SHKODER- Një ndërhyrje e shpejtë e Policisë së Shkodrës ka bërë të mundur shpëtimin e një 59-vjeçareje që tentoi t’i japë fund jetës duke u hedhur në ujërat e lumit Buna.

Për Report TV, efektivi Erixhon Senko ka rrëfyer momentet e ndërhyrjes, duke treguar se reagimi i menjëhershëm ishte vendimtar për shpëtimin e jetës së gruas.

“Ne morëm njoftim nga salla operative se një person po hidhej tek Ura e Bunës. Kur u afruam pamë se personi kishte rënë në ujë. Nuk e mendova dy here dhe u hodha për ta shpëtuar. Kjo është e parë që marr pjesë ne operacion të tillë. Pasi e nxora nga ujë më ndihmuan kolegët për ta transportuar drejt spitalit. Jam i emeruar në Policine e Shkodrës që në tetor 2024 kur kreva Akedeminë.

Ai shprehet se pas ngjarjes ka marrë shumë telefonata dhe mesazhe përgëzimi për gjestin human, ndërsa thekson se shpëtimi i jetëve është misioni kryesor i Policisë së Shtetit.

“Kam marrë shumë urime dhe falenderime nga kolegët dhe të njohur por dhe nga qytetarët. Ky është një gjest që rrit besimin tek Policia e Shtetit”, shton ai.

Në këtë ndërhyrje morën pjesë edhe efektivët Françesko Hoxha, Kristjan Loci dhe Armel Sufaj, të cilët bashkëpunuan për të nxjerrë 59-vjeçaren nga uji dhe për ta transportuar drejt spitalit. Aktualisht, 59-vjeçarja ndodhet e shtruar në Spitalin Rajonal të Shkodrës, jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka sjellë reagime pozitive nga qytetarët, të cilët kanë vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e efektivëve të policisë.