Njollat e Murrme, Mihallaq Luarasi:
Ja ç'e nervozoi Nexhmijen e Enverin

Njollat e Murrme, Mihallaq Luarasi:<br />Ja ç'e nervozoi Nexhmijen e Enverin
Mbrëmja e fundit e festivalit të artit të Ndaluar, mbajtur për katër ditë rresht në sallën e “Bunk’Art” shënoi një surprizë për publikun. Drama e Minush Jeros “Njollat e murrme” e vënë në skenë në vitin 1968 nga regjisori Mihallaq Luarasi, e shoqëruar nga një histori suksesi në atë kohë por e shpallur si vepër armiqësore nga vetëEnver Hoxha në fund, e zhdukur nga qarkullimi deri në ditët e sotme, pati kontaktin e parë pas kaq shumë vitesh edhe njëherë me publikun.

Këtë herë, në një skenë të ndërtuar enkas për argëtimet e diktatorit në bunkerin e stërmadh 5-katësh. Publiku u përball me këtë dramë në një formë të re, atë të forum-teatrit realizuar nga regjisorja Sonila Kapidani. Nga drama ishin përzgjedhur dy pjesë pikante ku përçohej mesazhi i censurës dhe diktatit.

Ndërsa publiku, kryesisht gjimnazistë të kryeqytetit e mes tyre edhe dy të ftuarit e kësaj mbrëmjeje regjisori Mihallaq Luarasi dhe studiuesi Përparim Kabo, kanë bërë ndërhyrje dhe komente gjatë shfaqjes, duke e cilësuar një dramë me mesazhe vërtet të guximshme për kohën.

Pas pjesës së shfaqjes në bisedën e zhvilluar nga Bledi Strakosha me dy të ftuarit, u zbuluan për publikun edhe shumë prapaskena dhe fakte të panjohura nga dënimi i kësaj drame. Sot për lexuesit e Shqiptarja.com, sjellim pjesën e parë të kësaj bisede për ta vijuar pjesën e dytë në numrin e ardhshëm.
 
Bledi Strakosha: Ka ardhur momenti të flasim me ata që kanë prekur sukseset në atë kohë, suksese që u kanë dhënë emocione shumë të bukura por njëkohësisht kanë qenë dhe fatkeqësia e jetës së tyre artistike e personale. Kam kënaqësinë dhe nderin që kam të ftuar regjisorin e mirënjohur, z. Mihallaq Luarasi. Shumë faleminderit që na bashkoheni në këtë bunker të paranojës komuniste...

Mihallaq Luarasi: Mirë se ju gjej! Kënaqësia është e imja që jam këtu.
 
Kemi të pranishëm edhe prof. Përparim Kabon. Përshëndetje! Mirë se vini!
Faleminderit për ftesën!

Përparim Kabo: Pjesa është vënë në skenë më 1968. Festivali ka ndodhur më 1969 sepse ka qenë një ditë përkujtimore, ka qenë nëntori i 1969-ës dhe ka qenë 25-vjetori i Çlirimit. Atmosfera ka qenë jashtëzakonisht e ngrohtë sepse gjatë festivalit, siç edhe është shkruar nga profesori në librin e tij, ka pasur dy qasje. Ka pasur artistë të vërtetë që kishin marrëveshje me artin dhe jo me propagandën. Përmend këtu Kudret Çelën, Gjergj Zhejin dhe ndonjë tjetër që s’më kujtohet në këtë moment, të cilët nën zë ia thanë profesorit që ke sjellë një vepër të mirëfilltë arti. Siç kishte të tjerë, të cilët të ideologjizuar dhe të sterilizuar në mendimin e tyre për shkak të pikëpamjeve politike dhe partiake që nuk arrinin të kuptonin mesazhet e kësaj drame. Unë kam qenë relativisht i ri por, në studimet e thelluara më pas dhe miqësia e ngushtë me profesorin më kanë dhënë mundësi që herë pas here t’i kthehem dramës “Njollat e Murrme”. Në atë kohë në Shqipëri kishte një pelegrinazh që quhej pelegrinazhi i teatrit. Çuditërisht teatri, ndryshe nga kinematografia, e cila krijonte vepra të realizmit socialist, në kinema shikoheshin edhe filma të huaj kryesisht nga Lindja, filma sovjetikë, në teatër viheshin në skenë edhe kryevepra botërore. Dhe sot është rasti të them se më 16 shtator të këtij viti profesori mbushi plot 87 vjeç. Ishte një ceremoni e thjeshtë në skenën e teatrit para një premiere, por atje u harrua të thuheshin disa gjëra. Megjithatë, fati është me ne. Unë e vuajtja mungesën e këtyre fjalëve dhe ja tani më jepet mundësia që t’i them këtu.
Ky vit përkon edhe me një ngjarje shumë të rëndësishme të jetës së tij. Ai ishte thjesht 27 vjeç, në vitin 1956 vjen në Shqipëri për të mbrojtur temën e diplomës sepse profesori ishte i vetmi që studionte në akademinë e teatrit dhe të kinematografisë në Budapest. Profesori atje ka ndërtuar personalitetin e tij. Ai vjen të vërë këtu në skenë një nga kryeveprat e letërsisë botërore, një dramë të dinjitetit njerëzor “Intrigë e dashuri” të Shilerit. Kuptoni shoqërinë shqiptare në mes të shek. XX, viti 1956, kur njerëzit akoma merrnin bukë me triskë, ky ka kurajën që të sjellë një kryevepër të tillë e cila, për hir të së vërtetës, nuk bëri një revolucion vetëm në vëniet skenike dhe në tronditjen pozitive të Teatrit tonë Popullor që quhej në atë kohë, por edhe të shoqërisë shqiptare. Ajo është rivënë edhe më pas. Disa janë munduar që edhe titullin t’ia modifikojnë, nga “Intrigë dashurie” ia kanë bërë “Luiza Miler” etj., por profesori që me atë vënie tregoi se perkusioni i tij në jetë do të ishte emancipimi i shoqërisë shqiptare përmes teatrit.
 
