Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, kryeministri Edi Rama garantoi se nuk do ta prekin pavarësinë e SPAK dhe GJKKO, por ai renditi gjithçka po bëhet për ndryshimin e ligjeve të drejtësisë, nën asistencën e ekspertëve të më të mirë ndërkombëtarë.

“Të gjithë ne këtu do ta mbajmë shumë fort parasysh beben përpara sesa të derdhim ujin e pistë, që do ta derdhim sepse reforma në drejtësi është një investim strategjik i Partisë Socialiste të Shqipërisë, për një ndryshim të pakthyeshëm historik me plot kuptimin e fjalës si pavarësimi i drejtësisë dhe çdo diskutim, reflektim apo vendim i yni si ligjvënës që zotërojmë, jo rastësisht. Thonë që kur populli zgjedh, populli ndjen dhe është ajo që populli ndjen që shtyn rezultatin në drejtime ta caktuara që nganjëherë befasojnë të gjithë ata që i shikojnë gjërat nga lart dhe jo nga poshtë siç i sheh njeriu i zakonshëm.

Ne si zotërues të kësaj shumice të cilësuar në lidhje me sistemin e drejtësisë duhet të udhëhiqemi nga kjo e vërtetë e madhe dhe duhet t’i shërbejmë vetëm kësaj të vërtete të madhe. Drejtësia e pavarur është investimi më i madh i Partisë Socialiste për të gjithë brezat që vijnë. Asnjë hap mbrapa.

Pavarësia e gjyqësorit nuk preket, vetëm forcohet.

SPAK nuk preket, vetëm mbështetet. Hapa përpara po, pa asnjë diskutim.

Politika penale, procedurat penale, garancitë juridike për nëpunësit civil, dënimet alternative, rivijëzimi i kufijve mes çështjeve penale dhe atyre administrative që janë bërë si ato vizat e bardha që kanë vetëm namin, por jo nishanin dhe natyrisht në radhën më të parë ngritja e piedestalit të shembur të prezumimit të pafajësisë, jo vetëm si një parim universal i lirisë dhe të drejtave të njeriut në një rend demokratik, por edhe si një domosdoshmëri shoqërore për një vend si yni i cili ka dalë nga një traumë dehumanizimi si ajo e diktaturës së prokurorëve dhe gjykatësve të kohës së komunizmit pasojat e të cilës luajnë ende sot rolin e tyre dhe në jetën e sotme institucionale të vendit, janë çështjet tona në radhë të parë. Janë përgjegjësia jonë!

Ata 58% shqiptarë dhe shqiptare që rrinë nëpër burgje pa gjyq janë çështja jonë dhe janë përgjegjësia jonë. Ai numër rrëqethës që e vendos Shqipërinë të parafundit gjysmë hapi para Rusisë për raportin mes dënimeve dhe pafajësimeve është çështja jonë, është përgjegjësia jonë dhe këto nuk na i merr dot askush. Këto nuk ia delegojmë dot askujt dhe për këto duhet t’i përgjigjemi ne në radhë të parë gjithkujt.

Është një tematikë e vetëvendosur në rendin tonë në ditës. Prandaj jemi angazhuar si fillim me ministritë e Drejtësisë së Italisë dhe të Francës. Na kanë vënë në dispozicion një rrjet ekspertesh më të mirët që ata kanë në fushën e politikë penale dhe të proceduarve penale me Këshillin e Europës që po ashtu na ka vënë në dispozicion ekspertët e vetë për të hartuar një dokument ndryshimesh lidhur me procedurat penale të cilën natyrisht do ta konsultojmë edhe me Komisionin Europian.

Edhe draftin e ri të Kodit Penal, një punë kolosale e një grupi ekspertësh të pavarur nën udhëheqjen e drejtorit të shkollës së Magjistraturës, profesor Arben Rakipi pasi u reflektua prej grupit edhe një lumë vërejtjesh të nxjerra nga konsultimi publik, e kemi ndarë së bashku me ata që thashë, me mbështetjen e këtyre mistrive si dhe qeverisë së Holandës, e cila na ka vënë bujarisht një ekspert me shumë përvojë.”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Grupi i PS/ Rama 'lumë' kritikash drejtësisë: Nuk e prekim pavarësinë! Ja 7 çështjet për të cilat do të ndërhyjmë, marrim ‘ok’ nga KE (VIDEO)