Josep Martinez, portieri i Interit u përfshi të martën në një aksident dhe makina që drejtohej nga ai përplasi një 81-vjeçar në karrige me rrota duke e lënë të vdekur. Martinez nuk mundi të reagonte pasi sipas hetimeve të para, 81-vjeçari ishte ndjerë keq dhe kishte humbur kontrollin e karriges me rrota, duke dalë në korsinë e makinave.

Paçka se Martinez u mundua t'i jepte ndihmën e parë, 81-vjeçari nuk mundi të mbijetonte. Duket se 27-vjeçari spanjoll është në gjendje të rënduar psikologjike dhe ka nevojë për një specialist për të kaluar gjithë situatën e krijuar.

Pas aksidentit, spanjolli iu nënshtrua një testi alkomateri dhe një testi droge, të dyja me rezultate negative dhe më pas dha një raport të gjatë me versionin e tij të ngjarjeve. Ai arriti të kthehej në shtëpi vetëm rreth orës 6:00 pasdite.

Një psikolog i dërguar nga Interi po e priste. Josep, i cili gjatë dy viteve të tij në Milano përshkruhet si një djalë i ndjeshëm dhe i rezervuar, ishte aq i shqetësuar sa nuk mund të thoshte më shumë se disa fjalë.

Ai nuk do të kthehet në fushë për të paktën një javë dhe do të fillojë një udhëtim të gjatë ligjor dhe psikologjik. Hapi i parë ishte mbyllja e të gjitha llogarive të tij në mediat sociale. Në një kohë kaq të vështirë, është më mirë të mos lexosh gjëra negative në internet.