Dhe ia keni dalë mbanë profesor sepse “Njollat e murrme” natyrshëm që ka zgjuar shumë mendime në kokat e shqiptarëve qëe ndoqën këtë pjesë, kryesisht në Korçë apo jo? Fillimisht pjesa u vu në skenë në teatrin e Korçës dhe pastaj u bë pjesë e një festivali dhe preku edhe skenën e Teatrit Kombëtar. I gjithë ky guxim, e gjithë kjo dëshirë për të emancipuar shoqërinë, për ta bërë shoqërinë që të reflektojë ka qenë i vetëdijshëm apo buronte skutave të artistit, ndoshta edhe në mënyrë të pavetëdijshme.

Mihallaq Luarasi: Gjysma e së vërtetës është kjo që thua, por ka edhe sot një të vërtetë të atillë që tek unë ka edhe një lloj guximi prej budallai sepse i kam bërë duke e ditur se ç’do të pësoja.
 
Për më tepër që kjo ishte si të thuash një eveniment edhe familjar, ku në rolin kryesor ishte bashkëshortja juaj. Si kishit menduar se do t’ia hidhnit sistemit duke vënë në skenë vepra kaq të guximshme? Sepse qëllimi kryesor ky ka qenë, që të përçohet mesazhi por pa asnjë pasojë...

Mihallaq Luarasi: Një pjesë e këtij mendimi ishte dhe e vërteta e një lloj besimi që midis këtyre kapove, të mëdhenjve të pushtetit, kishte tek-tuk edhe koka të mençura. Reagimi i tyre ishte për ne vendimtar sepse ata rrinin në lozhë, ndërsa ne nga vrimat e perdes i vështronim se si po reagonin.
 
Kështu bëtë edhe kur erdhi Enver Hoxha në sallë? E patë ju Enver Hoxhën dhe mënyrën se si reagonte kur shihte shfaqjen?


Mihallaq Luarasi: Një herë, me kërkesën e tij, ai erdhi në skenë, jo për ne, por erdhi për fëmijët sepse ishte një shfaqje ku luanin fëmijë. Kështu që ai donte të ishte midis fëmijëve. Kishte rëndësi të madhe për të. Në atë kohë unë bëra shumë fjalë edhe me Nexhmijen sepse përgatitja e fëmijëve, provat me ta zgjatën shumë. Ai priste që të vinte në skenë. U nervozuan që të dy shumë. Nexhmija erdhi prapa skenës për të më pyetur dhe unë i thashë se fëmijët nuk ishin ende gati që të vinte Enveri. Ajo më kërkoi që të shkëpusja ndonjë pjesë, të mos i nxirrja të gjithë fëmijët që të vinte shoku Enver se ishte lodhur duke pritur. Unë i thashë që s’mund ta bëja një gjë të tillë sepse fëmijët kishin punuar për muaj të tërë dhe unë s’mund t’i thosha pikërisht në momentin kur duhej të dilnin në skenë që kjo s’do të ndodhte. Unë s’mund ta lejoja këtë gjë. U krijua një nervozizëm i tmerrshëm kështu që unë bëra ca manovrime për ta shkurtuar atë shfaqje.
 
Përparim Kabo: Çfarë ka ndodhur në atë moment? Si reagonte ai në lozhë?
 
Për ta saktësuar edhe për audiencën. Shfaqja është dhënë gjatë fundjavës?

