Nuk e meritojmë gjithë këtë tension

Nuk e meritojmë gjithë këtë tension

Eshtë një fill i hollë sa një fije bari që ndan qytetërimin nga pesha e rëndë e ekzistencës në vendet akoma në zhvillim, siç është dhe vendi ynë i dashur. Ky fill, mendoj, është ndjeshmëria, aftësia për të dëgjuar, perceptuar e më pas vepruar për të përmirësuar veten dhe vendin ku jetojmë. Po shkojmë në 30 vite liri dhe menduam se mund të dalim nga ky tranzicioni ynë i gjatë e i lodhshëm më të qetë e më të lirë. Por akoma kështu nuk po ndodh.

Në Shqipëri shumë ngrihen në mëngjes të trishtuar, të mërzitur, të pashpresë dhe gjendjen e tyre e ndajnë me mjetin më të kollajtë: Rrjetet sociale.

Eshtë e vështirë të ecësh përpara normalisht në një vend ku nuk dëgjojnë ose janë fare pak ata që e bëjnë. Të merresh në konsideratë, të kërkosh të krijosh, duhet të bërtasësh fort, ose të kesh një peshë në shoqëri prej së cilës të jenë të detyruar të të dëgjojnë: politikan, i pasur, gazetar, prokuror, doktor, trafikant... të jesh dikush që ke në dorë diçka e që një ditë mund ta përdorësh për mirë apo për keq. Zakonisht, kjo pozitë është një forcë për t'u hakmarrë: “Ta shohësh çfarë do të të bëj kur të vij unë në pushtet, kur të vish të më kërkosh një nder, një punë, një favor etj. etj.”. Në të kundërt je një asgjë që rrotullohesh në kohë e në hapsirë, që përqeshesh e shpërfillesh më keq se një gjethe vjeshte në krahët e erës.

Nuk e meritojmë këtë përplasje e këtë konflikt të stërgjatur politik. Nuk e meritojnë shqiptarët e urtë e të ndershëm, të cilët janë pjesa më e dëmtuar në gjithë këtë histori. Të gjithë ata njerëz në periferi të vëmendjes, që jetojnë pa bërtitur, kërcënuar, pa sharë e shantazhuar njeri. Nuk e meritojnë njerëzit e sjellshëm e sidomos të vegjëlit e të moshuarit. E meqë të gjithë zjarrëndezësit e këtij tensioni kanë në shtëpi të moshuar e fëmijë, të paktën duhet të heshtin për nder dhe respekt të tyre. Por jo, përleshen pafund e pa mëshirë.

Të fortët jetojnë mirë në Shqipëri: Të jesh trafikant, nëpunës i korruptuar, politikan në pushtet apo opozitë i ke të gjitha mundësitë për të mbijetuar. Zhurma e tyre dhe portofolët e fryrë janë gomone që i mbajnë në sipërfaqe të kësaj përplasje. Më të brishtët nuk e meritojnë këtë sfilitje e kakofoni.

Shqipëria sot është kjo dhe këtë nuk ka shtet që mund ta ndreqë, veç ndërgjegjes sonë. Kush është në pushtet karakterizohet nga një optimizëm i ekzagjeruar dhe kush e ka humbur atë, nga një pesimizëm e depresion ekstrem, ndërkohë në mes shtypen, përzihen e shpërfillen ata që nuk janë rreshtuar në asnjë pozicion, ata që mendojnë se Liria është më e shtrenjta, por ende më e ëndërruara hapsirë.

Paskemi qenë një popull i mrekullueshëm, ne shqiptarët, që po durojmë me mençuri të gjithë provokimet e nxitjet për dhunë, për shkatërrim dhe për urrejtje mes njëri-tjetrit. Nuk e di kush tjetër si ne do ta duronte kaq gjatë banalitetin e të keqes.

xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën