Po qe se pëlqen apo të detyrojnë që informacionin për atë që ka ndodhur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, ta marrësh vetëm nga një krah, atëherë një pamje të qartë e të plotë nuk e ke kurrë në duar. Duhet të lexosh një libër të botuar së fundmi, para disa muajsh, për ta vlerësuar parimin e mësipërm si një ligj të domosdoshëm për çdo shoqëri dhe historishkrim të drejtë.
Libri titullohet “Lufta e çetave në Shqipëri” ose në origjinal “Ushtari këmbësor. Malet karstike dhe shqiptarët. Lufta e bandave (çetave) në Shqipëri”. Autor është Hermann Frank, major i Wermachtit gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili u gjend këtë kohë edhe në viset tona.
Përkthyes i këtij libri befasues është Gaqi Karakashi, njohës i sprovuar i gjuhëve gjermanike dhe çdo ditë e më shumë mjaft kontribues në njohjen sa më të mirë të gjendjes së pushtimit nazist (shtator 1943-nëntor 1944) dhe qëndresën e shqiptarëve kundër tij. Gaqi është njëkohësisht edhe nip i një partizani dëshmor të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, emrin e të cilit ka ringjallur: Gaqi Karakashi.
Botues i “Lufta e çetave në Shqipëri” është Rexhep Shahu. Në tre-katër faqe për lexuesin, në mbyllje të librit, ai shkruan mes të tjerash “...si ka dalë mirë drita, tri gra të hijshme dhe disa gjermanë, na fëmijët e të rinjtë nuk e dinim kush janë gjermanë a partizanë se s’kishim parë kurrë, tregonte baba, kanë ardhë nga Hani i Laçit, nëpër Polina, te Vorrzet e Shaheve e Ademve, janë ndarë tek kroi i Shaheve dhe kanë ecë përpjetë për Amlen.
Në fund të Arës së Rustës, sa kalon Furzën, djathtas, kanë vrarë me pistoletë një gjerman të plagosun se nuk mundi me ecë, tregonte babai im, xhaxhai e plot të tjerë që i kishin parë me sytë e tyre dhe i kishin shoqërue robërit apo pengjet gjermane...
Baba tregonte se pas tre ditëve, jo ma shpejt, ka shkue mileti te Hani i Laçit për me gjetë llamarina për koftora prej makinave të djegme apo gomerdare makinash prej llastike”.
Më poshtë botuesi Rexhep Shahu, i cili është edhe publicist, shkruan se 16 shtator 1944 pranë fshatit të tij, në një vend poshtë Kroit të Kusarëve, partizanë të Brigadës së Pestë sulmuan nga prita “gjermanë të sëmurë që po iknin në Gjermani”.
Shahu njëkohësisht vë në dukje se dhjetë ditë më parë nga ky çast tek Hani i Laçit qenë partizanë vendas ata që sulmuan nga një pritë një autokolonë me në mes një autobus, ku kishte gra gjermane.
Këto dy beteja, për herë të parë të zbuluara në të vërtetën e tyre tronditëse, i përshkruan në librin e porsapublikuar edhe majori Hermann Frank, ndërsa kemi dëshminë e bashkëkombësit Fejzi Domni, me profesion mjek e njëkohësisht pasion studimin e historisë kombëtare. Ai është mbi nëntëdhjetëvjeçar dhe jeton në Nju Jork.
Mes heshtjes së është mbajtur mbi këto dy ngjarje jo vetëm para nëntëdhjetës, por në rutinë e sipër edhe më pas, një gërshetim i këtyre burime informativë do të na ndihmojë, megjithë ndonjë mospërputhje hollësish mes tyre, të hedhim dritë mbi këtë pamje të errët të luftës partizane, çfarë gjithsesi nuk e njollos shkëlqimin e saj në betejë trimërore me pushtuesit dhe në krahë të aleatëve antifashistë anglo-sovjeto-amerikanë. Madje libri i Hermann Frank provon se në Shqipëri Lëvizja Nacionalçlirimtare ua ka bërë ferr jetën nazigjermanëve.
Mbi masakrën e tri autobuzave “Mercedes” të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar
Fejzi Domni thotë se ka qenë i pranishëm në Tiranë, kur tri autobusë të markës gjermane “Mercedes”, shumë të bukur, “të cilët transportojshin në Gjermani prej Greqisë trupa të ushtrisë gjermane të sëmurë nga malarja”. Sipas tij pas xhamave të autobuzave “fytyrat e zbehta të tyre dukeshin kjartë, sepse edhe qëllimisht ishin vënë tek dritaret të shifeshin se janë të sëmurë”.
