Kryefjala gjeopolitike që ka bashkuar vendet e Ballkani Perëndimor ka qenë “integrimi euroatlantik - NATO dhe BE”. Natyrisht, “Integrimi në BE”, si koncept dhe platformë bashkëpunimi mes vendeve të rajonit ka qenë dhe mbetet ende si një nga objektivat kryesore. Mirëpo, edhe lagjja jonë ballkanike, është trazuar së brendshmi dhe së jashtmi, duke krijuar vonesa dhe paqartësi lidhur me kalendarin e anëtarësimit. Vetë Bashkimi Evropian, nga ana e tij, afrimin e vendeve tona drejt pranimit formal, ka disa kohë që e ndjek më shumë si një mekanizëm për mbijetesën e vet, sesa si  nevojë reale për tregjet tona ekonomike. Këtë e dëshmoi së fundi edhe zgjatja e konceptit federalist evropian tek Kanadja apo përpjekjet për rikthimin e Britanisë së Madhe në gjirin e Unionit.

Të papërgatitur sa duhet përballë trampizmit neo-globalist, ku aktorë të tjerë po vendosin piketat e interesave të tyre strategjike afatgjata, ideologët dhe burokratët e BE-së, po shohin me seriozitet formën që do të ketë BE pas 30 viteve të ardhme. Nuk ka qenë diskutuar kurrë nëpër korridore dhe forume politike ideja e një mbijetese post-covid të BE-së, por ja që pikërisht kjo fjalë, “mbijetesa”, ka nisur të zërë vend e të diskutohet brenda dhe përreth BE-së, duke i dhënë një “argument” të mirë edhe propagandës ruse, kineze dhe neo-sovraniste, që duan të shohin një shpërbërje çfarëdo qoftë të Bashkimit Evropian. Magnituda anti-europianiste e këtyre viteve ka qenë aq e fortë, sa përveç konceptit themelor ekonomiko-politik të BE-së është tentuar të preket edhe struktura e saj e sigurisë, NATO. Nëse NATO për shkak të specifikave dhe rrethanave të konflikteve në kufijtë e saj apo më larg se kaq, ka gjetur energji rigjeneruese dhe ka tejkaluar disi rrezikun nga shpërbërja, BE ende duket se është në mes të ciklonit. Përtej çdo formulimi strukturalist të ideve për BE-në e së ardhmes, përtej çdo novacioni në rikonceptimin e saj aktual apo me anëtarë të rinj (të asociuar, etj) në bazë të çdo diskutimi është ekonomia dhe teknologjia e re – dy shtylla që duhet të mbajnë në këmbë këtë megastrukturë të dobishme në të ardhmen.

Fakti që BE dhe politika e jashtme e saj lihet përgjithësisht jashtë tryezave të sotme kur diskutohet për paqen, nuk e bën atë më pak të rëndësishme dhe do të vijë momenti, që ajo do të thotë fjalën e vet. Historia ka treguar se pa zërin evropian, asnjë paqe në botë dhe asnjë riformatim i sferave të influencës dhe tregjeve, nuk ka mbijetuar gjatë. Entuziazmi fillestar i administratës Trump për marrëdhëniet me Rusinë, me Kinën dhe aktorë të tjerë global, nuk është i panjohur për ata që janë vigjilent në marrëdhëniet ndërkombëtare. Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, apo në disa faza të tjera ka patur qasje të tilla të përkohshme, por në fund ka predominuar aleanca euro-atlantike, sepse as Amerika nuk bën dot pa Evropën dhe as Evropa nuk bën dot pa Amerikën. Për të vërtetuar këtë, mjafton të shohim historinë për nja njëqind a dyqind vitet e fundit, para se Trump të hidhte shikimin përtej traditës së marrëdhënieve me Evropën. Ideja se marrëdhëniet e mira të partneritetit strategjik me vende të caktuara të BE-së, duke injoruar vetë BE-në, në fakt ka sjellë pasoja dhe kjo ka lehtësuar shumë revanshizmin antievropian të Rusisë dhe ambiciet e Kinës për më shumë prezencë ekonomike në kontinentin tonë.

