20 vite të jetës, Petrit Kola ia ka kushtuar bletëve, duke ngritur një park me 150 koshere në fshatin Lekaj të Kavajës. Me këtë punë ka gjetur relaksin, kënaqësinë dhe një mënyrë për të shëruar njerëzit me një trajtim natyral, siç është apiterapia.

"Përvojën e kam marrë tek një miku im nga Korça, i cili është marrë që fëmijë me bletët", tregon Petriti për fillimet e tij ndërsa shton se kurioziteti e ka shtyrë të hulumtojë më tej në botën e bukur të bletarisë.

"Bleta do shumë rregull, do disiplinë. Nuk duhet të pish raki, alkool apo të lyhesh me parfum dhe të bësh zhurmë nëse je pranë koshereve", thotë Petriti.

Kjo punë sipas tij kërkon përqëndrim të jashtëzakonshëm, por ia vlen pasi çdo produkt bën mrekulli për organizmin e njeriut.

"Të punosh me bletët nuk është e lehtë. Në një ditë nuk mund të shikosh më shumë se 15 koshere sepse lodhet syri dhe mendja.Sfida ka plot, por jam i kënaqur sepse është cilësia që shet. 5 produktet e bletës janë mjalti, poleni, qumështi, propolisi dhe dylli. Psh qumështi është çudibërës sepse ndikon në trurin e njeriut, në sistemin imunitar, rregullon hormonet dhe shumë përfitime të tjera. Poleni nga ana tjetër cilësohet si 'polici i zorrëve.'Propolisi nga ana tjetër lufton bakteret, viruset, ndihmon në dhimbjen e fytit dhe përshpejton shërimin e plagëve. Dyllin e përdorim për duart, buzët, plagët, gjen përdorim në kozmetikë. Mjalti është produkti më i kërkuar dhe ndihmon në sistemin imunitar", shprehet bletërritësi nga Kavaja.

Apiterapia, e cilësuar si frymmëmarrje në kosheren e bletës, është një risi për fshatin Lekaj. Petriti e solli 4 vite më parë dhe sipas tij është pritur shumë mirë pasi pacientët dalin të kënaqur nga rezultatet e trajtimit.

"Me anë të një aspiratori, marrim ajër brenda koshereve të bletës dhe aty thithim grimcat e ajrit:polen, qumësht, propolis, helmin e bletës dhe shumë gjëra të tjera që bleta i mban për të rregulluar ambjentin brenda. Ka dhënë marshallah rezultat dhe unë do vazhdoj të eci përpara. Kjo fillon më 1 mars dhe mbaron në shtator. Shëron shumë sëmundje, por vlen për t'u përmendur për astmën, tiroidet, bronkitet, të gjitha llojet e alergjive. Është e domosdoshme që kura të bëhet 7 ditë.", thotë ndër të tjera Petriti lidhur me këtë trajtim. 

Emisionin "Një nga ne" mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.