Më tej përshkruan: “Te këto tri autobuza ishin të shërbyem përbrenda me Motra (Nurse) të Spitalit të veshun me krejt veshje të bardha me Kryqin e Kuq ndër krahët dhe në kapelat e tyne”.
Fejzi Domni vijon: “Unë i kam pa me sytë e mia në rrugën 28 Nandor në Tiranë dhe i gjithë populli i asaj rruge po i shikonte këto tre autobuza të bukura të Shëndetësisë Gjermane”.
Rrëfen mjeku dhe studiuesi Domni: “Ata vazhduan udhën e tyne për t’u këthy në Gjermani. Bashkë me Motrat e tjera gjermane, mveshun me uniformën e Kryqit të Kuq, ishte edhe gruaja e Konsullit Gjerman, zonja Shliep, e cila njiherit bante shërbimin bashkë me Motrat e tjera të Kryqit të Kuq Gjerman”.
Më tej rrëfimi i mbi nëntëdhjetëvjeçarit ka këto fjalë: “Siç na u tregu, kur këto autobuza arrijtë te Kufini i Vjetër mes Shqipnisë e Jugosllavisë rruga ishte shumë e ngushtë dhe autobuzat ecnin më me ngadalë dhe jo shumë larg udhës rrjedhonte nji soj lumi i shtjerrët. Fatkeqësisht atje, në atë vend, paska ndodhë edhe nji çetë partizane komuniste, e cila u hidhet këtyne tri autobuzave të mirëdallueme me Kryqin e Kuq dhe fillon vrasjen e të sëmundëvet dhe të Motrave të Kryqit të Kuq Gjerman. Disa prej tyne i marrin me vete si robnesha.
Posa i arrijti ky tregim i kobshim, e shkalloi Komandën Gjermane dhe si përgjegje të këtij krimi që linte me kuptua mosrespektimin e Ligjit Ndërkombëtar të Gjenevës, ushtria gjermane menjiherë shkon tek burgu i Tiranës dhe merr 3000 komunista të rinj me kamionat e ushtrisë dhe i dërgon në Kosovë.
Nga ana tjetër rrethon nji palë katunde shqiptare dhe u nep ultimatum që komunistat të dorëzojnë nursat gjermane, përndryshe ushtria gjermane do t’i vriste të gjithë ato katunde rreth e përqark dhe do t’i vinte flakën shtëpijave të tyne. Katundarët, për t’i shpëtue këtij lloj rrethimi, morën inisiativën dhe e kërcënuan çetën komuniste me vrasjen e mbarë çetës me komandantin e tyne. Menjiherë komunistat i dorëzuan nursat gjermane...Tashti gjermanët u morën me fatin e 3000 komunistave të rinj në nji kamp koncentrimi. Thuhet se gjermanët pushkatuan shumë të rinj djelm, mes të cilëve edhe dy shokët e mi Niko dhe Majkë Kuqalin, ndërsa i ati i tyne pas lufte thanë se vari veten në burgun e Tiranës. Kolë Kuqali ishte asi kohet Sekretari i Parë i Konsullatës Amerikane”.
Informacioni i Fejzi Domnit për ngjarjen e mësipërme përfundon këtu, duke qenë vetëm njëra pjesë e saj. Segmentin tjetër e rrëfen majori Hermann Frank në librin e tij “Lufta e çetave në Shqipëri”. Ai shënon: “Përsëri banditët e Mehmet Shehut, përsëri aksion kundër një transporti të plagosurish dhe pushuesish në “rrugën e vdekjes”, midis Kukësit dhe Prizrenit, territori i fshatit Bardhoc të Lumës, jo larg vendit të quajtur Hani i Laçit, vendi i quajtur Uki i Verrë”.
Frank sqaron, për aq sa atë kohë dinte, se të plagosurit dhe të sëmurët jo nga spitalet greke, por prej atyre shqiptare, duhej të çoheshin në Gjermani dhe se partizanët (të cilët sipas Rexhep Shahut qenë të batalioneve vendase “Perlat Rexhepi” dhe “Kosova”), kishin zënë pritë dhjetë metra mbi anën e rrugës. Ata bënë një masakër të vërtetë, shkruan Hermann Frank. “Ata pak pushues, midis tyre disa oficerë, rrëfen ai, vriten dhe përgjaken para se të rrokin armët. Suksesi i banditëve është i përkryer”.
Pastaj ai thotë se pas kësaj fshatarët u arratisën nga frika e hakmarrjes së gjermanëve, por këta u thanë banorëve të riktheheshin se asgjë nuk do t’u ndodhte. Pastaj, sipas Herman Frank, kryen operacion të veçuar ndaj partizanëve duke e asgjësuar grupin e pritës pothuaj plotësisht.
Kjo ngjarje ndodhi në 16 shtator 1944, ndërsa fare pak kohë më parë në Krujë pati lënë viktima gjermanësh të sëmurë nga mushkritë dhe malarja një aksion tjetër partizan. Sipas Frank masakra ngjau në sanatoriumin e Krujës, qytet ku kishte vendndodhjen regjimenti i këmbësorisë 523. Ushtarakët e sëmurë vizitoheshin çdo ditë nga shokët e tyre ardhur edhe prej qyteteve të tjera dhe nuk e kuptuan që në një rast nën uniformat gjermane ishin maskuar “disa banditë të veshur si të tillë”, të cilët “papritur turren mbi të sëmurët dhe i vrasin”.
4 shtator 1944, vrasja e femrave gjermane
Është muaji i Ramazanit. Herman Frank te “Lufta e çetave në Shqipëri” shkruan se këtë kohë, pra në ditët e para të shtatorit 1944 “Oficeri G3 i korparmatës njofton se “një transport i rëndësishëm nga Tirana do të lërë Shkodrën rreth drekës në drejtimin Kukës-Prizren”. Sipas një urdhri të dhënë nga komanda e përgjithshme grupi luftarak i majorit Fraj, i vendosur afër këtij territori verilindor, në Kukës, duhej kësaj autokolone t’i siguronte rrugën e largimit dhe të pengonte sulmet e çetave partizane. Oficeri G3 theksoi në radiokomunikim se “Transporti duhet të mbërrijë patjetër “i pa rrjepur” në destinacion, me që në të u ndodhkan gra të cilat duhen nxjerrë jashtë Shqipërisë”.
Sipas Hermann Frank, Fraj i vuri në dukje pamundësinë, por megjithatë mori të gjitha masat, por “dita kalon dhe transporti nuk vjen. Kur bëhet natë Fraj pyet me telefon për vendndodhjen e tij dhe merr vesh se transporti e paska lënë Tiranën me vonesë. Kolona e transportit u përbëka nga dyzetë automjete të një kompanie transporti të stacionuar në Prizren dhe nga një autobus, në të cilin u ndodhkan gratë”. Herman Frank rrëfen se majori Fraj u përpoq ta ndalonte autokolonën në Shkodër dhe prej andej ajo duhej ta merrte udhën drejt Kukësit vetëm kur të zbardhte dita. Por ajo qe nisur nëpër natë. Atëherë porositi të ndalohej në Pukë dhe ikje prej andej vetëm kur të agonte. Nuk mori dot përgjigje, sepse linjat telefonike herë pas here prisheshin.
Ndërkohë ndaj të gdhirë u dëgjuan krisma. Te shtëpitë e fundit të Kukësit erdhi një motoçiklist dhe i raportoi Frajit “Zoti major ne jemi sulmuar befasisht. Kemi shumë të vrarë. Akoma më shumë të plagosur”. Atje ku midis Drinit të Bardhë dhe rrugës ka një rrip të ngushtë me bar të thatë dhe shpatet thikë të malit janë të veshura me shkurre të dendura rreth dy metra të larta ishin sulmuar automjetet e transportit. Shumica vazhdonin të digjeshin. Të gjithë automjetet kishin marrë plumba, xhamat e përparmë ishin bërë copë e thërrime e në sediljet e shoferëve dergjeshin shoferët e vrarë. Shumë goma makinash ishin shpuar nga plumbat, makinat qëndronin tërthor me rrugën. Rreth e qark tyre dergjeshin të vrarë e të plagosur. Të ngjeshur pas rrotave të makinave të mbijetuarit e paktë kërkojnë të mbrohen nga zjarri armik, që vjen ende nga malet në të dy anët e rrugës. Banditët qëllojnë mbi gjithçka që lëviz ende.
Tre gra të vrara, të gjakosura, dergjen me rroba të shqyera në pluhurin disa centimetra të rrugës. Fytyrat e tyre të bëra me tualet në vështrimin e parë duken të gjalla. Pamja i trondit ushtarët...”
