Prej së largu vërehen majat e rrokaqiejve ndërsa drejtimi i parë na çon drejt Nju Xhersit. Kemi vendosur të bëjmë një udhëtim ekonomik ndaj kemi zgjedhur një hotel të mirë, por shumë më të lirë sesa në Manhatan. Shumë njerëz kanë zgjedhur këtë pjesë për të jetuar për shkak të qirave të larta në qendër. Përpos kësaj makina mund të rrijë në parkimin e hotelit ndërsa për të arritur në destinacionin tonë mund të përdorim metronë dhe më pas të shëtisim në këmbë nëpër qytet.
Dita jonë e parë është për Times Square, sheshin më të famshëm të New York City, atë që aq shpesh ka ndërruar fytyrën e tij në histori, madje në mënyrë kontrastuese. Dikur qendër e gangsterëve dhe bordellove, sheshi fitoi një emër të ri dhe nam tjetër në vitin 1904 pikërisht në vigjilje të vitit të ri. Pati edhe një periudhë të errët aty rreth viteve ‘60-70, por kjo ishte e fundit për këtë shesh. Ditët e lavdisë duket se i përkasin përjetësisht Time Square-it, tashmë një zonë e mirëfillitë turizmi dhe biznesi. Teksa del nga nëntoka e metrosë, gradaçelat duken më të larta. Turma e njerëzve të shtyn të marrësh drejtimin e duhur dhe ja tek i thua vetes se je një turist në Nju Jork. Ndoshta nuk e ke këngën e Stingut si “English man in New York”, por e bindur se do në fund të këtij udhëtimi do të kesh kujtimet e bukura . Taksitë e verdha janë aty, në radhë, herë të parkuara, por më së shumti në zemër të trafikut. Tregojmë kujdes prej tyre dhe shoferëve shpesh të ngutur për të kapur semaforin. Megjithatë respekti për këmbësorin nuk anashkalohet.
Nga të katër anët e horizontit fasada kryesisht të qelqëta me superekrane marramendëse. Postera të filmave të ndryshëm, (ku mbizotëron Batman, megjithë gjëmën e ndodhur në Kolorado), të kujtojnë faktin se vetëm gjatë luftës së parë botërore, Times Square është zgjedhur ka qenë vendi qindra produksioneve. Në çdo kënd mund të kujtosh një sekuencë filmi, kaq i kudogjendur është ky shesh në kinema saqë përnjëmend harron se ndodhesh vërtet aty. Poshtë globit rrëzëllitës të vitit të ri, një ekran i madh afishon me foto dhe tekst urimet që turistët bëjnë për njëri tjetrin. Në anën tjetër të rrugës përpara studios së MTV-së bëhet një lidhje direkte dhe turma e kureshtarëve rrethon spikeren. Kujtohemi se për fat të keq kanali i motit ka parashikuar një stuhi. Pak çaste para se të linim hotelin gazetarja e Fox News, shqiptarja Lidia Ujkaj raportonte për motin e bashkë me të edhe një shpurë e tërë gazetarësh që siguronin se stuhia vërtet do të ndodhte.
Por qielli është akoma i kaltër, edhe pse afshi i nxehtë dhe mbytës e bën thuajse të vështirë udhëtimin nëpër rrugë. Në pedonalen e Time Square harron taksitë e verdha dhe trafikun e rënduar. Mund të bësh foto pafund dhe nga të gjitha anët meqë çdo pëllëmbë e sheshit është thuajse një objekt fotografimi. Për turistët e rinj, qëndron kaubojsi i zhveshur,një djalë me të mbathura, çizme dhe kapele kauboji. Mund të bëni një foto me të dhe të pastaj të paguani duke futur paratë në kitarën e tij të bardhë. Pak metra më tutje si pasojë e konkurrencës ka dalë edhe indiani i zhveshur. Me sa duket 200 dollarë në ditë nuk janë pak …. aq më tepër kur bëhet fjalë për krizën. Për fëmijë e të rritur janë edhe personazhet e Walt Disney për një foto kujtimi. Nëse do të shohësh me kujdes gradaçelat dhe të mos kesh dhimbje qafe nga vështrimi gjithnjë lart qiellit, mund të marrësh një shërbim të ri transporti turistik, ku karriket janë të ngjashme me ato të një kinemaje dhe pjesa e sipërme e autobusit është e qelqtë në mënyrë që të lejojë soditjen e turistëve. Por edhe autobusët verorë janë një zgjidhje për ata që nuk duan të shkelin sheshin me këmbë, por të kenë një guidë të motorizuar. Brodway është një nga rrugët më të vjetra të Manhatanit që i bie mes për mes kësaj zone dhe natyrisht ka përqëndrimin më të madh të shfaqjeve. Nëse nuk keni bërë më parë një rezervim biletash zor se mund të gjeni atë që dëshironi në kohën e pikut të turistëve. Teksa koha kalon nga një fasadë në tjetrën, qielli nxihet me shpejtësi. Nata improvizohet shumë lehtë mes këtyre ndërtesave të larta në disa nga të cilat dielli nuk hyn kurrë. Thirrjeve të ambulantëve për të blerë çadra, thuajse nuk ia vë veshin askush. Të gjithë kërkojnë strehët ose një vend për të pritur qetësimin e motit. Shiu që fillon plotëson imazhin e një apokalipsi të denjë për një film dhe turistët i gëzohen stuhisë duke fotografuar poshtë strehëve. Gjithçka është magjepsëse në këtë qytet dhe sidomos në këtë shesh ku dhe stuhitë janë spektakolare. Kush nuk është i kënaqur me strehën vijon të ecë, ndërsa kush parashikoi të kalonte më mirë kohën kur shiu bie furishëm ka zgjedhur Avenynë 5. Aty gjen pothuajse të gjitha dyqanet e famshme, përfshirë edhe qendrën më të madhe të Macy’s, vitrinat e të cilës për çdo vit bëhen pjesë e dekorit festiv të Nju Jorkut në Krishtlindje. Pak shopping me uljet e mundshme nuk është asnjëherë keq. Por nëse kërkoni rroba dimri pikërisht në korrik, dyqanet nxjerrin koleksionet e reja natyrisht me çmimet e kripura. Një mbrëmje në Hard Rock Café është më se e kshillueshme për të mbyllur ditën e parë në Nju Jork. Më pas sërish në metro, aty ku njerëz të të gjitha shtresave, hipin për të shkuar në shtëpitë e tyre, disa pas argëtimit e të tjerë pas orëve të gjata të punës.
Empire State Building dhe Lady Liberty
Pasi je lodhur duke kërkuar fundin e rrokaqiejve, një ditë më parë, ia vlen të provosh vetë lartësinë. Dhe vendi më ideal për të bërë këtë gjë, është Empire State Building, 381 metra mbi tokë, aktualisht pika më e lartë e Nju Jorkut pas rrëzimit të Kullave Binjake. Për tu ngjitur lart duhet të durosh një radhë të gjatë, që do t’ju humbasë shumë kohë, por më besoni ia vlen. Nëse keni shumë para dhe pak kohë, atëherë pranoni ofertën që ju bëhet në trotuar fare pranë godinës, ose në brendësi të saj, për të prerë një biletë prej 47. 99 dollarësh për të hyrë pa rradhë. Do të kaloni më vete nga turma, por lart të gjithë do të jeni njësoj. Ashensori, njëri 73 ashensorëve të kësaj ndërtese, ngjit për 13 sekonda 10 kate dhe pas fare pak minutash gjendesh në katin e 86-të ku e ke qytetin në pëlllëmbë të dorës. Shquan qartë lumin Hudson, Manhatan, Bronx, Times Square, kullën e qelqtë të OKB-së, dy gradaçelat e reja që po ngrihet fare pranë vendin ku ishin dy Kullat Binjake, Central Park, dhe shumë e shumë godina të tjera të cilat ndoshta duhen ditë t’ua mësosh emrat. Poshtë në rrugë sërish rradhë të gjata taksish të verdha. Për të hipur edhe 16 kate të tjera, në katin katin e 102-të duhet paguar edhe një biletë prej 17 dollarësh, por teleskopët mund ta kompesojnë këtë lartësi, nëse nuk keni dëshirë të shpenzoni më tej. Të paktën 15 minuta do t’ju duhen për të kundruar nga të gjitha anët dhe në lartësi Nju Jorkun. Por koha nuk është e kufizuar dhe mund të qëndroni më gjatë në kullën që vizitohet nga miliona turistë në vit. Më pas vjen zbritja dhe ndalesa në një dyqan suveniresh. Një mbajtëse çelësash me figurën e Empire dhe një shënim nga pas “Me dashuri nga Nju Jorku” janë një kujtim i bukur për të dashurin tuaj të zemrës, që kushton nga 7 deri në 10 dollarë. Por suveniret janë të shumta, nga gotat e kafesë, tek bluzat, kapelet, stilolapsat, varëset, etj. Për të pasur një kujtim të bukur mund ta lejoni veten t’ju bëjnë një foto të bukur në një sfond të gjelbërt që kur printohet në fakt shndërrohet në një sfond të bukur nga kulla. Por kjo do t’ju kushtojë diku te rreth 27 dollarë, ndaj mund të bëni edhe pa këtë luks e t’i besoni aparatit tuaj. Rreth jush ka shumë njerëz të gatshëm për t’ju ndihmuar të fiksoni në foto një kujtim të bukur. Ndërsa një foto me King Kongun para se të dilni në tarracën kundruese, nuk kushton asgjë, përveç disa minutave humor që hedhin tutje mërzinë e pritjes në radhë. Teksa zbrisni, zëri në ashensor lajmëron se vizita juaj mund të zgjatet duke shëtitur ne dyqanet dhe restorantet e shumta të kullës. Përse jo? Problem i vetëm është koha sepse duhet parë sa më shumë nga qyteti.
Një udhëtim drejt ishujve Ellis dhe Liberty, mund të realizohet brenda të njëjtës ditë, nëse arrini të merrni një paketë turistike në agjencitë e qytetit. Falë kësaj mund të vizitoni Empire State Building dhe Statujën e Lirisë me vetëm 35 dollarë personi. Udhëtimi për në statujën e famshme bëhet me traget dhe hipja në të, ndodh vetëm pasi kalon në një kontroll sigurimi të njëjtë me atë që bëhet në aeroporte. Sapo anija e vogël shkëputet nga limani, fillon të admirosh qytetin teksa largohet. Aparatet e turistëve nuk reshtin së shkrepuri dhe të gjithë kërkojnë pamjen më të mirë të mundshme. Udhëtimi nuk zgjat shumë dhe në ishullin e Statujës së Lirisë, punonjësit ofrojnë informacion dhe një aparat për të dëgjuar historinë, njëlloj ciceroni automatik për ta bërë më kuptimplotë vizitën. Statuja e Lirisë është mahnitëse nga afër, ndonëse një pjesë e saj vazhdon të jetë e rrethuar me një gardh dhe shihen diku mjetet që tregojnë se fare pranë saj punohet. Por vëmendja kthehet sërish në anën tjetër andej ku rrokaqiejt ngjajnë shumë të vegjël. Pasi lexon dhe dëgjon gjithçka rreth kësaj statuje simbol të amerikanëve, por në fakt vepër dhe dhuratë e francezëve, mund të ndalosh në një bar për të pirë diçka të freskët dhe padyshim në dyqanin e suvenireve për të zgjedhur dhuratën e duhur. Por teksa jeni sërish në traget për rrugën e kthimit, mos e humbni ndalesën e radhës në Ellis Island ku gjendet Muzeu i Emigrantëve. Është pikërisht vendi ku qindra mijëra emigrantë qëndronin për njëfarë kohe para se të bëheshin banorë të qytetit. Është pjesë e një historie që vijon edhe sot, ndonëse tashmë emigrantëve nuk u duhet më të qëndrojnë në këto godina të kuqe në ishull.
Kur të keni mbaruar do të shihni se ka mbetur shumë pak kohë, por brenda dy ditëve ia keni dalë mbanë të shijoni Times Square me gjithë dimensionet e tij, Empire State Building, Statue of Liberty dhe Muzeun e Emigrantëve. Në cilëndo rrugë që të keni shkelur do të keni përftuar një kujtim që do ta sillni ndër mend kur të jeni kthyer në shtëpi. Falë qëndrimit në Nju Xhersi do të keni mësuar diçka më shumë për jetën e përditshme, metrotë dhe trafikun. Së fundi nëse jeni duke u larguar nga qyteti në fundjavë duhet të bëni durim me trafikun e verës. Njujorkezët nisen për pushimet e fundjavës dhe kjo rëndon daljen në autostradë. Por teksa makina përparon fare ngadalë mund të shikosh pallatet e Donald Trump, të shijosh urën Washington apo dhe muret e pikturuara të Bronksit. Në fund shumë kohë më pas teksa do të kundroni fotografitë do të kuptoni se udhëtimi juaj ndoshta i ngjeshur, ka qenë një nga udhëtimet që ëndërrojnë miliona turistë në botë;të jenë në Nju Jork të paktën njëherë në jetën e tyre dhe të shohin atë që filmat amerikanë ua servirin pothuajse çdo ditë në ekranet e mëdhe dhe të vogla. Nëse riktheheni, padyshim keni shumë më tepër për të zbuluar!
Shkrimi u botua ne suplementin FUNDJAVA, 10 gusht, te gazetes Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)