Tërmeti 6.8 ballë në Turqi/ Shkon në 29 numri i viktimave, qindra ndërtesa të rrënuara, telefona nën rrënoja dhe profecia (VIDEO-LIVE)

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.8 rihter ka goditur Turqinë lindore mbrëmjen e të premtes. Deri më tani sipas Ministrit të Brendshëm të Turqisë, janë shënuar të paktën 29 viktima, ndërkaq mbi 100 banesa janë të rrënuara duke lënë pas mijëra të plagosur. Epiqendra e këtij tërmeti të fortë ka qenë pranë zonës së quajtur Elazig, ku u shënuan edhe më shumë viktima dhe dëmet e mëdha materiale.  Thellësia e këtij tërmeti ka qenë 6.7 km, ndërsa lëkundja është shënuar në orën 17:55. Prej disa ditësh Turqia goditet nga lëkundjet e tërmetit, por intensiteti i tyre ka qenë shumë më i ulët sesa sot. Turqia është prekur nga tërmeti edhe gjatë ditës së mërkurë (22 Janar) në provincën perëndimore të Manisa ku u regjistrua magnituda 5.4 ballë. Me anë të një deklarate, kryetari i bashkisë së Elazig tha se të gjitha ekipet e emergjencave janë në gatishmëri dhe po punojnë për të shpëtuar personat që mund të kenë mbetur nën rrënoja. Ndërkohë në këtë qytet dhe në zonat përreth vijojnë paslëkundjet e vazhdueshme.

Dridhjet janë ndjerë në Irak, Siri, Liban dhe Izrael, ndërsa banorët kanë ndarë pamjet e ndërtesave që dridhen në qytete të ndryshme. Ky nuk është tërmeti i parë që godet Turqinë, pasi një tjetër tërmet i fuqishëm me magnitudë  6.0 goditi provincën Elazig në 2010 duke lënë pas 51 viktima. Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) tha se viktimat janë gjetur nën rrënoja në provincën Elazig, në Malatya dhe në Dijarbakir, në juglindje të Turqisë. Gjysmëhëna e Kuqe turke njoftoi se ishte vendosur një tavolinë krize në Ankara, dhe ekipet e shpëtimit u dërguan në zonat e goditura nga tërmeti. Po ashtu, janë dërguar kuzhina të lëvizshme, të cilat shërbejnë deri në 5,000 njerëz.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:32
Rëndohet bilanci i tërmetit tragjik në Turqi, shkon në 29 numri i viktimave

1579977460_turqi.jpg

Ka shkuar në 29 numri i viktimave nga tërmeti tragjik me magnitudë 6.8 që goditi mbrëmjen e djeshme Turqinë. Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave AFAD njofton se deri tani janë  janë shpëtuar 43 persona, ndërsa ekipet e kërkim shpëtimit vijojnë kërkimet për të shpëtuar te mbijetuarit nën gërmadha.

Ora 15:10
Tërmeti në Turqi, raportuesit e lajmit mes dhimbjes dhe lotëve (VIDEO)

Teksa Turqia ka nisur ceremonitë e lamtumirës për viktimat e tërmetit, mediat vazhdojnë raportimet nga terreni.

Përpos frikës dhe ankthit, pamjet nuk mund të mos preknin edhe gazetarët që raportojnë lajmet e dhimbshme, atje ku ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë ethshëm punën.

Gjatë raportimit nga qyteti i Elazig, gazetarja dhe CNN Turk nisi të qante live teksa pas saj vijonte operacioni pëe nxjerrjen e trupave nga rrënojat.

Ora 13:19
Tërmeti në Turqi: Nën rrënoja ka jetë, telefonata që ngjalli shpresën (VIDEO)

Teksa ekipet e kërkim shpëtimit po bëjnë të pamundurën për të nxjerrë njerëz nga rrënojat, është shtuar shpresa se veç 40 personave që u nxorrën të gjallë, të tjerë do të shohin sërish dritën e diellit.

Në video një anëtare e forcave të kërkim shpëtimit arrin të kontaktojë me një person i cili të bllokuar nën rrënoja.

Ai i ka treguar se është në gjendje të mirë.

Biseda mes oficeres së forcave të ndihmës dhe personit të bllokuar është regjistruar edhe në kamera.

Telefonata ka bërë të mundur që ekipi i kërkim shpëtimit të lokalizojë vendodhjen e personit të bllokuar.

Ora 12:47
Rastësi apo profeci? Profesori grek që bëri 'parashikimin' për tërmetin në Turqi

Gerasimos Chouliaras, Profesori grek i sizmologjisë, mesa duket ka bërë një “parashikim profetik” në lidhje me tërmetin që goditi Turqinë.

Disa orë përpara tërmetit, Chouliaras, drejtori i Kërkimit në Institutin e Gjeodinamikës në Athinë postoi në rrjetin social 'Facebook', një njoftim,  ku paralajmëronte se Turqia mund të goditej nga një tërmet i fortë.

I pyetur nga mediat greke, ai  ka theksuar se tërmetet nuk mund të parashikohen, por sipas tij postimi është bërë duke analizuar tërmetet që kishin goditur Turqinë. 

Chouliaras tha se kishte një hendek sizmik që nga viti 1970, vit kur Turqinë e kishte goditur një tërmet 6.9 ballë, ndaj ai i'u kërkonte autoriteteve të ishin të përgatitur.


 

Ora 11:58
Tërmeti në Turqi, nxirren mbi 40 persona të gjallë nga rrënojat, mes tyre një grua shtatëzënë dhe fëmija i saj

Operacionet e kërkim shpëtimi në Turqi duket se kanë dhënë rezultat pozitiv teksa kanë arritur të nxjerrin të gjallë nga rrënojat mbi 40 persona të cilët janë dërguar në spital.

Ndër ta ishte dhe një grua shtatëzënë sëbashku me fëmijën e saj e cila u nxorr e gjallë pas 11 orësh qëndrimi nën rrënoja.

Qendra e menaxhimit të katastrofave dhe emergjencave turke AFAD, raporton se personat e shpëtuar u nxorrën nga rrënojat e Elazig dhe Malatya.

Autoritetet bëjnë me dije se 30 persona ndodhen ende nën rrënoja.

Të paktën 22 persona kanë humbur jetën ndërsa 1031 kanë mbetur të plagosur si pasojë e tërmetit me magnitudë 6.8 të shkallës Rihter që goditi Turqinë mbrëmjen e së premtes.

Ora 09:01
FOTOT/ Pamje tragjike, çfarë la pas tërmeti 6.8 rihter në Turqi

Pamje tragjike vijnë nga Elazig në Turqi. Qyteti u godit mbrëmjen e djeshme nga një tërmet i fuqishëm i shkallë 6.8 rihter duke lenë pas shumë viktima.

Përveç viktimave tërmeti ka shkatërruar mbi 100 ndërtesa ndërsa raportohet se mbi 1000 persona janë plagosur. Ndërkohë ekipet e kërkim shpëtimit janë angazhuar në zonat më të prekura nga tërmeti për të gjetur persona të gjallë nën rrënoja.

 

Ora 08:03
Bilanci tragjik/ Shkon në 22 numri i viktimave pas tërmetit në Turqi! AFAD: Mbi 1000 të plagosur

Është rënduar bilanci tragjik i viktimave pas tërmti të rënë mbrëmë në Elazig. Në një deklaratë për mediat Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave AFAD njoftoi se deri më tani janë 22 persona të vdekur ndërsa ka mbi 1mijë të plagosur.

Ministri i Brendshëm turk Süleyman Soylu pohoi se raportohet për 100 ndërtesa të shkatërruara në Elazig.

Pas tërmetit, i cili ndodhi në thellësinë 6,75 kilometra nga sipërfaqja e tokës, u raportuan dhe dhjetra paslëkundje me madhësi që variojnë midis 2.7 dhe 5.4.

