TIRANË- Kryebashkiaku Erion Veliaj ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim për falsifikim dokumentesh. I pari i Tiranës pretendon se firma e tij është falsifikuar dhe një person tjetër ka firmosur sikur ai të ketë marrë dijeni në qeli për një vendim të Apelit të GJKKO-së dhe për këtë arsye i është drejtuar organit të akuzës me një kallëzim.
Veliaj i referohet një vendimi të marrë nga gjyqtari Engert Pëllumbi më datë 20.10.2025, ku u rrëzua kërkesa e tij për të shpallur të pavlefshme veprimet hetimore paraprake të SPAK. Veliaj thotë në kallëzim se vendimi i Apelit të GJKKO-së u shpall në mungesë të tij dhe mbrojtësve dhe pretendon se njoftimi për këtë vendimmarrje nuk i është komunikuar asnjëherë personalisht. Sipas Veliajt, në dosjen e Apelit të GJKKO-së është arkivuar një njoftim sikur ai të ketë marrë dijeni për shpalljen e këtij vendimi dhe që mban edhe firmën e kryebashkiakut.
Por Veliaj thotë në kallëzim, se ky nënshkrim nuk është firma e tij, ndërsa shton se ka kërkuar informacion edhe nga Burgu i Durrësit, i cili i ka komunikuar një se vendimi i Apelit nuk ka mbërritur asnjëherë në burgun ku Veliaj ndodhet i paraburgosur.
“Deklaroj shprehimisht dhe në mënyrë të prerë se ky nënshkrim nuk është firma ime. Kjo konstatohet drejtpërdrejt nga unë dhe konfirmohet objektivisht, pa asnjë dyshim, nga krahasimi me nënshkrimet e mia autentike të depozituara në dokumente të tjera zyrtare. publike dhe private, të cilat janë lehtësisht të verifikueshme.
Për të verifikuar në mënyrë objektive dhe të pakontestueshme pretendimin e njoftimit, kam kërkuar zyrtarisht informacion nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës, institucion në të cilin ndodhem i privuar nga liria. Me shkresën nr. 218 Prot., datë 14.01.2026, 1.E.V.P. Durrës ka konfirmuar shprehimisht se vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nuk ka mbërritur asnjëherë në këtë institucion. Ky fakt administrativ, i provuar me akt zyrtar, e bën objektivisht dhe juridikisht të pamundur marrjen e dijenisë nga ana ime për vendimin në fjalë, si person i izoluar, dhe përjashton çdo mundësi që njoftimi të jetë kryer në mënyrë të rregullt dhe të vlefshme”, thuhet në kallëzim.
Kryebashkiaku i Tiranës thotë se firma i është falsifikuar qëllimisht me qëllim që të aktivizohet në mënyrë fiktive afati i ushtrimit të rekursit në Gjykatën e Lartë.
“Këto dy elemente të provuara, mungesa absolute e çdo njoftimi real dhe ekzistenca e një deftese komunikimi me nënshkrim jo autentik në emrin tim, përbëjnë, të marra së bashku, provë të drejtpërdrejtë dhe të pakundërshtueshme se dëftesa e komunikimit është falsifikuar. Ky falsifikim është kryer me qëllim që të deformohet artificialisht fakti juridik i njoftimit mbi vendimin gjyqësor dhe të aktivizohet në mënyrë fiktive afati i ushtrimit të rekursit në Gjykatën e Lartë”, thuhet në kallëzim.
Sipas Veliajt, ky veprim cenon rëndë të drejtën kushtetuese për ankim, sigurinë juridike dhe parimin e procesit të rregullt ligjor, duke synuar realisht humbjen e së drejtës së rekursit përmes përdorimit të një akti zyrtar të rremë.
Në kallëzim kërkohet:
• regjistrimi i menjëhershëm i procedimit penal,
• ekspertim grafik i nënshkrimit,
• hetimi i zinxhirit të plotë të personave që kanë hartuar, administruar apo përdorur këtë dokument,
• si dhe hetimi i çdo vepre tjetër penale që mund të rezultojë gjatë hetimit, përfshirë shpërdorimin e detyrës.
Një kopje e kallëzimit penal i është depozituar gjithashtu Gjykatës së Lartë, si provë se afatet procedurale për ushtrimin e rekursit nuk kanë filluar kurrë ligjërisht, për shkak të mungesës së një njoftimi të vlefshëm.

Kliko këtu për të lexuar kallëzimin e plotë
Komente









Ja ku ka arritur drejtesia ne Shqiperi, flasifikojne firmat nga ana tjeter gjyqtare me 5 mbiemra nuk do e mendoja kurre por kishte te drejte Saliu
PërgjigjuKa mundesi te na tregoje dikush nese Dumani,Bani dhe Dado jane te perfshire ne kete krim?
PërgjigjuJa se ta tregon Mece me avukat Beqirin. E fitoi gjyqin kunder Rames ky apo padroni nuk permendet? Keta te tre jane te Saliut besoj