Asaj i mjaftojnë vetëm disa gurë për të krijuar punime artistike unike. Përveç punës në një kompani private, prej 6 vitesh Etleva Zaimi realizon portrete familjare, çifte ose certifikata bebesh, të cilat mbeten kujtime të bukura për klientët.
Gjithçka nisi rreth 6 vite më parë, kur ishte shtatzënë me djalin e saj të tretë. Sot, ai është krahu i saj i djathtë që e shoqëron në ambientin e punës.
“Nëse nuk ke një punë të dytë është e vështirë që t'ia dalësh me punimet artizanale.”, tregon nëna nga Tirana duke shtuar se jetesa në kryeqytet dhe kërkesat e fëmijëve kanë ndryshuar.
Punon me orë të zgjatura për të përfunduar në kohë porositë, të cilat i ekspozon në rrjetet sociale. Njerëzit e paragjykonin dhe e shikonin me habi sesi nga disa gurë ajo krijonte vepra arti. Megjithatë, Etleva nuk u ndal.
“E kam shumë të afërt si plan për të hapur diçka timen, pra një dyqan që klienti t’i shikojë punimet nga afër dhe t’i zgjedhi më mirë”, thotë Eva.
Punimet e saj janë kërkuar jo vetëm në Shqipëri, por kanë kapërcyer kufijtë. Italia, Anglia dhe Amerika janë destinacionet që merr porosi më së shumti.
“Ndihem shumë mirë që kam arritur deri këtu. Kam premisën që mund të eci akoma dhe më shumë.”, shprehet artizania.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.
Komente