Ora 01:56
Shkon në 18 numri i viktimave, rreth 600 persona të plagosur

Të paktën 18 persona u vranë dhe më shumë se 600 të tjerë mbetën të të plagosur pasi një tërmet i fuqishëm  me magnitudë 6.8 dhe thellësi 6.7 km goditi në provincën lindore turke të Elazig.

Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) tha se 13 humbën jetën nën rrënoja në provincën Elazig, 4 në Malatya dhe një në Dijarbakir, në juglindje të Turqisë.

Sipas të dhënave të raportuara nga mediat turke, nga 651 persona të plagosur deri tani; 403 janë në Elazig, 148 në Malatya, 13 në Dijarbakir, 11 në Adiyaman, 6 në Batman, 37 në Kahramanmaras, 33 në Sanliurfa.

Më herët, Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu u shpreh se 553 persona të plagosur u transferuan në spitale, ndërsa shton se janë hapur strehime për t’iu ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti.

Më herët,  Ministri i Mjedisit dhe Urbanizimit Murat Kurumi u bëri thirrje banorëve  të mos hyjnë në ndërtesa të dëmtuara. AFAD tha se 118 tërmete, me përmasa nga 2.7 në 5.4, u ndjenë pas tërmetit të fuqishëm. Ndërkaq, qindra tenda, shtretër dhe mijëra batanije u dërguan në qytete.

Gjysmëhëna e Kuqe turke njoftoi se ishte vendosur një tavolinë krize në Ankara, dhe ekipet e shpëtimit u dërguan në zonat e goditura nga tërmeti. Po ashtu, janë dërguar kuzhina të lëvizshme, të cilat shërbejnë deri në 5,000 njerëz.

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar tha se ushtria ishte e gatshme të vepronte nëse do të ishte e nevojshme. Ndërsa, kreu i parlamentit turk Mustafa Sentop tha: "Shpresa jonë më e madhe është që numri i të vdekurve të mos rritet".

Presidenti i Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC) Mustafa Akinci dhe Kryeministri Ersin Tatar ofruan ngushëllime për Turqit. Ndërkohë, ngushëllimet ndaj homologut të tij turk Mevlut Cavusoglu i ka shprehur Ministri i Jashtëm Grek, Nikos Dendias, I cili po ashtu shprehu gatishmërinë e  Athinës për të ndihmuar në këtë moment të vështirë.

Referuar katastrofës natyrore e cila u ka marrë jetën dhjetra personave dhe ka lënë të plagosur qindar të tjerë, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Ndërsa shpreh mbështetjen ndaj popullit turk, lutjet e kryeministrit shkojnë me autoritetet e vendit dhe Presidentin Erdogan, për përballimin e kësaj tragjedie.

Ky nuk është tërmeti i parë që godet Turqinë, pasi një tjetër tërmet i fuqishëm me magnitudë  6.0 goditi provincën Elazig në 2010 duke lënë pas 51 viktima.

Ora 22:40
Tërmeti tragjik, Erdogan: Uroj mëshirë nga Zoti për vëllezërit që humbën jetën, jemi në gatishmëri të plotë

1579902041_erdogan.jpg
Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan ka uruar mëshirë nga Zoti për viktimat e tërmetit tragjik që tronditi Turqinë lindore mbrëmjen e sotme.

"Si President, dua t'ju bëj me dije se po e ndjekim situatën nga afër. Ne qëndrojmë pranë kombit tonë me të gjitha institucionet dhe organizatat tona, veçanërisht AFAD dhe Kızılay. Uroj mëshirë nga Zoti për vëllezërit tanë që humbën jetën në tërmet dhe uroj shërim të menjëhershëm për ata që u plagosën."

Ora 22:29
VIDEO/Si lëkunden nga tërmeti të ftuarit LIVE në TV turk

Një tërmet me magnitudë 6.8 ballë ka tronditur pjesën lindore të Turqisë duke shkaktuar deri tani 6 viktima dhe 80 të plagosur.

Në rrjetet sociale qarkullojnë edhe video, ku shihet sesi lëkundjet ndihen LIVE në televizionet lokale. Prezantuesit “lëkunden” nga tërmeti, i cili zgjat për disa sekonda.

