Njoftimi i plotë i KLSH për kallëzimin penal të 10 zyrtarëve dhe ish-zyrtaëve të 4 komunave

KLSH KALLËZON NË PROKURORI DHJETË ZYRTARË DHE ISH-ZYRTARË TË LARTË TË KOMUNAVE REMAS ( LUSHNJË), UDENISHT (POGRADEC), SHËNKOLL (LEZHË) DHE KODËR THUMANË (KRUJË)

Kanë kryer veprime dhe mosveprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës, duke i shkaktuar dëm Buxhetit të Shtetit, si dhe të ardhura të munguara, në vlerën 228.5 milionë lekë ose mbi 2.2 milionë dollarë
 
Në Komunën Rremas (Lushnjë)
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 1078/1, datë 31.12.2013,  ka audituar komunën Remas, Lushnje për periudhën Janar 2011- Dhjetor 2013.
Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, për të cilat KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnje, për N.Ç, me detyrë përgjegjës i Zyrës së Financës.  F. K me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Tatim Taksave dhe  A.B, me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal, për;
 
Veprimet dhe mosveprimet, që janë shoqëruar me skualifikime/kualifikime të gabuara të kryera nga Autoriteti Kontraktor, prej llogaritjes së vlerës kontratës deri në shpalljen e fituesit për pesë tendera, të cilat i kanë shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit në vlerën 10,868,076 lekë, janë të papajtueshme me kriteret e veçanta të kualifikimit në tenderëve, si dhe përcaktimet e parashikuara në nenin 1 "Objekti dhe qëllimi", të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 "Për prokurimin publik", pikën 1 “Përgjegjësia e autoritetit kontraktor” të Kreu – t të parë të VKM nr. 1, datë 10.1.2007.
 
Gjithashtu nga veprimet dhe mosveprimet, e autoritetit kontraktor, prej lidhjes së kontratës deri në likuidimin e saj në 5 tenderët e kryer në këtë komunë është shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit në vlerën 3,961,068 lekë, ne kundërshtim me kriteret e parashikuara në në ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 "Për prokurimin publik", dhe VKM nr. 1, datë 10.1.2007.
 
KLSH i ka kërkuar Kryetarit të komunës Remas fillimin e procedurave administrative e ligjore për marrjen e masës disiplinore “Ndëprerjen e marrëdhënieve të punës” për këta nëpunës të kësaj komune.

Në Komunën Udenisht (Pogradec)
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit financiar nr. 225/4 datë 16.12.2013,  ka audituar Komunën Udenisht, Pogradec për periudhën nga data 01.01.2011 deri më datë 30.09.2013.
 
Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, për të cilat KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec, për N.D., me detyrë ish-Kryetar i Komunës Udenisht Pogradec; A.SH., me detyrë ish-Përgjegjës i Zyrës Urbanistikës dhe H.H., me detyrë ish-Kryetar i Këshillit të Komunës Udenisht Pogradec, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal. Më konkretisht;
 
Në 4 raste kanë dhënë leje ndërtimore në zonë turistike, në pronësi shtetërore, në bregun liqenor, si dhe brenda vijës mbrojtëse përgjatë bregut të liqenit, veprime në kundërshtim me nenin 20, 40, 41 dhe 70 të ligjit nr. 8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”, si dhe në kundërshtim me VKM nr. 722, datë 19.11.1998 “Për miratimin e rregullores së urbanistikës”, si dhe vendimin e KRRTRSH-së “Për miratimin e Masterplanit të Zonës Turistike Lin-Tushemisht”.
Në 2 rast kanë zbardhur vendime të cilat nuk rezulton të jenë marrë në mbledhjen e këshillit të komunës dhe mbledhjen e KRRT duke i dërguar për miratim dhe konfirmim të ligjshmërisë pranë Prefektit të Qarkut Korçë, vendime të cilat janë: “Për miratim e studimit urbanistik dhe shesh ndërtimi “në parim” për objektin Bar-Restorant hotel 4kt...”, dhe “Për dhënien me qira të një sipërfaqe prej 1 ha në bregun liqenor”.
Në 7 raste kanë zbardhur vendime të Këshillit të Komunës, të pa nënshkruara kryetari i Këshillit të Komunës por nga Kryetari i Komunës, në tejkalim të kompetencave, duke marrë atribute të cilat ligji i njeh posaçërisht vetëm Kryetarit të Këshillit, etj.
Në 1 rast kanë miratuar në parim kërkesën për shitjen e pronës shtetërore, por zbardhja nga kryetari i këshillit të komunës është bërë ndryshe nga sa miratuar nga këshilli, duke zbardhur dy vendime në të njëjtën datë, për parcela dhe për sipërfaqe të ndryshme, por me përfitues të njëjtin subjekt.
 
Në Komunën Shënkoll (Lezhë)
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 1079/1, datë 11.12.2013,  ka audituar Komunën Shënkoll, Lezhë për periudhën Janar 2011- Dhjetor 2013.
 
Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore në fushën e zbatimit të investimeve publike, për të cilat KLSH ka kryer kallëzim penal per A.I. dhe R.K., qe te dy me detyre Mbikëqyrës Punimesh, të cilët, në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal,
 
Nder shkeljet kryesore, rendisim:
1.  Ndërtimi i Ujësjellësit në fshatin Shënkoll, i cili ka mbi 4 vjet që ka nisur si investim dhe ku dy mbikëqyrësit e punimeve të ndërtimit A.L. dhe R.K. kanë nënshkruar situacionet për punime të kryera, kur në fakt rezulton se për 24 zëra punimesh ose  44 % e punimeve të kontraktuara këto punime janë të pakryera nga shoqëria sipërmarrëse e kontraktuar nga komuna, duke i shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm ekonomik në vlerën 12,5 milion lekë pa TVSH.
  
2. Në ndërtimin e Ujësjellësit në fshatin Shënkoll, A.L. dhe R.K. në librezën e masave nuk kanë pasqyruar punimet e kryera dhe volumet e punimeve, si dhe në procesverbalet e punimeve të maskuara nuk kanë përcaktuar cilësinë dhe volumet për çdo punim, nuk kanë kërkuar certifikata cilësie dhe nuk kanë kryer raporte testimi të cilësisë, veçanërisht për betonin e rezervuarëve. Po ashtu i kanë mundësuar firma sipërmarrëse të paguhet për zëra punimesh të pazbatuar dhe materiale të pavendosura, me justifikimin se materialet janë të magazinuara në komunë, me qëllim ruajtjen për efekt mosdëmtimi, deri në instalimin e tyre.
 
Në investimin e mësipërm, veprimet apo mosveprimet e dy mbikëqyrësve të punimeve A.L. dhe R.K.  i kanë mundësuar shoqërisë sipërmarrëse përfitime të padrejta e të pamerituara për punime të pakryera, në kundërshtim me nenin 7, 10, 14 të ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit” dhe pikat 4/d, 9, 10 dhe 17 të UKM nr. 3,datë 15.02.2001 ”Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve  të ndërtimit”, i ndryshuar.
 
Gjithashtu, KLSH i ka kërkuar Komisionit të dhënies së Licencave, pranë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, fillimin e procedurave administrative e ligjore për “Heqjen e Licencës, për një afat prej 1 (një) viti”, për dy mbikëqyrësit e mësipërm të punimeve të ndërtimit.
 
Në Komunën Kodër Thumanë (Krujë)
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 310/1, datë 21.03.2014,  ka audituar Komunën Kodër Thumanë (Kruje) për periudhën Janar 2012- Dhjetor 2013.
Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, për të cilat KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, për G.K., me detyrë ish- Kryetar i Komunës dhe në cilësinë e ish-Kryetarit të KRRT-së dhe M.K., me detyrë ish- Përgjegjës i Zyrës së Urbanistikës dhe në cilësinë e ish-Sekretarit të KRRT, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal, për;
 
1. Prokurimin me objekt “Ndërtim tregu dhe rrethimi i qendrës sociale”, pasi është lidhur amendament shtesë kontrate, i paargumentuar dhe i pavërtetuar me fakte dhe prova, por më së tepërmi kur kontrata kryesore ende nuk ishte nënshkruar pasi rezulton të jetë lidhur 9 muaj pas amendamentit shtesë kontrate, në kundërshtim me nenin 33 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar.
 
2. Hartimin dhe nënshkrimin e dy amendamente shtesë kontrate fiktive pasi nuk janë kryer punime mbi vlerën e kontratave kryesore, ku si rezultat i këtyre veprimeve të kundërligjshme, kanë krijuar një dëm ekonomik buxhetit të shtetit, në vlerën 2 milion lekë.
 
3. Hartimin dhe nënshkrimin e dy amendamente shtesë kontrate të paargumentuar pasi janë pa projekt dhe preventiv, pa situacion punimesh, pa akt-kolaudim objekti, si dhe pa aktin e marrjes në dorëzim të investimit, në kundërshtim me nenin 19 të ligjit nr. 8562, datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” dhe nenin 40 dhe 45 të ligjit nr. 9936, datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor”.
 
 
4. Dhënie leje ndërtimi për objektin “Impiant përpunimi inerte dhe gëlqere”, në pronësi shtet, pa lidhur kontratë qiraje, pra pa kundërshpërblim, si dhe kërkuar nga ZVRPP Krujë regjistrimin e objektit në pronësi të subjektit privat, në kundërshtim me nenin 45 të ligjit nr. 8405 datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”.
 
5. Dhënie leje ndërtimi për objektin “Fabrikë tullash”, në pronësi pjesërisht privat e pjesërisht shtet, pa përcaktuar mbi nevojën pse vihet në dispozicion të një subjekti privat prona shtetërore, për më tepër kur një pjesë e saj ndodhet në zërin kadastral “rrugë” në pronësi në shtet, veprime në kundërshtim me nenin 45 të ligjit nr. 8405 datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën” dhe nenet 83,144,193,197, të “Kodit Civil”.
 
Në tërësi, veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë sjellë për pasojë abuzimin dhe përdorimin jo me efektivitet të fondeve publike të vëna në dispozicion kësaj njësi vendore, dhënin me qira pa kundërshpërblim të pronës shtetërore, cënimin e pronës publike dhe shtetërore, si dhe të ardhura të munguara në Buxhetin e Shtetit në vlerën 200 milionë lekë.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 34-vjeçari në Britani! GJKKO i kishte vënë masën 'Arrest në burg' për grup të strukturuar kriminal (EMRI)