Nga ky këndvështrim, të gjithë strategjistët europianë, amerikanë, rusë, kinezë, arabë, latino-amerikanë, britanikë, kanadezë etj, po përpiqen të ngjisin malin e pikëpyetjeve për të gjetur përgjigjen më të mirë për të ardhmen e tyre. Vetë BE po hulumton se si do të pozicionohet në tri – katër dekadat që vijnë, ndërkohë që armiku kryesor i saj është koha. E them këtë sepse, ndonjëherë koha e pamjaftueshme për të marrë vendimet më të drejta dhe për të ndërtuar strategjitë më të sakta, nuk mjafton dhe, më duket se jemi pikërisht në këtë udhëkryq kohor, kur duhet maksimumi i mençurisë dhe fuqia e vendimmarrjes. Kjo do të thotë, që, në raport me Ballkanin Perëndimor, ose Ballkanin Evropian (BE) Brukseli duhet të marrë vendime të shpejta, të qarta, të drejta, gjeostrategjike dhe afatgjata!

Vonesat për një integrim të Ballkanit Perëndimor në BE, nisin që nga Samiti i Selanikut, në 2003, atëherë kur konfliktet ndëretnike kishin përfunduar, paqja dhe stabiliteti po konsolidohej, bashkëpunimi mes shteteve po shtohej, kufijtë mes tyre po relativizoheshin, entuziazmi publik dhe mbështetja pro-integrimit ishte në shkallën më të lartë, Rusia dhe të tjerët ishin larg ndikimit dhe influencës domethënëse, frika nga terrorizmi dhe ekstremizmi islamik po tretej dhe, marrëdhëniet euro-atlantike ishin në ditët e tyre më të mira. Nga ky këndvështrim kohor dhe nga vendimmarrja e atëhershme, imagjinoni se sa kohë kemi humbur të gjithë së bashku! Në fund të fundit, konceptin dhe strategjinë e integrimit të rajonit tonë në BE duhej ta udhëhiqte vetë BE-ja dhe nuk mund ta kryenin këtë detyre elitat postkomuniste dhe postkonfliktuale të Ballkanit Perëndimor. Në emër të gjoja partneritetit dhe lënies së zbatimit të detyrave të shtëpisë vetëm vendeve aspirante, BE e la mënjanë rolin proaktiv të saj dhe donacionet financiare he raportet monitoruese, nuk qenë të mjaftueshme për të na bërë më të gatshëm për integrim.

Humbja e kohës në procesin e integrimit tonë në BE, nuk është vetëm një realitet i dhimbshëm historik, por duhet trajtuar në të ardhmen edhe si strategji e gabuar e Brukselit, i cili vuri formulimet burokratike, para parimeve filozofike e politike të zgjerimit dhe, në një farë mënyrë, zgjodhi stabilokracinë, në vend të standardeve demokratike, duke bërë që shumë nga vendet e rajonit tonë, ta shohin integrimin si dekor dhe jo si platformë të përditshme pune. Duke qenë se shumica e vendeve tona, iu rikthyen traditës sovraniste të udhëheqjes dhe deformimit të pluralizmit politik në autokraci politike, deformimet në ndërtimin e institucioneve demokratike, shfaqën pasojat e tyre edhe në raport me përmbushjen e detyrimeve të procesit integrues. Anëtarësimi i Shqipërisë, por edhe Kroacisë e Malit të Zi në NATO, krijoi përshtypjen e gabuar se, një ditë edhe BE do të na anëtarësojë kështu siç jemi, sepse ne as nuk kemi ndërmend dhe as nuk mund të përmbushim kriteret. Ky lloj mentaliteti qe vetëvrasës dhe dekurajues për strukturat përgjegjëse, aq sa vetë BE vuri alarmin dhe ndryshoi disa herë strategjinë e saj.

