Një ushtri që po dezerton pa
nisur beteja /Nga Mero Baze

Një ushtri që po dezerton pa<br />nisur beteja /Nga Mero Baze
Partia Demokratike ka futur fushatën e saj elektorale në kaos, pasi janë shtuar njoftimet për tërheqje nga listat të disa kandidatëve, përfshi dhe kryetar degësh, ndërsa janë ç’mobilizuar nga fushata, dhjetëra degë lokale që nuk shikojnë në lista ata që prisnin.

Një ish deputete e Qarkut të Elbasanit, u ka bërë thirrje kryetarëve të degëve të rikthehen në punë, pavarësisht asaj që ka ndodhur me listat, çfarë tregon se PD ka lëshuar fushën e betejës. Lajme të tilla vijnë edhe nga Shkodra, Lezha, Berati, Korça etj.

Kjo është situata më e pazakontë që një parti e madhe ka pasur në fillim të fushatës, dhe Lulzim Basha mund të hyjë në histori, si i vetmi komandant që i dezerton ushtria qysh në momentin që e thërret për luftë.

Paralel me këtë fushatë kaotike, listat e Partisë Demokratike kanë mbetur ende si varr i hapur në KQZ. Ato janë ende të papranueshme administrativisht, të paplotësuara, të parenditura dhe të paverifikuara, sa i përket të shkuarës kriminale të deputetëve. Kjo është një minus më shumë, pasi rrit pritshmërinë që gjërat do të ndryshojnë dhe e shtyn debatin edhe disa ditë më shumë.

Mosplotësimi i listave në kohë reflekton pasiguritë e Lulzim Bashës, mungesën e përgatitjes së tij për zgjedhje, por mbi të gjithë dhe mungesën e aftësisë së tij për të qenë i gatshëm të përballet me një afat normal.

Kjo bëhet dhe më qesharake, po të mendosh se dy javë më parë, vetë PD po padiste KQZ për regjistrim të vonuar të partive që u regjistruan brenda afatit në zgjedhje.

E gjithë kjo situatë, duket se e bën të pashpresë ende pa filluar, betejën e Partisë Demokratike.

Por Lulzim Basha është i qetë. Ai në një farë mënyre i ka detyruar të gjithë aktorët politikë në lojë, t’ia njohin humbjen e zgjedhjeve, si një mëkat që do t’i falet këtë radhë.

Beteja e tij tre mujore në çadër, dhe marrëveshja me Edi Ramën, detyruan të gjitha palët të marrin frymë të lehtësuara dhe t’i japin atij “leje” t’i humbasë këto zgjedhje, boll që të hyjë. Kështu kritikët më të mëdhenj të bojkotit të tij që ishin dhe kundërshtarët e tij brenda partisë, ishin gati t’ia falnin humbjen, për shkak të hyrjes me vonesë dhe betejës së stërgjatur, mjafton që arriti një Marrëveshje.

Berisha dhe grupi i tij që qëndronin pas çdo lëvizjeje të tij, po ashtu ishin gati t’i falnin humbjen, pasi në fund të fundit, i futi në zgjedhje dhe i bëri pjesë të Vetting-ut.

Ndërkombëtarët janë gati ta konsiderojnë kryetar të PD, pasi më në fund ai bëri atë që ata kishin muaj që i thoshin ta bënte.

Edi Rama e pranoi si kundërshtar, pasi u ul dhe bëri marrëveshje personale me të.

Pas gjithë këtij “konseusi” për t’ia pranuar humbjen si sukses, Lulzim Basha ka pasur në mendje suksesin e tij personal, makthin që ka me PD që nuk është e tij. Dhe bëri pikërisht këtë. Pasi ra dakord me gjithë palët që këto zgjedhje nuk fitohen, ai u ul dhe bëri një listë të tij, ku ka bërë pastrim ‘sanitar’ të çdo kundërshtari, të çdo individi që mendon se nuk e ka nën kontroll dhe të çdo qelize të partisë që më 2013 kishte qenë pro Sokol Olldashit. Praktikisht Lulzim Basha ka zhdukur me rrënjë çdo gjë nga PD tradicionale, dhe ka bërë një ekip privat me biznesmenë parapagues dhe figura të dorës së dytë që i ka nën kontroll. Kjo është PD e tij. Nuk ka lidhje as me PD e Berishës, as me PD tradicionale, as me fraksionin “Olldashi” brenda saj. Është një grup i ri, që ka vulën dhe letrat e partisë së vjetër.

Dezertimi masiv para betejës do të shoqërohet me abstenim masiv gjatë fushatës dhe mungesa votash më 25 Qershor, por ky nuk ëshë më problem për Lulzim Bashën. Të gjithë duhet të kuptojnë, se nuk bëhet fjalë për partinë që ata kanë ndërmend, por për diçka tjetër, që nuk ka lidhje me ta, dhe që është bërë jashtë rregullave dhe statutit të PD, i cili parashikon qartë që listat do të kalojnë në kryesi dhe do miratohen në Këshillin Kombëtar.

Këta që po ikin nga PD dhe po dezertojnë nga fushata, nuk e shqetësojnë Lulzim Bashën. Atij i duhet një parti e vogël por e re, për vete dhe është duke e bërë. Të gjithë ata që prisnin se, Basha do përballej një ditë me Berishën dhe PD e vjetër, ai ua hoqi këtë shans, pasi nuk i ka më nëpër këmbë.

Këtë donte të arrinte fillimisht, duke lënë PD jashtë zgjedhjeve dhe duke ua ndërperë mandatin. Meqë ajo rrugë dështoi, zgjodhi të dytën, duke hyrë në zgjedhje pa ata. Fushata do të provojë nëse vlejnë më shumë ata që ikën apo ata që erdhën. Nëse ata që ikën, natyrisht do kenë kurajo të bëjnë betejë.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

FBI-ja zotohet se do të lëvizë çdo gur në rastin e sulmit ndaj Trumpit

FBI-ja zotohet se do të lëvizë çdo gur në rastin e sulmit ndaj Trumpit