Sezoni i qershive e ka bërë pesimist këtë vit Rakip Kajën, agronom nga fshati Gjoricë i Bulqizës. Kushtet klimatike i kanë dëmtuar prodhimin ndërsa tregu mbetet i pasigurt.

“Kam nja 35 rrënjë ku 12 janë në prodhim ndërsa të tjerat në vegjetacion, në rritje. Temperatura duhet të jetë më e lartë seç ka qenë këtë vit dhe të mos bien reshje në periudhën e pjekjes të paktën. Nuk jam optimist sepse kanë filluar të plasin që tani dhe tregu është bërnut krejt. 70-100 lekë  presim ta shesim me shumicë. Faktikisht me qershinë pothuajse jemi të dështuar.”, tregon Rakipi me trishtim, pasi gjithë mundi i një viti po përkthehet në humbje.

Për shumëkënd, pensioni është periudhë pushimi, por jo për Rakipin i cili del çdo ditë për të bërë kontrollet e pemëve.

“Gjorica ka kushtet ideale për bujqësinë. Bleva tokën dhe iu vura frutikulturës dhe perimeve 26 vjet më parë. Në fshatin tonë mund të jenë prodhuar 5 mijë deri 6 mijë kuintal mollë që është autoktone. Kemi kultivuar grurë, misër, të gjitha kulturat bujqësore, perime si speci me nam i Gjoricës.  Gjithë fshatarët i kam ndihmuar me asistencë teknike, më pyesin akoma të gjithë. Gjatë gjithë periudhës po të punosh, ka punë. Shpenzoj 6-7 orë në ditë këtu. Mbase më ka kapur toka, nuk më lëshon se s’jam për tokën më”,  shprehet agronomi.

Krijoi një familje të madhe, ku shtëpia gumëzhinte nga zërat. Sot, kanë mbetur vetëm malli dhe kujtimet pasi fëmijët e tij janë larguar nga Gjorica.

“Kam 5 fëmijë, 3 goca dhe dy djem. Të gjithë i kam të martuar, jam bërë gjysh 16 herë dhe stërgjysh 1 herë. Nuk ka më mrekulli. Fëmijët më kanë ikur, pata një shpresë që do rrinin këtu, por kam mbetur vetëm me plakën. Keq më vjen shumë, po ça të bëjmë. Shkoj një herë në muaj në Itali, shkoj t’i shoh fëmijët se më merr malli për to. Nuk ka gjë më të dhimbshme.”

Ndryshe nga fëmijët, Rakipi mendon se e ardhmja mund të krijohet në vendin tënd.

“Mbase do ma quani konservatore këtë ide, por mendoj që atje janë sakrificat më të mëdhaja atje. Këtu po të punosh sa gjysma e Gjermanisë, fiton më tepër se atje. Gjoricën nuk e lëshoj as me Parisin apo Londrën. Nuk më ka shkuar në mendje  të lëviz, me Gjoricën nuk ka në botë.”, përmbyll rrëfimin e tij.

Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.