Njerëzit e Zotit në
bunkerin e Enverit

Njerëzit e Zotit në<br />bunkerin e Enverit
TIRANE- Bashkëjetesa fetare, një nga asetet më të çmuara të Shqipërisë është një element që duhet të shërbejë si model për t'u ndjekur për vendet e botës ku zhvillohen luftra në emër të fesë. Këtë mesazh kanë përcjellë njëzëri krerët e institucioneve fetare të vendit tonë në aktivitetin e zhvilluar në BUNK’ART për të përkujtuar klerikët e martirizuar në kohën e diktaturës komuniste. Mjaft domethënës është fakti që krerët e besimeve fetare janë bashkuar në një panel në vendin e ndërtuar nga Enver Hoxha.

Kështu në një nga ndërtesat symbol të periudhës së diktatorit që u përpoq të asgjesojë çdo besim fetar në vend u mblodhën dje klerikët e lartë të Shqipërisë. Në ambientet e BUNK’ART një hapësirë e veçantë iu kushtua ekspozitës me titull “Diktatura që nuk e vrau dot shpirtin” me foto e dëshmi të persekutimit që regjimi komunist i bëri besimit fetar, të sjella këto nën kujdesin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT) dhe Komitetit Shtetëror të Kulteve.

Veliaj: Njerëzit e Zotit në bunkerin e Enverit i dhanë goditjen e fundit komunizmit 
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj i pranishëm në këtë aktivitet, e vlerësoi si kartolinën më të bukur prezencën e të gjithë krerëve të besimeve fetare në vend të ulur në një panel e ku në sfondin e tyre në një video-projektor shfaqej ish-diktatori Enver Hoxha dhe rastet e dënimeve dhe persekutimeve të klerëve. “Kanë prodhuar sot kartolinën më të bukur që Shqipëria mund të kishte menduar ndonjëherë në këtë bunkerë dhe jashtë tij. Unë jam fëmijë oficerësh, prindërit e mi kanë qenë ushtarakë gjatë asaj kohe.

Të tjerë si unë, e dinë fare mirë që çmimin më të madh e kanë paguar fëmijët e ushtarakëve se angazhoheshin në një luftë imagjinare dhe kishin më pak kohë për fëmijët. Sot jemi për të folur për atë bunkerin që secili e ka, e zemra e tij ndonjëherë mbyllet për ndjenja të reja. Fakti që jemi të ndryshëm na bën të jemi të veçantë. Me këtë kartolinë treguan një Shqipëri që nuk ka vetëm bekimet e Zotit, po ka edhe një pasuri të thellë njerëzore që u dëshmua gjatë vizitës së Papës, përurimit të Katedrales së Re etj. Regjimi komunist ka marrë goditjen e fundit, njerëzit e Zotit janë sot këtu falë një qeverie që çliron bunkerë për hapësirë publike, por çliron edhe bunkerin në mentalitet”, tha Veliaj.

Bruçaj: S’e hoqën dot besimin nga zemra
Këtë mesazh ka përcuar edhe kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, i cili nuk la pa evidentuar faktin e pranisë së të rinjve në këtë ekspozitë muzeale në BUNK’ART. “Më pëlqen ta nis me paqe dhe ndihem shumë mirë kur audienca është përfshirë nga të rinj. Nga eksperienca e parë me këtë ndërtesë më erdhën në mend ata persona që kanë kontribuar në ndërtimin e tij, nëse do e kishin menduar se do të vinte një ditë që në këtë ambient të flitej për lirinë fetare. Historia bën të vetën, populli shqiptar ka përjetuar histori të dhimbshme. Është e lehtë të mohosh besimin me ligje, por besimi në Zot nuk hiqet dot nga zemrat e njerëzve. Respekti ndaj tjetrit që beson dhe mendon ndryshe është esenciale, edhe Zoti vlerëson atë që di të respektojë personin që ka përballë pa marrë parasysh diferencat etnike, politike e fetare”, tha Bruçaj.

Peshkop Andoni: E zhdukën besimin për propagandën
Për Peshkon Andonin nga Kisha Ortodokse, regjimi komunist e zhduku fenë për faktin e vetëm se besimi në Zot e drejtësi binte ndesh me propagandën totalisht të kundërt të atij regjimit: urrejtja ndaj njëri-tjetrit. “Është interesant fakti se si i vetmi vend në botë, Shqipëria, jo vetëm u instalua një diktaturë e egër, por i vetmi vend që me krenari shpalli që nuk besonte në Zot, pra një shtet ateist. Lufta ndaj tyre arriti deri në skaje, pa kompromis, këto regjime diktatoriale shikonin se besimi te Zoti, e drejta për drejtësi ishin parime që binin ndesh me propagandën e egër komuniste që kultivonte urrejtjen për njëri-tjetrin”, theksoi pastor Andoni.

Imzot Frendo: Besimi përmirëson marrëdhëniet
Imzot George Frendo, ipeshkv ne katedralen e “Shën Palit” e sheh besimin në Zot si mundësinë më të mirë për të përmirësuar marrëdhëniet jo vetëm me veten, por mbi të gjitha edhe me tjetrin. “Një sociologe e besimeve thotë se nuk është e vërtetë që njeriu i sotëm ka humbur fenë. Në besim gjejmë shpresë për jetën tonë, gjejmë thelbin për jetën. Njeriu fetar ka qenë gjithmonë i bindur se marrëdhëniet e tij me Zotin përmirësojnë marrëdhëniet e tij me të tjerët. Citime nga Bibla: Mos e shtyp të huajin sepse edhe ju keni qenë të huaj në dheun e Egjiptit. Shpaguani të keqen me diçka më të mirë, dhe dikush që është larg nga ju se është armik do të bëhet mik i vërtetë”, u shpreh imzot Frendo.

Pastor Alikurti: Ktheni sytë nga Zoti
President i Vëllazërisë ungjillore të Shqipërisë Pastor Alikurti, tha se i vetmi model integrimi që një popull i skllavëruar nga një regjim i egër, është vetëm besimi. Ai iu drejtua të rinjve me apelin për t’i kthyer sytë nga Perëndia. “Unë i përkas një brezi të pas viteve ‘44 që e kam parë me sytë e mi dhe e kam prekur persekutimin komunist edhe mbi klerin. Dhe bëj një pyetje: Ku janë sot persekutorët, ku janë sot ata që ideuan persekutimin e klerit të besimit dhe të popullit, ku janë sot figurat e besimit, ata që shkrinë jetën e tyre për kombin e besimin e tyre. Nuk ka një fuqi të shkulë këtë mbretëri nga zemrat e njerëzve. T’i jemi mirënjohës perëndisë, për harmoninë që kemi në mesin tonë dhe së bashku në këtë mënyrë mund t’i shërbejmë kombit tonë”, tha pastori.

peshkopet


















Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Këmbimi i të burgosurve, faktet kryesore rreth marrëveshjes historike SHBA-Rusi

Këmbimi i të burgosurve, faktet kryesore rreth marrëveshjes historike SHBA-Rusi