Ëmbla Ademi, vogëlushja shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ka shkuar sot në shkollë si të gjithë shokët dhe shoqet e saj. Rasti i Ëmbëlës bëri jo pak bujë, kjo për faktin se prindërit e nxënësve të tjerë në klasën e saj nuk donin që ajo të ishte në të njëjtën klasë me fëmijët e tyre për shkak se është me sindromën Down.

Por vogëlushja jo vetëm që ka shkuar në të njëjtën klasë, por edhe e shoqëruar nga vetë Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Ai i bëri një vizitë sot Ëmblës duke e marrë atë për dore e duke e dërguar në shkollë.

Babai i Ëmblës, Ilir Ademi, rrëfen ajo që nga shtatori ka pasur asistent arsimor, por shpesh i është dashur t’i ndërrojë klasat dhe mësueset, që është mjaft e lodhshme për një fëmijë me nevoja të posaçme.

Drejtori i Shkollës Fillore “Bashkimi”, Ziadin Nuredini, e pohoi se Ëmbla me moshatarët mëson vetëm disa nga orët mësimore, ashtu siç janë dakorduar edhe me prindërit e fëmijëve të tjerë.