Në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi dhe shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, zhvilluan një takim me komandanten e Forcave Ajrore të SHBA, Yvonne L. Mays ku u vlerësua një çerek-shekulli partneritet ndërmjet Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të New Jersey.
Në fokus të bisedës ishin disa fusha prioritare të bashkëpunimit, mes të cilave forcimi i Trupës së Nënoficerëve dhe edukimit ushtarak; rritja e kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike; mbështetja për funksionalitetin e plotë të Bazës Ajrore të Kuçovës; si dhe thellimi i bashkëpunimit në kuadër të NATO-s dhe forcimi i sigurisë euroatlantike.
Nufi vlerësoi veçanërisht kontributin e Gardës Kombëtare të New Jersey në ngritjen profesionale të Trupës së Nënoficerëve përmes programeve të trajnimit, mentorimit dhe shkëmbimit të përvojave, duke theksuar se ky bashkëpunim ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e standardeve dhe efektivitetit të Forcave tona të Armatosura.
Palët diskutuan gjithashtu mbi sfidat aktuale të sigurisë dhe rëndësinë e rritjes së investimeve në mbrojtje, në përputhje me angazhimet e NATO-s.
Takimi konfirmoi vullnetin e përbashkët për të thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh dhe për të hapur një kapitull të ri partneriteti mes Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të New Jersey, në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale e euroatlantike.
Ndërkohë, Nufi vlerësoi Yvonne L. Mays me “Medaljen e Artë të Shërbimit Ushtarak”, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj të veçantë në forcimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të New Jersey, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e kapaciteteve dhe konsolidimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy forcave.
Komente









