Si mund të ndiqet dhe të interpretohet një president që, brenda një viti, ka publikuar më shumë se 6 mijë postime në rrjetet sociale, ka mbajtur mbi 430 dalje publike për shtyp dhe ka zhvilluar konferenca të lira që zgjasin deri në dy orë? Zyra e stenografëve të Shtëpisë së Bardhë ka përllogaritur se ka transkriptuar rreth 2.4 milionë fjalë të Donald Trump, katër herë më shumë se gjatësia e romanit “Lufta dhe Paqja” të Tolstoit.

Ndjekja e Trumpit nuk është një sfidë vetëm për gazetarët e lodhur, por edhe për diplomatët, të cilët kanë për detyrë të gjejnë sinjalin mes një zhurme të pandërprerë deklaratash, postimesh dhe improvizimesh.

Diplomatët perëndimorë kanë përforcuar ndjeshëm strukturat e monitorimit mediatik për t’u përshtatur me stilin e Trump, i cili mund të shpallë një vendim me pasoja globale ose të sulmojë një aleat në çdo moment të ciklit 24-orësh të lajmeve. Ministritë e Jashtme duhet tashmë të ndjekin jo vetëm deklaratat zyrtare, por edhe mesazhet private të drejtuesve të tyre që mund të shfaqen papritur në Truth Social.

Trump mban konferenca për shtyp pothuajse çdo ditë dhe, vetëm në vitin e parë, ka postuar 6.606 herë në rrjetin e tij social. Studime të brendshme tregojnë se orët kur ai poston më shpesh janë mesnata e së enjtes, ora 11:00 e së martës, ora 17:00 e së shtunës dhe ora 23:00 e së hënës, orare që shpesh i gjejnë diplomatët europianë në disavantazh për shkak të diferencës kohore.

Një diplomat thotë se fraza më e dëgjuar në mëngjeset e punës është: “Çfarë ka thënë këtë herë?”

Vetëm natën e 1 dhjetorit, Trump publikoi 156 postime, duke përzier njoftime që lëvizin tregjet me mburrje personale dhe teori konspirative, përfshirë pretendimin se Joe Biden ishte ekzekutuar në vitin 2020 dhe ishte zëvendësuar nga robotë dhe klone.

Për diplomatët europianë, postimet e vona të natës janë shpesh më problematiket, pasi mbërrijnë në telefonat e tyre pikërisht në momentin kur nisin ditën e punës.

Ministria e Jashtme britanike zbuloi një mëngjes në orën 6:15 se dikush, ndoshta Nigel Farage, kishte arritur të ndikonte Trump përmes një ndërmjetësi, duke e bindur të denonconte një marrëveshje për Diego Garcia, të cilën Londra e konsideronte të mbyllur prej kohësh.

Sipas diplomatëve, tashmë është kthyer në një aftësi më vete përkthimi dhe filtrimi i fjalimeve shpesh të çrregullta të Trump për të kapur ndonjë element real politik. Njëri prej tyre shpjegon:

“E ke fjalimin live në tryezën e darkës në shtëpi dhe ai fillon të flasë për fëmijërinë e tij, për një park pranë një spitali psikiatrik, për nënën që i thoshte se mund të ishte bërë bejzbollist profesionist. Fillon të shkëputesh — nuk do të doje të jetoje brenda kokës së këtij njeriu — dhe pastaj kupton se ke humbur diçka të rëndësishme.”

Shumë prej këtyre konferencave janë të mbushura me vetëlavdërime dhe fjalë pa peshë, por gjithmonë ekziston rreziku që mes tyre të fshihet një “bombë”: një kërcënim për të dërguar një flotë drejt Iranit apo për të vendosur tarifa 100% ndaj Kanadasë.

Një diplomat tjetër përmend konferencën përvjetore të Trump për një vit në pushtet, ku ai foli për 80 minuta për faktin se SHBA-ja ishte “vendi më i nxehtë në botë”, përpara se të pranonte pyetje.

Pas komenteve për Somalinë, për kongresmenen Ilhan Omar dhe për kriminelë të arrestuar nga ICE në Minesota, Trump kaloi pa paralajmërim nga fotografi, te Zvicra, te Venezuela, te María Corina Machado dhe deri te kompanitë amerikane të naftës. “Nuk po mërziteni, apo jo?” pyeti ai. “Shpresoj jo.”

Edhe brenda këtij rrëfimi të çrregullt, diplomatët thonë se ka sinjale: Trump duket se ende dëshiron të punojë me qeverinë aktuale të Venezuelës, por nuk e ka përjashtuar plotësisht opozitën. Një gjë mbetet e qartë për ta: lajkat ende funksionojnë.

Ka aq shumë informacion saqë një diplomat pranon se një nga vlerat e mbetura të platformës X është fakti që mund të shohësh nëse gazetarët kanë kapur diçka që ty të ka shpëtuar.

Ambasadorja britanike në Uashington, Karen Pierce, e njohur për marrëdhëniet e mira me rrethin e Trump, ka treguar se strategjia e saj ishte të shfaqej sa më shpesh në Fox News, duke ditur se Trump e ndjek atë kanal. Disa ambasada tashmë kanë diplomatë të dedikuar vetëm për të monitoruar Fox News, sepse besojnë se aty Trump merr informacionin kryesor.

“Ne besojmë se ai nuk lexon, por nëse një komentator MAGA flet në Fox, aty është burimi,” thotë një diplomat.

Disa besojnë se tensioni i fundit për tarifat ndaj Europës u shkaktua thjesht nga pamje televizive dhe komentatorë që e bindën Trump se Europa po përgatitej të mbrojë Groenlandën nga një pushtim amerikan.

Trump është njëkohësisht shumë i prekshëm nga dezinformimi dhe një burim i fuqishëm dezinformimi. Diplomatët e dinë se ai ka “faktet e tij”, por nuk mund t’i injorojnë, sepse ato përdoren si armë presioni.

Sa më shumë Trump largohet nga realiteti, aq më i domosdoshëm bëhet diplomati, mjeshtri i interpretimit në një botë ku fjalët e presidentit amerikan janë gjithmonë një enigmë për t’u deshifruar./TheGuardian