Përparim Kabo:  Është parë nga Byroja Politike, është pëlqyer. Është dhënë flamuri i festivalit dhe dikush i ka thënë profesorit: “Ikni me kohë të mirë”. Më duket se Gjergj Zheji. Është bërë një darkë në Shtëpinë e Oficerëve në atë kohë dhe flamuri i festivalit është dhënë nga kryeministri Mehmet Shehu. Sigurisht në kupolën e lartë kishin filluar konfliktet, gjë që një artist nuk mund ta dinte, as populli. Lajmërohet Enver Hoxha që të shikojë shfaqjen sepse Ramiz Alia gjykonte që shfaqja kishte probleme ideologjike, kishte akuza të forta kundër sistemit paçka se personazhet atje ishin të ndarë në personazhe pro dhe kundër, por të gjithë ishin nën tutelën e partisë. Dhe çuditërisht shfaqja është dhënë të hënën, kur s’ka kurrë shfaqje teatri dhe fytyra e ngrirë e E. Hoxhës në lozhë lart, tregonte që ai kishte ardhur për të mos arsyetuar në mënyrën estetike apo të kritikës letrare të specializuar. Shpata e Demokleut ishte ideologjike. Pra ai ishte i përgatitur që të godiste.
 
Prandaj them që për z. Luarasi ai moment duhet të ketë qenë shumë i vështirë dhe ndoshta edhe vëmendja teksa ka qëndruar duke ndjekur pjesën, do të ketë qenë padyshim edhe te lozha ku gjendje Emver Hoxha...

Përparim Kabo:  Po. Prandaj ndërhyra sepse profesori nuk e kuptoi pyetjen tënde.
 
Çfarë ndodhi pas asaj mbrëmjeje të tmerrshme të asaj dite të hënë kur nuk luhej kurrë teatër por që ndodhi për shkak të kërkesës së Enver Hoxhës. Pas përfundimit të shfaqjes iu komunikua juve diçka apo ndodhi të nesërmen apo në ditët në vijim?

Mihallaq Luarasi: Jo menjëherë.
 
Ju vetë çfarë emocioni ndiet? Çfarë perceptuat? Pse u kërkua të vihej të hënën shfaqja në skenë nga udhëheqësi i kohës?

Mihallaq Luarasi: Sepse diçka doli më përpara, se spektakli seç ka disa gjëra, disa kleçka jo të qarta që Partia do t’i shohë që të ndreqen.
 
Ju kishit mundësi që të hënën kur ishte Enver Hoxha të manipulonit diçka në shfaqje, ndoshta ato pjesë që edhe ju i konsideronit si më të guximshme se ç’duhej? Mund të ndodhte kjo?

Mihallaq Luarasi: Jo. Kjo gjë nuk ndodhi. Unë nuk e bëra këtë.
 
Përparim Kabo: Këta nuk kishin menduar se ishin gabim.
 
Padyshim, por një kërkesë e tillë ngjall dyshime.

Përparim Kabo:  Profesori ka dorë edhe në tekstin e dramës, pa ulur vlerat e Minush Jeros. Unë e vija re edhe sot. Është logjika e tij e fortë dhe dialogët e ndërtuar në mënyrë të thukët por që të hyjnë si thonj në memorie, në subkoshiencë. Imagjino që skena është kjo edhe një akuarium i madh me peshq të kuq që i binte një dritë dhe ata të hutuar nga kjo dritë, që ishte drita e partisë, lëviznin por brenda akuariumit. Pra, metafora e rekuizitës ishte e tillë që në një sistem ne jemi të gjithë peshq të kuq të një akuariumi nën këtë dritë. Teksti, siç e vumë re edhe sot, është një tekst provokativ që tregon deformimin që pësonte njeriu nën sistemin totalitar, zhbërjen e tij nga frika, humbjen e personalitetit. Në përgjithësi, të tëra sistemet totalitare nuk lejojnë krijimin e individit dhe ne sot e kemi të vështirë ta përmendim termin individ dhe në kuptimin filozofik individ do të thotë të mendosh me kokën tënde, të kesh të drejtë ta shprehësh mendimin dhe të kesh kurajën për ta mbrojtur atë, gjë që në njëfarë kuptimi edhe sot nuk është arritur kjo liri. Ishte kurajë e madhe që një njeri si Mihal Luarasi, me pasionin për artin, por edhe me një vlerësim qytetar sepse ky nuk jetonte në një kullë të fildishtë. E di si e ka gjetur ky dramën “Njollat e murrme”? U nis nga Korça edhe lëvizte nëpër Shqipëri për të gjetur drama. Dhe i shkon në Durrës Minush Jeros. Dhe ai s’e kishte mbaruar. Kështu ka ndodhur me “Cucën e maleve”.

edi luarasi
  Në foto: Edi Luarasi dhe Minella Borova në shfaqjen "Njollat e Murrme", vënë në skenë në vitin 1968

njollat e murrme
  Nga mbremja e katërt e Festivalit të Artit të Ndaluar kushtuar dramës "Njollat e Murrme"

vijon


Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre