NJU JORK, 27 shtator /ATSH-DPA/ - Presidenti i Kubës, Raul Castro, presidenti kinez, Xi Jinping dhe presidenti iranian, Hassan Rohani bënë thirrje për bashkëpunim global për të siguruar zhvillimin global gjatë një samiti të OKB-së .
Udhëheqësit botërorë folën në ditën e dytë të samitit të nivelit të lartë, i dedikuar për të diskutuar një sërë çështjesh zhvillimore globale, që janë standarde që duhen plotësuar.
Rohani theksoi rëndësinë e mbrojtes së mjedisit, si një mënyrë për të luftuar terrorizmin duke bërë thirrje për bashkëpunim rajonal.
"Terroristët në fakt kanë tendencë të rriten dhe të lulëzojnë në tokat që janë të dëmtuara nga fatkeqësitë mjedisore", tha Rohani.
"Grupet terroriste kanë prishur zhvillimin e qëndrueshëm të synimeve dhe vazhdimi i kësaj situate çon në varfëri të mëtejshme dhe shkatërrim të mjedisit", theksoi ai.
Gjatë një takimi dypalësh, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon i kërkoi Rohanit ndihmë për të zgjidhur krizën politike në Siri dhe Jemen.
Presidenti kinez, Xi Jinping, i cili iu drejtuar për herë të parë Kombeve të Bashkuara, tha se zhvillimi i barabartë ishte i nevojshëm për të trajtuar shkaqet rrënjësore të krizave që shqetësojnë botën.
"Ne duhet të mbahemi tek zhvillimi si synimi ynë kryesor sepse vetëm nëpërmjet zhvillimit mund të zgjidhim shkaqet rrënjësore të konfliktit, të mbrojmë të drejtat themelore të njerëzve dhe të përmbushim shpresën e zjarrtë të popullit tonë për një të ardhme më të mirë", tha Xi.
Presidenti kinez tha se vendi I tij do të krijojë një fond prej dy miliardë dollarësh për të ndihmuar vendet në zhvillim për përmbushjen e synimeve te reja për zhvillim dhe do të investojë një total prej 12 miliardë dollarë në vendet më pak të zhvilluara deri në vitin 2030.
Xi gjithashtu tha se Kina do të falë borxhet ndër-qeveritare, që i detyrohen asaj për shkak të këtij viti, nga vendet më të varfra, duke përfshirë kombet e vogla në zhvillim.
Raul Castro, i cili gjithashtu iu drejtua për herë të parë OKB-së bëri thirrje për krijimin e një infrastrukture të re financiare për të ndihmuar vendet në zhvillim.
Kastro bëri thirrje udhëheqësve që të ndryshojnë peisazhin aktual ekonomik ndërkombëtar me zgjidhjen e çështjeve të borxhit, ndërtimin e një arkitekturë të re financiare dhe duke i dhënë fund monopolizmit të teknologjisë dhe njohurive të vendeve të zhvilluara.
"Bllokada ekonomike, tregtare dhe financiare ndaj Kubës vazhdon siç ka qenë për një gjysmë shekulli duke sjellë dëme dhe vështirësi për popullin kuban", tha Kastro./ /n.r/ a.jor.