Zorra e irrituar, çrregullimet që shoqërohen me fryrje, gazra, dhimbje abdominale dhe parehati janë ndër problemet më të shpeshta që prekin një numër të madh njerëzish.
Nutricionisti Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, i ftuar në emisionin "Rreze Dielli" në Report TV, shpjegoi shkaqet e fryrjes dhe irritimit të zorrëve, duke u ndalur te dieta FODMAP, e zhvilluar nga një grup studiuesish në Australi, e cila ka rezultuar shumë efikase për shumë individë.
Joka theksoi se është e gabuar të eliminohen në mënyrë të përhershme shumë ushqime që mund të shkaktojnë fryrje, pasi ato janë burim i rëndësishëm vitaminash dhe mineralesh. Sipas tij, dieta FODMAP nuk synon t'i përjashtojë këto ushqime përgjithmonë, por vetëm për një periudhë të caktuar.
"Shumë këshilla i nxisin njerëzit të heqin një numër të madh ushqimesh nga dieta. Kjo e varfëron ushqyerjen, mund të ndikojë negativisht në metabolizëm dhe në sistemin hormonal. Duhet të krijohet një strategji për të identifikuar shkaqet dhe faktorët, si dhe për të kuptuar se cilat ushqime tolerohen dhe cilat jo. Dieta më e studiuar është FODMAP dhe ka rezultuar shumë efikase", u shpreh Joka.
Natyropati shpjegoi se shumë ushqime nuk janë të dëmshme në vetvete. Problemi qëndron te një zorrë që nuk funksionon si duhet dhe nuk arrin të përballojë sasinë e karbohidrateve dhe sheqernave të caktuara. Gjithashtu, rol luan edhe mungesa e disa enzimave që ndihmojnë në tretjen dhe fermentimin e ushqimeve si fasulet, qepët, laktoza, si edhe disa lloje sheqernash dhe yndyrnash.
"Kjo dietë është zhvilluar nga Universiteti Monash në Australi. Studiuesit i ndanë karbohidratet sipas mënyrës se si përpunohen nga enzimat dhe e testuan dietën në grupe të ndryshme të popullsisë. Rezultatet treguan përmirësim te personat që e ndoqën. Megjithatë, kjo dietë nuk duhet të përdoret për periudha të gjata, pasi kufizon ushqime me vlera të rëndësishme ushqyese. Prandaj ajo zbatohet me faza", tha Joka.
Tre fazat e dietës FODMAP
Faza e parë: Kufizimi i përkohshëm i ushqimeve me FODMAP të lartë për rreth një muaj.
Faza e dytë: Rifutja graduale e ushqimeve në sasi të vogla, për të vlerësuar tolerancën individuale.
Faza e tretë: Personalizimi i dietës, bazuar në reagimin dhe nevojat e secilit individ.
Ushqimet me FODMAP të lartë
Në këtë grup përfshihen:
- qepa dhe hudhra;
- lulelakra dhe bizelet;
- mango, kumbullat, nektarinat, hurmat arabe;
- lëngjet e frutave, të freskëta ose të paketuara;
- qumështi, kosi, djathi dhe akullorja;
- drithëra si gruri, thekra dhe makaronat;
- ëmbëlsirat.
Këto ushqime nuk duhen eliminuar përgjithmonë, por kufizohen përkohësisht derisa simptomat të qetësohen dhe më pas rifuten gradualisht, sipas tolerancës së organizmit.
Ushqimet me FODMAP të ulët
Lejohen ushqime si:
- patëllxhani;
- rukola;
- pjesa jeshile e qepës dhe e preshit;
- vajrat e aromatizuar me hudhër;
- ananasi, rrushi, boronicat, banania jo shumë e pjekur, limoni;
- vezët, peshku, mishi i qengjit dhe frutat e detit;
- quinoa, polenta, patatja e kuqe, tërshëra, produktet pa gluten, vaji i ullirit dhe gjalpi i freskët
Sa i përket probiotikëve, Joka këshilloi kujdes, pasi tek disa persona ato mund të përkeqësojnë simptomat.
"Tek disa pacientë shohim përmirësim, ndërsa tek të tjerë rritje të fryrjes. Reagimi është individual", tha ai.
Edhe kefiri rekomandohet të konsumohet në sasi të vogla, pasi mund të ndihmojë gradualisht në përmirësimin e florës bakteriale.
Nga ana tjetër, lakra turshi, turshitë dhe ushqimet e fermentuara mund të ulin karbohidratet, por edhe të rrisin nivelin e histaminës, e cila mund të shkaktojë fryrje, gazra dhe diarre. Për këtë arsye, gjatë fazës së eliminimit të dietës FODMAP rekomandohet të shmangen.
Sipas Jokes, në irritimin e zorrës ndikojnë edhe faktorë të tjerë si cikli menstrual, cilësia e gjumit, ankthi, intervalet ndërmjet vakteve, madhësia e porcioneve, si edhe konsumi i kafeinës dhe alkoolit.
Komente










