Në Maqedoninë e Veriut të dielën mbahen zgjedhjet vendore. Qytetarët do të votojnë për kryetarët e komunave dhe anëtarët e këshillave komunalë në të 80 komunat dhe në kryeqytet, Shkup. Sipas sondazheve, favorite është partia në pushtet VMRO-DPMNE. Opozita, Lidhja Socialdemokrate (LSDM), vazhdon të përballet me krizë të brendshme pas disfatës së rëndë në zgjedhjet parlamentare të majit 2024.

Garat më të ngushta pritet të jenë në komunat ku partitë shqiptare po konkurrojnë për pushtet. Në rreth 15 nga 81 komunat, shqiptarët janë shumicë. Një betejë e fortë pritet midis koalicionit qeveritar shqiptar VLEN dhe koalicionit opozitar Aleanca Kombëtare për Integrim, i udhëhequr nga BDI-ja.

Janë 309 kandidatë për pozicionin e kryetarëve të komunave 80 komunave dhe qytetit të Shkupit. Po ashtu, janë regjistruar 576 lista të kandidatëve për anëtarë të këshillave komunalë, me 10490 kandidatë në total në këto zgjedhje.

Gara më e fortë është në Komunën e Çairit në Shkup, ku kandidon Bujar Osmani nga koalicioni Aleanca kombëtare për Integrim dhe Izet Mexhiti nga koalicioni Vlen, dy kandidatë shqiptarë që vijnë nga parti rivale. E fortë pritet të jetë gara edhe në Komunën me shumicë shqiptare në Tetovë, ku kandidon Bajram Rexhepi nga Aleanca Kombëtare për Integrim dhe Bilal Kasami nga koalicioni Vlen.

Në garë marrin pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 iniciativa qytetare ose kandidatë të pavarur. Të drejtë vote kanë mbi 1,8 milionë qytetarë. Në procesin e votimit do të marrin pjesë 2.162 persona të burgosur ose në paraburgim, si dhe 450 votues nga shtëpitë e të moshuarve.