Një operacion i rrallë në zemër është realizuar për herë të parë në Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku mjekët kanë ndërhyrë tek një pacient 74-vjeçar pa i hapur kraharorin dhe pa ndalur zemrën gjatë operacionit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndërhyrja u krye me një teknikë mini-invazive, që do të thotë se mjekët përdorën vetëm një prerje të vogël në anën e kraharorit, duke shmangur operacionin klasik me hapje të plotë të sternumit (kockës së gjoksit). Prof. asc. Altin Veshti tha se kjo metodë ndihmon pacientët të rikuperohen më shpejt dhe me më pak komplikacione.
“Ndërhyrja përbën një hap të rëndësishëm drejt kirurgjisë moderne kardiake, duke reduktuar traumën kirurgjikale dhe duke mundësuar rikuperim më të shpejtë për pacientin”, deklaroi Veshti.
Mjeku tregoi se 74-vjeçari kishte mbërritur fillimisht në urgjencën e QSUT pas një infarkti në zemër. Pas stabilizimit, mjekët vendosën të kryenin bajpasin me teknikën e re.
““Pacienti 74-vjeçar u paraqit në urgjencën e QSUT me infarkt të ventrikulit të djathtë. Në fazën akute, ekipi mjekësor vendosi një stent në arterien koronare të djathtë, duke stabilizuar gjendjen shëndetësore dhe duke zgjidhur emergjencën fillestare. Pacienti iu nënshtrua bajpasit me një teknikë inovative dhe mini-invazive përmes një miniincizioni prej vetëm 5 cm në hapësirën e 5-të interkostale pa hapur stemumin në mënyrë klasike, realizohet bajpasi me arterin mamaria LAD (arteria kryesore e zemrës)”, tha Veshti.
Operacioni u realizua pa transfuzion gjaku dhe pacienti pritet t’i rikthehet normalisht jetës së përditshme brenda pak ditësh.
Ndërhyrje të tilla po përdoren gjithnjë e më shumë në qendrat moderne të kardiokirurgjisë, pasi ulin ndjeshëm traumën për pacientin dhe shkurtojnë kohën e qëndrimit në spital. Për mjekët e QSUT, realizimi i kësaj procedure konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në trajtimin e sëmundjeve të zemrës në vend.
Komente