Vijon rrëfimin Hermann Frank: “Tre gra të tjera gjermane, që dergjen gjithashtu mbi rrugë, janë plagosur. Gjatë sulmit kanë marrë goditje me plumba, gjithashtu kanë pësuar plagë nga granatat e dorës, që banditët i kishin hedhur mbi autobusin, para se t’i vërsuleshin”.
Herman Frank në përshkrimin sa më të plotë të ngjarjes, rrëfen në librin e tij se “Një grua e plagosur raporton: “Kolona kishte shkuar bashkë me shpurën mbrojtëse deri në Pukë. Aty dy transportuesve të blinduar iu desh të ndalonin se kishin nevojë për t’u riparuar. Prapëseprapë autokolona vazhdoi udhëtimin natën vonë. Kur kishte arritur tek pozicionet e armikut, u hodh në qiell një fishek ndriçues tek kamioni i parë dhe tek i fundit. Në këtë mënyrë filloi breshëria e fuqishme e zjarrit, që pati menjëherë efekt asgjësues. Në autobus ishin nëntë gra gjermane. Tre prej tyre nuk u plagosën dhe u morën me forcë prej partizanëve.
Gruaja e plagosur që ja tregon të gjitha këto Frajit mundi në çastin kur banditët hynë në autobus, të vraponte me frikë dhe tmerr poshtë nga Drini. Ajo donte të notonte në bregun tjetër, por uji në atë vend ishte shumë i rrëmbyeshëm. Kështu u fsheh në kaçubet e bregut.
Këmbësorët që e dëgjojnë tundin kokat: A mund të merrej përsipër t’i lije gratë gjermane të ndiqnin pas burrat e tyre në luftë në Shqipëri? A duhej t’i lejonin të qëndronin këtu deri në shtator 1944, kur prej kohësh në të tërë vendin shtihej mbi gjermanët. Këtë nuk e kuptonin dot këmbësorët”.
Fati i tre gjermaneve që u kapën rob
Historiani i njohur Paskal Milo, i cili mes të tjerash në librat e tij u ka hapur vend edhe rasteve të robërve gjermanë që gjatë Luftës së Dytë Botërore patën pushtuar Shqipërinë, ka shkruar se mes tyre “ka pasur edhe tri gra, dy gjermane, Erna Shubert e Irmgard Tennius, si dhe një me origjinë austriake, Elsa Koch”. Sipas tij, por edhe burimeve të tjera, Elsa Koch kishte qenë sekretare e gjeneralit SS Fitzthum, person që u bë i plotfuqishëm në Shqipëri në fazën e fundit të luftës.
Ndërkohë në median shqiptare janë bërë publike edhe dokumentet e mëposhtëm. Janë raporte të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe datojnë 1 dhjetor 1953.
Në to thuhet: “Erna Shubert, e bija e Vilhelmit dhe e Margaritës, lindur ne Berlin (Gjermani) në 1921 dhe me banim të përhershëm në Berlin, Chartotbenburg Dalmaustrese 23-V-IV (Republika Demokratike Gjermane), ka mbaruar 8 klasë fillore, din me shkrue gjermanisht dhe italisht, ndërsa anglisht dhe shqip, vetëm me folë. Rrjedh nga një shtrese e mesme qytetare me profesion nëpunës stenografe dhe me kombësi dhe shtetësi gjermane. E përmendura qysh në moshën 15 vjeç, ka filluar punë si stenografe në ndërmarrje dhe firma të ndryshme private, ka qenë anëtare e organizatës së Rinisë Hitleriane, (BDM) Bund Dietch Meil.
Më 1942 mobilizohet nga Sindikatat e Berlinit për shfrytëzimin e vajrave dhe të benzinës RANTIVENTAL YLLY GEZOFSHET dhe në qershor të vitit 1944 vjen në Shqipëri në degën e kësaj shoqërie me qendër në Tiranë. Në këtë degë ka punuar 3 muaj dhe në kohën kur gjermanët po largoheshin prej Shqipërie, kjo, me urdhër të gjeneral Fitzum, përfaqësonjës i Hitlerit në Shqipëri, niset për t’u 1arguar, por autokolona ku kjo udhëtonte, u godit nga forcat partizane të Brigadës V. Në shtator 1944 u zu rob, mbas çlirimit u procedua dhe u dënua me 2 vjet burg dhe mbasi mbaroi afatin e dënimit, lirohet nga burgu në shtator të vitit 1946. Më 31 tetor 1946 arrestohet përsëri për arsye se gjatë kohës së qenies së saj e lirë, ka frekuentuar Misionin Amerikan dhe të UNRRA-s, ka mbajtur kontakte me elemente të dyshimtë dhe ka propaganduar kundra pushtetit popullor, ajo u procedua dhe qëndroi e padënuar 26 muaj në burg, deri në janar të vitit 1949, kohë në të cilën për mungese faktesh nuk i kaloi gjyqit, por u internua në kampin e Kamzës, ku ndodhet edhe sot.