Kur jam te humbja e kohës në proceset integruese të Ballkanit Perëndimor, është vendi ndoshta të përmend rastin e Maqedonisë së Veriut, të cilin e kam ndjekur prej shumë kohësh. Kur unë nisa detyrën në Shkup si ambasador, në vitin 2009, Shqipëria formalizoi anëtarësimin në NATO dhe shqiptarët aty organizuan festime dhe shtuan kërkesat te qeveria e tyre për të gjetur zgjidhje për hyrje në NATO. Përkundër kësaj, qeveria e zotit Gruevski, iu rikthye modelit të vjetër të shtetit sovranist, duke promovuar një strategji etno-politike, e cila u shoqërua edhe me investime prej qindra-milionë euro në ndërtimin e skenës së teatrit “Shkupi 2014”, në të cilin u luajt drama e dialogut me Greqinë. Ky dialog ishte më shumë monolog, sesa bashkëbisedim dhe, duhej të kalonin 10 vite, deri në 2018, kur një politikan kurajoz, si Z. Zaev, të sakrifikonte pushtetin e tij për t’i dhënë anëtarësim vendit në NATO. Vendi ndryshoi emrin dhe ndërhyri në kushtetutë, për hir të integrimit në NATO. Tani i kërkohet e njëjta kurajë në bisedimet me Bullgarinë, por duket se vendi është larg kompromisit. Por, pyetja shtrohet, kush humbi dhe kush fitoi nga vonesa e RMV-së? Pikërisht RMV, sepse Greqia ishte në NATO dhe vetoja e saj kundër fqinjit veriperëndimor nuk kishte ndonjë kosto, ndërkohë që shteti dhe qeveria Gruevski shpenzoi miliarda euro dhe humbi shumë kohë. Edhe tani, vonesat do të reflektojnë kosto për këtë vend, nëse nuk bën progres në raport me Bullgarinë, e cila është në BE.

Shqipëria e ka patur që në fillim një perspektivë të qartë dhe një mundësi reale anëtarësimi, por lufta e brendshme politike, pengesat në zbatimin e reformave, problemet me drejtësinë dhe funksionimin e shtetit ligjor të barabartë për të gjithë, kanë shkaktuar vonesa të panevojshme dhe me kosto të lartë. Megjithatë, progresi që ajo ka bërë me hapjen e kapitujve dhe fillimin e procesit të mbylljes së disave prej tyre është për t’u vlerësuar. Ka një qasje pozitive të burokracisë së Brukselit ndaj Tiranës, e cila duhet të shfrytëzohet sa më mirë dhe sa më shpejt. Nëse Shqipëria, duke u marrë me problemet e saj të brendshme e humbet këtë momentum, atëherë do të jetë shumë e vështirë të rikthehet në të njëjtën linjë komunikimi dhe përafrimi me BE-në. Unë mendoj se një mazhorancë e konsoliduar, e cila u votua një vit më parë, e ka fuqinë e vetëkorrigjimit dhe shkëputet nga disa probleme, që lidhen me korrupsionin, ndëshkimin e zyrtarëve të lartë dhe të bëjë dialog të dobishëm me qytetarët për reformat e qeverisjes lokale. Ajo duhet të zgjerojë dialogun jo vetëm me partitë e opozitës, por edhe me qytetarët kur është fjala për integrimin në BE, duke e bërë transparent procesin dhe gjithëpërfshirës!

Nëse të gjitha palët, mazhoranca dhe opozita bien dakord që fitorja më e dobishme e tyre është mundja e njëri-tjetrit në arenën e luftës politike, atëherë ky do të ishte një ogur i zi për vendin, sepse para fitores së secilës forcë politike, shqiptarët kanë nevojë të fitojnë një herë për veten e tyre! Dhe kjo fitore e tyre lidhet me integrimin në BE dhe objektivi që në 2030 Shqipëria të anëtarësohet, edhe nëse nuk duket shumë realist, atëherë, të bëhemi të gjithë të përgjegjshëm dhe ta bëjmë të tillë!

