Pas 11 vitesh në emigrim, Fatjon Vathaj vendosi të rikthehet në fshatin Ishull-Lezhë me një synim të qartë: për t’i qëndruar pranë familjes, por dhe për të krijuar një fermë me bagëti, shkurtëza, bletë dhe prodhime bio. Studimet për Gjeografi dhe dëshira për të sjellë risi e lidhën më shumë me tokën.

"Ne jemi rritur në fshatra dhe me bujqësinë kemi mbijetuar. Pas kthimit nga emigrimi jam munduar që ta kthej në biznes për të sjellë përfitime ekonomike për familjen. Për shitje më shumë janë mjalti, qumështi i bletës, vezët e shkurtëzave, kivi dhe vaji i ullirit.

Që në moshën 7 vjeçare, çoja bagëtitë nëpër male. Nuk funksiononte në atë periudhë telefoni, interneti. Në fakt është shumë mirë t'i rikthehesh origjinës sepse shumë njerëz nëse psh. kanë shkuar në Gjermani, mendojnë se janë bërë gjerman, po kanë harruar se nga kanë ardhur", thotë 37-vjeçari.

"Jam larguar me atë idenë që të shkoj dhe të mbledh të ardhura dhe me i investu në vendin tim", shton më tej.

Vezët e shkurtëzave, mjalti dhe qumështi i bletës, për të nuk janë thjesht produkte, por kura për të përballuar problemet shëndetësore.

"Para 10 vitesh kam kaluar një hemoragji cerebrale. Me ndihmën e Zotit ia dola dhe jam shëndosh e mirë. Që nga ai moment duhet të kujdesesha shumë për shëndetin tim, pra duhet të ushqehesha me ushqime bio dhe të gjeja kura popullore për të mbajtur nën kontroll shëndetin tim.

Duke qenë se kisha vet bletë, kura e parë ishte me qumësht blete. Nevoja ishte për pjesën e tensionit që rrinte shumë i lartë. Pavarësisht se merrja mjekim nga spitalet, pas 3 muajsh nuk jepnin më efekt ilaçet dhe detyrohesha t'i ndryshoja. Pashë që vezët e shkurtëzave ishin shumë të shëndetshme për imunitetin e njeriut, të cilat luftojnë çdo lloj sëmundje dhe kështu vendosa që t'i shtoja.

Sot kam rreth 500 shkurtëza. Përdoren si kurë, 5 vezë në ditë esëll. Mirë është të pihen nëse burimi është i sigurt për 45 ditë. Pastaj bëhet një ndërprerje dhe pas një muaji mund të bëhet përsëri kjo kurë.

Vezët e shkurtëzave janë për t'i dhënë trupit imunitet, për të luftuar çdo lloj sëmundje nga diabeti, kolesteroli, problemet me zemrën deri tek sëmundjet kanceroze", tregon Fatjoni.

Falë kësaj iniciative, biznesi u rrit në kohë rekord, aq sa vështirë të përballojë të gjitha kërkesat.

"Kërkesat i kam nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga jashtë, psh. Itali, Gjermani. Unë kam emigruar, po pastaj vendosa të kthehem pasi mamin e kisha të sëmurë. Fatkeqësisht sot mamin nuk e kemi, tani jetoj me babin dhe nusen time dhe sigurisht kam vendosur që babin mos ta lë vetëm dhe kjo është një arsye plus që të qëndroj pranë familjes.

Unë kam përfunduar master shkencor si gjeograf dhe sigurisht dega ime më ka ndihmuar që të njoh terrenin. Kam 10 vite që po merrem me këtë punë, por pas shtimit të shkurtëzave vendosa që ta hap edhe për turistët dhe qytetarët që duan të shikojnë fermën tonë. Jam i suprizuar sepse për 6 muaj kam arritur në atë lartësi që e kam menduar pas 5-6 vitesh. Kështu që mendoj se do t'a vazhdoj duke u zgjeruar", shprehet fermeri.

Për publikun ndan një kurë natyrale që për të ka rezultuar efektive për organizmin.

"Një kurë që unë e bëj është me 5 vezë shkurtëzash, 1-2 lugë mjaltë dhe 2-4 lugë qumësht blete. Për fillestarët duhet të përdorin 1 ose 2 lugë qumësht blete. Kjo kurë përdoret deri në 10 ditë dhe e ndihmon trupin për të përballuar virozat e stinës", thotë ai. 

Emisionin "Një nga ne" mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00, në ekranin e Report Tv.