Në kampin e internimit nuk ka mbajtur qëndrim të mirë mbas kthesës së Partisë, është pyetur nga ana e organeve të Sigurimit, por nuk ka deponuar se ka qenë agjente e zbulimit gjerman. Në fillim të vitit 1952 i kemi propozuar Komisionit të Dëbimeve dhe Konfiskimeve për lirimin dhe riatdhesimin e të sipërmes dhe më datën 19 maj 1952, komisioni vendosi që kjo të riatdhesohej bashkë me Irmgart Tennius dhe Hary Beneli, por në këtë kohë ky i fundit u implikua në një proces si nëntoger i Policisë së Fshehtë gjermane dhe gjatë kohës së zhvillimit të hetimeve nga organet tona, Hary u arratis dhe nga kjo arsye u pengua lirimi dhe riatdhesim i saj.
Irmgart Tennius, e bija e Frederikut dhe e Emilies, lindur më 30 janar 1918 në Voltersdorf pranë Lukenvalde, rrjedh prej një shtrese të mesme, ka kryer 6 klasë lice dhe di gjuhët; anglisht frëngjisht dhe me fol italisht, me kombësi dhe shtetësi gjermane, familja e saj banon në Berlin, katundi Melenx1, rrugë Kosën nr. 40 (Republike Demokratike Gjermane). E sipërmja ka punuar në Gjermani në firmë private. Në vitin 1942 është mobilizuar nga sindikata për shfrytëzimin e vajgurit në vendet e okupuara dhe në këtë sindikatë ka punuar në Gjermani deri në vitin 1944, ku ka bërë pjesë në organizatën e Rinisë Naziste Gjermane. Në qershor të vitit 1944 është transferuar në Shqipëri dhe ka punuar në degën e shoqërisë për shfrytëzimin e vajgurit në Kuçovë e Tiranë. Më 3 shtator 1944 është larguar me autokolonë gjermane nga Shqipëria për në rrugën Kukës-Prizren, u kap se bashku me shoqen e saj Erne nga forcat e Brigadës V. Me çlirimin e Shqipërisë, dënohet me 2 vjet burg si bashkëpunëtore me gjermanët dhe në shtator të vitit 1946 u lirua mbasi plotësoi afatin e dënimit. Është riarrestuar, liruar dhe internuar në akuzën e së parës, Erna Shubert, gjithashtu edhe përmbi saj nga internimi, por për shkak të arratisjes së Hary Benal përfundoi në kampin e internimit nr.5”.
Si përfundim
Në rreshtat e fundit të fjalëve përmbyllëse të librit “Lufta e çetave në Shqipëri” botuesi i tij Rexhep Shahu shkruan: “Portreti i tre grave gjermane, por veçmas i njërës, që në sytë e njerëzve kishte mbetë shumë e bukur, që e kishin marrë peng te Hani i Laçit, ka marrë mijëra forma në sytë e mi të mendjes.
Vonë mësova se ato tri gra që u morën peng prej partizanëve dhe komunistëve te Hani i Laçit në fshatin tim në natën e 4-5 shtatorit 1944 u kalbën në burgje e në kampe internimi në Shqipëri deri në vitin 1956, kur kanë ikë për në Gjermani”.
“Lufta e çetave në Shqipëri”, përkthyer nga një nip dëshmori partizan, Gaqi Karakashi, është një libër të vërtete, por edhe miqësie shekullore dhe mjaft të qëndrueshe mes nesh dhe gjermanëve. Madje botuesi Shahu në fund të shënimeve të tij përmbyllëse shkruan sazhin se “Sot ka në Gjermani shumë më shumë shqiptarë se sa ka pasur gjermanë në Shqipëri”.
Ylli Polovina
Tiranë, më 27 janar 2016
dy.b/shqiptarja.com