Ora 22:21
15 jetë të humbura nga tërmeti në Turqi!

1579901079_termetiturqi11111.jpeg
Të paktën 15 persona kanë humbur jetën, nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë Lindore mbrëmjen e kësaj të premteje. Sipas Haberler.com numri i viktimave pritet të rritet pasi dyshohet se ka shumë trupa nën rrënoja. E njëjta media bën të ditur se 8 persona humbën jetën në Elazig, 6 në Malatya dhe 1 në Dijarbakir.

Ora 21:45
Greqia solidarizohet me Turqinë pas tërmetit, Dendias: Të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë

1572382352_NikosDendias.jpg
Greqia ka ofruar gatishmërinë e saj për të ndihmuar Turqinë në këtë tragjedi që u shkaktoi tërmeti i rënë sonte në mbrëmje, ku si pasojë humbën jetën të paktën 6 persona.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias me anë të një reagimi të bërë publik në mediat sociale bën të ditur se ka telefonuar homologun e tij turk Cavusoglu duke i shprehur solidaritetin e Greqisë për pasojat nga tërmeti.

"Kam kontaktuar Ministrin e Jashtëm turk me telefon Mevlut Cavusoglu, në të cilën shpreha solidaritetin dhe mbështetjen e Greqisë ndaj popullit turk dhe qeverisë turke që u preken nga tërmeti i fuqishëm.Unë gjithashtu shpreha gatishmërinë absolute të vendit tonë për të mbështetur menjëherë përpjekjet e autoriteteve turke për të ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme për ata që janë preku.  Kam kontaktuar Ministrin e Mbrojtjes së Qytetarëve për të njëjtën arsye Michalis Chrisochoidis me të cilën kam rregulluar që EMAK grupet e kërkim shpëtimit të jetë i gatshëm të transferohet në Turqi, nëse është e nevojshme. Për të njëjtën arsye jam edhe në komunikim të vazhdueshëm me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis të cilin unë r informoj për zhvillimet përkatëse në Turqi. " shkruan Nikos Dendias.

Ora 21:20
Rëndohet bilanci, shkon në 6 numri i viktimave nga tërmeti në Turqi

1579897667_6vik.jpg
Është rënduar bilanci i viktimave në Turqi pas tërmetit 6.8 rihter. Sipas mediave vendase numri i viktimave deri më tani është 6, ndërkohe që pritet që ky numër të rëndohet akoma më shumë për shkak të ndërtesave të shembura që ende nuk janë kontrolluar.

Ora 21:09
Tërmeti, zyra e Presidentit Rexhep Taip Erdogan: Po ndjekim situatën nga afër, Zoti qoftë me kombin tonë

1579897204_kalin.jpg
Zëdhënësi i Presidencës İbrahim Kalın, njoftoi se pas tërmetit me madhësi 6.8 ballë në Elazig, të gjitha institucionet ishin mobilizuar për të dhënë ndihmë. Ndëkrohë zyra e Presidentit Rexhep Taip Erdogan ka reaguar menjëherë në lidhje me këtë tërmet. Në reagim thuhet se situata po ndiqet nga afër.

 “Po ndjekim situatën nga afër. Siguria e qytetarëve tanë është prioritet. Zoti qoftë me kombin tonë”, thuhet nga presidenca e Turqisë.

Më tej, në reagim thuhet: “Jemi të gjithë në terren dhe po kujdesemi për të lënduarit nga tërmeti. Ka 4-5 ndërtesa të rrënuara në qendrën e Sivrice. 4 nga qytetarët tanë vdiqën. Ka dhjetëra të plagosur. Përsëri, u raportua se 10 ndërtesa janë dëmtuar në qendër të Elazig.  Nuk ka humbje jete ne qendër te Elazig. Ekzistojnë gjithashtu vlerësime se disa ndërtesa janë dëmtuar në Malatya. Ky është informacioni që mund të sigurojmë deri më tani. Mbi 5 tërmete të mëpasshme u ndjenë në rrethet fqinje”, thuhet në reagim.

