Në Maqedoninë e Veriut u mbajtën sot raundi i parë i zgjedhjeve lokale. Pas përfundimit të procesit të votimit në orën 19:00, ka nisur edhe numërimi i votave dhe kanë dalë rezultatet e para.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, VMRO-DPMNE arrin një fitore të fortë me të paktën 53 komuna. LSDM me koalicionin e saj e ndjek si forcë e dytë me 8 të tilla. Sa i takon koalicioneve të partive shqiptare, koalicioni vlen ka një epërsi të lehtë ndaj AKI-së së Ali Ahmetit, duke u ndarë në rezultatin paraprak të 8 komunave për vlen dhe 6 për AKI dhe PD e turqve 1.

Ato i kanë ndarë thuajse në mënyrë të barabartë komunat me shumicë shqiptare. Kështu koalicioni VLEN ka fituar sipas të dhënave të deritanishme Haraçinën, Bogovinjën, Bervenicën, Dibrën, Sarajn, Tearçen, Tetovën dhe Çairin.

Ndërkohë komunat shqiptare të fituara nga koalicioni i Ali Ahmetit janë Buteli, Vrapçishta, Gostivari, Zhelina, Lipkova dhe Pllasnica.

Votimi u hap në orën 07:00 dhe qytetarët iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e 81 komunave dhe anëtarët e këshillave komunalë, përfshirë edhe qytetin e Shkupit. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) informoi se pjesëmarrja ishte 46.65% deri në orën 18:30.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pance Toshkovski, në një konferencë për media tha se 11 persona u arrestuan për shitblerje votash, ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha se pret fitore historike për VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin.

Procesi zgjedhor u zhvillua në 3,474 qendra votimi në të gjithë vendin, ndërsa në listën e votuesve u regjistruan 1,832,415 qytetarë me të drejtë vote. Në zgjedhje morën pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 grupe të pavarura qytetarësh, duke përfshirë gjithsej 309 kandidatë për kryetar komune dhe 576 lista për anëtarë këshillash. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:32
Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, rezultatet e para, VMRO-DPMNE kryeson në 51 komuna, koalicioni VREDI në 9

1760891507_votim.JPG

Kanë dalë rezultatet e para, në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE kryeson në 51 komuna.

Koalicioni VREDI kryeson në 9 komuna, SDSM dhe NAI në 7.

Ora 20:45
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut/ Ministri i Brendshëm: U arrestuan 11 persona për shit-blerje votash

1760899707_aa.JPG

11 persona janë arrestuar në Maqedoninë e Veriut për shitblerje votash në zgjedhjet lokale që u mbajtën sot.

Kjo është bërë me dije nga Ministri i Punëve të Brendshme, Pance Toshkovski, në një konferencë për media.

“Me krenari e them se zgjedhjet e sotme ishin më të qetat dhe më demokratiket deri më tani. Sot dëshmuam se kur instutucionet funksionojnë, demokracia është në rritje. Janë denoncuar 91 raste në gjithë Maqedoninë, shumica prej tyre kanë të bëj me blerjen e votës, fotografimin e votës, e kështu me radhë. Janë arrestuar 11 persona katër janë liruar ndërsa 7 të tjerët janë në procedurë e sipër”, tha ai.

Ora 20:35
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Mickoski: Presim fitore historike për VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin

1760899147_aa.JPG

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka reaguar lidhur me zgjedhjet lokale që u mbajtën sot në Maqedoninë e Veriut. Ai ka thënë se pret fitore historike për VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin.

Bazuar në informacionin që kemi aktualisht në dispozicion, mund të them se dita e zgjedhjeve po kalon në mënyrë paqësore dhe dinjitoze, siç pritej, dhe në përputhje me sjelljen e qytetarëve maqedonas. Pres që të përfundojë në të njëjtën mënyrë dhe që rezultatet të shënojnë një tjetër fitore historike për VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin, tha kryeministri Hristijan Mickoski për mediat të dielën pasi votoi në qendrën e votimit në komunën Karposh gjatë raundit të parë të zgjedhjeve lokale të vitit 2025.

Ora 19:54
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, përfundon procesi i votimit, pjesëmarrja 46.65% deri në orën 18:30

1760887498_kutivotiminemaqedonineeveriut.JPG

Ka përfunduar në orën 19:00 orari zyrtar i procesit të votimit për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dalja në zgjedhje deri në orën 18:30 ishte 46.65 për qind.

Ora 19:06
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut/ Policia arreston dy persona, u prezantuan si vëzhgues

1760893925_aa.JPG

Teksa vijon procesi i votimit për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, policia ka arrestuar dy persona.

Sipas mediave maqedonase, ata janë arrestuar në oborrin e një shkolle fillore në Çair të Shkupit, pasi u prezantuan si vëzhgues, ndërsa refuzuan që të tregonin dokumentin e identifikimit.

"Individët nuk ishin të përfshirë në procesin zgjedhor, por u paraqitën si vëzhgues të procesit zgjedhor. Ata ishin në oborrin e shkollës dhe refuzuan të identifikoheshin", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

Ora 18:27
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, KSHZ: Pjesëmarrja në votim 39% deri në orën 17:00

1760891426_aa.JPG

Në Maqedoninë e Veriut po votohet këtë të dielë për raundin e parë të zgjedhjeve lokale për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunalë në 80 komuna, plus Shkupin (81 në total). Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, raportoi se 39% e qytetarëve votuan deri në orën 17:00

Ora 17:22
Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, pjesëmarrja në votim mbi 31% deri në orën 15:00

1760887420_zgjedhjetlokalermv.JPG

Në Maqedoninë e Veriut po votohet këtë të dielë për raundin e parë të zgjedhjeve lokale për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunalë në 80 komuna, plus Shkupin (81 në total). Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, raportoi se deri në orën 15:00, kanë votuar 31,16 % e qytetarëve me të drejtë vote. Procesi i votimit ka filluar në orën 07:00 dhe qytetarët do të mund të votojnë deri në orën 19:00. Më pas do të nisë numërimi i votave dhe shpallja e rezultateve të para. Numërimi në proceset zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, zhvillohet në qendrat e votimit.

 

Ora 13:19
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut! 20.17% e qytetarëve kanë votuar deri në orën 13:00

 

Në Maqedoninë e Veriut, këtë të diele janë duke u mbajtur zgjedhjet lokale.

U raportua se deri në orën 13:00, sipas të dhënave të KSHZ-së, në zgjedhje kanë pjesë vetëm 20.17 për qind e votuesve. 

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve konfirmoi se kjo ka ndodhur në të gjitha vendvotimet. 

Qytetarët do të mund të votojnë deri në orën 19:00 dhe më pas do të nisë numërimi i votave dhe shpallja e rezultateve të para.