ushqehet me bar, jo me koncetrate. Një kokër vezë ka shkuar 50 lekë se ka kalori, ushqehet në terren, në natyrë. Qumështin e bëj gjizë dhe gjalpë dhe e shes tek tregtari.", thotë Osmani.
Ndër të tjera tregon për marrëdhënien shumëvjeçare me Selimen dhe si kanë ndikuar kohërat në raportet që krijojnë çiftet sot.
"Selimja është shefja, gratë bëjnë ligjin. Kemi 50 vite bashkë. Marrëdhënia bashkëshortore është më e mirë dhe më e pëlqyeshme me fejesë dhe martesë si dikur. Sot janë në bashkëjetesë, shkon sa shkon dhe ndahen. Kemi rënë në konsesus, ky është faji im, ky është i joti. Të rinjtë nuk mendojnë për kohën që do vijë. Është kënaqësi kur ke fëmijë. Sot i bëjnë 1 ose 2, si me racion. Koha jonë nuk ishte më kollaj. I kam rritur 9 fëmijë me bukë misri thatë”, shprehet Osmani.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.
Komente