Ora 21:06
Shkon në 5 numri i viktimave nga tërmeti në Turqi, të paktën 84 persona kanë mbetur të plagosur

1579896571_termet1.jpg
Ka shkuar në 5 numri i viktimave që janë nxjerrë nga rrënojat në Turqi. Tërmeti i fuqishëm i rënë këtë mbrëmje në Elzaig ka rrënuar dhjetra objekte ndërsa deri më tani janë të paktën 84 persona të plagosur.

Ora 21:05
Pas tërmetit në Turqi, ndërtesat nisin të ‘shpërthejnë’ në flakë

Pamje të trishta vijnë nga qyteti i Elazig në Turqi. Sikur të mos mjaftonte tërmeti, disa godina kanë shpërthyer në flakë. Sipas mediave turke, godinat kanë marrë flakë si pasojë e rrjedhjeve të gazit dhe shkëndijave elektrike pas dëmtimeve të shumta nga lëkundjet.

Siç shihet dhe në videon në fjalë një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një pallat në këtë qytet. Ndërkohë sipas njoftimeve zyrtare nga autoritete turke bëhet e ditur se forcat e kërkim-shpëtimit ndodhen në terren dhe po punojnë për shpëtimin e njerëzve. Deri më tani raportohet për 84 persona të plagosur.

Ora 20:24
Ministri i Brendshëm turk: Të paktën 4 persona vdiqën, 5 ndërtesa janë rrënuar

1579893890_ru1.jpg
Süleyman Soylu, Ministri i Brendshëm turk, ka konfirmuar se të paktën 4 persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi Turqinë mbrëmjen e sotme, ku dy persona kanë ndërruar jetë në Elazig dhe 2 të tjerë në Malatya deri më tani.

" Ka 4-5 ndërtesa të rrënuara në qendrën e Sivrices. Deri tani të paktën 4 persona kanë humbur jetën", tha Ministri Soylu.

Ora 20:04
Ministri i Brendshëm turk: 5 ndërtesa të rrënuara, mbi 10 të dëmtuara

1579892714_tr.jpg
Süleyman Soylu, Ministri i Brendshëm turk, në një dalje për mediat pas tërmetit të fuqishëm që goditi qytetin e Elazigm, është shprehur se 4-5 ndërtesa janë rrënuar nga lëkundja.

"Të gjithë miqtë tanë janë në krye të detyrave të tyre. Ka 4-5 ndërtesa të rrënuara në qendrën e Sivrices, asnjë humbje jete nuk na është komunikuar", tha Ministri Soylu.

"Ne kemi kontakte me të gjithë grupet në terren. Ka 2 të plagosur deri më tani. Ndërkohë 10 ndërtesa janë dëmtuar në qendër të Elazig. Po e mira është se nuk ka humbje jete. Ekzistojnë gjithashtu vlerësime se disa ndërtesa janë dëmtuar në Malatya . Deri më tani nuk ka asnjë paralajmërim për vdekjen. Ne e dimë që ka një tronditje të rëndë në qendër të Sivrice dhe kemi dërguar ekipet tona në rajonin atje. Ky është informacioni që mund të sigurojmë deri më tani. Mbi 5 tërmete të tjera ndodhën edhe në rrethet përreth." tha më pas Soylu.

Ora 20:01
Pasojat që la tërmeti në Turqi (FOTO)
/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • F-35: 26/01/2020 09:34

    Solidaritet me popullin turk. Ky vend me njerez te jashtezakonshem do t'a perballoje kete dhimbje dhe kaperceje kete situate. Ngushellime per viktimat e sherim te shpejte te plagosurve!

    Përgjigju
  • Erik: 24/01/2020 23:41

    Ngushellime popullit turk, uroj sa me pak viktima!

    Përgjigju
  • Dordomusi: 24/01/2020 23:08

    Zoti i ndihmofte

    Përgjigju
  • Une: 24/01/2020 22:57

    Zoti ndihmoftë Turqinë. Ngushëllime. Uroj sa më pak jetë të humbura!

    Përgjigju
  • Shqipo: 24/01/2020 22:00

    Zoti qofte me ju

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase