Gomaricat janë drejt zhdukjes. Naile Balla dhe i biri Arturi, po rikthejnë në vëmendje vlerat ushqyese të qumështit të tyre. Në fshatin Orenjë të Librazhdit, ata kanë krijuar një fermë me 18 gomarica, një ide e pazakontë që po fiton terren.

“1 gomaricë është baraz me 10 lopë”, tregon 74 vjeçarja për iniciativën e ndërmarrë rreth 6 muaj më parë.

“Më parë merreshim me lopë, dele, dhi dhe mbillnim tokat me jonxhë, misër dhe grurë. I mjel në mëngjes, u jap për të ngrënë, i nxjerr në livadhe. Është shumë punë e mirë dhe me përfitime.”, thotë Nailja.

Kërkesat kanë ardhur në rritje, pasi njerëzit janë ndërgjegjësuar për efektet pozitive që ka qumështi në kurimin e disa sëmundjeve dhe për përdorimin në kozmetikë.

“Kërkesa kemi pasur sa të duash, nga Gjermania, nga Italia, Amerika, Anglia.” Qumështi 150 euro ndërsa djathi 1500 euro. Do 22 litra qumësht që të marrësh 1 kg djathë. Këto kurojnë ftohjen, diabetin, kollën e bardhë.

Kisha një çift me sëmundje të keqe nga Italia dhe na thanë që kanë pasur përmirësime. Nusja e djalit ishte me diabet dhe i tha doktoresha që e ke ilaçin tek shtëpia. Nga 380 që e pati diabetin i shkoi 130.”, shprehet e moshuara.

Mes të tjerash Nailja thotë se fshati ka 100 të mira krahasuar me qytetin edhe pse të rinjve i duket jetë me vuajtje. Ushqimi bio dhe ajri i pastër, janë sekreti që nuk vuan nga sëmundjet dhe vazhdon të jetë aktive çdo ditë.

“Puna është nder. Të rinjtë thonë që është vuajtje fshati, por nuk është kështu. Po u mësove që në fillim me punë, asnjëherë nuk ke vuajtje. Jeta është më mirë në fshat sesa në qytet. Këtu ha çdo gjë bio, pse të ha mbeturinat e botës?  Ha domaten tonë bio për qejf, qepën tonë, hudhrën, pataten, nuk më bie mendja për gjëra qyteti. Po vdesin njerëzit 30 , 35, 40 vjeç ndërsa unë edhe sot iu mbaj në krahë dhe iu çoj në majë të malit.”, thotë 74 vjeçarja.

Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.