Nëse e shohim perspektivën e afërt të integrimit në BE të rajonit tonë, ajo duket e zymtë dhe, ndoshta të vetmet lule të reja që mund të çelin në kopshtin e BE-së deri në 2030 janë Shqipëria e Mali i Zi. Pengesat që faktorë të jashtëm përpiqen t’i bëjnë Malit të Zi, duket se po kapërcehen me kurajë dhe largpamësi dhe vendi po bën hapa seriozë përpara, duke nxjerrë edhe mësimet e duhura nga koha e humbur. Pozicioni gjeografik, por tashmë edhe gjeopolitik, si anëtar në NATO dhe në fqinjësi shembullore me Shqipërinë dhe Kroacinë, po e favorizojnë politikën malazeze të përmbushë disa detyrime dhe të përafrohet më mirë me BE. Natyrisht edhe vetë BE, nuk pret nga Podgorica e Tirana transformim të madh dhe përmbushje të plotë të detyrimeve, por hapat që po bëjnë janë inkurajues dhe do të ishte dramatike një vonesë e re, pavarësisht shkaqeve dhe arsyeve.

Republika e Maqedonisë së Veriut, ka përpara vetes sfida më të mëdha, qoftë në planin e brendshëm, përsa i përket akomodimit të interesave të etnive të ndryshme, qoftë në planin e jashtëm, në raport me Bullgarinë. Serbia, e sheh me sy të mirë një vonesë të re dhe një problem të ri të Shkupit me Sofjen, sepse ajo nuk e do një progres të këtij vendi në BE, ashtu siç nuk e mirëpriti anëtarësimin e saj në NATO. Influenca serbe në këtë vend është e konsiderueshme, por politikanët kurajozë në RMV e kanë kuptuar se interesat e vendit të tyre duhet të kalojnë maksimumi nga Uashingtoni e Brukseli dhe jo nga Moska e Beogradi.

Progresi i Shqipërisë drejt BE-së e ka nxitur edhe Shkupin zyrtar të mendojë seriozisht për hapat që duhet të bëjë, sepse faktori shqiptar aty, është gjithnjë një mekanizëm presioni që mund të diktojë zhvillime.

Kosova, për fat të keq, është shumë larg oborrit të BE-së dhe, ka humbur shumë kohë në procesin e njohjeve dhe konsolidimit të sovranitetit të saj shtetëror. Harxhimi i kohës duke “dialoguar” në distancë me Beogradin për çdo problem të brendshëm, atakimi dhe akuzimi i Beogradit për çdo dështim të brendshëm, ka sjellë pasoja serioze dhe humbje të orientimit të qartë tek reformat e brendshme dhe ecja drejt BE-së. Lufta e brendshme për pushtet, ka evindentuar probleme të mëdha në ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe, justifikimet kanë predominuar në raport me realizimin e objektivave. Varfëria ekonomike është një realitet i dukshëm dhe një lloj (vetë)izolimi ndërkombëtar, ka kohë që i sillet rrotull Kosovës, si një mjegull e errët, që nuk lejon as të shohësh nga brenda saj jashtë dhe as nga jashtë, brenda saj. Vendimet e fundit të Gjykatës Speciale për dënimin e disa politikanëve të saj dhe vonesat për zgjedhjen e kreut të shtetit, duket se po shërbejnë si karburant shtesë për krizën politike të saj gjatë këtij dimri. Kjo do të prodhojë lajme të “rëndësishme” për politikën në Kosovë, por asgjë interesante nuk është për lidershipin e BE-së dhe SHBA-së, ndërkohë që Tirana, ka problemet e saj.

Fitorja e pritshme e Aleksandër Vuçiçit në zgjedhjet parlamentare dhe rikthimi i tij në krye të shtetit me petkun e Kryeministrit, nuk e ndryshon thelbin e sjelljes së tij autokratike dhe problematike, qoftë në raportet e Serbisë me BE, qoftë me Kosovën. Narrativa nacionaliste që po përdor në fushatë dhe bisedat e fundit me Putin, paralajmërojnë se ai, si kryeministër, do të ketë më shumë fushë veprimi për afrim me Moskën dhe për të revanshuar sjelljen ndaj Kosovës, sesa kur ishte president. Kukulla që ai mendon të zgjedhë në krye të presidencës serbe, duket se do të jetë një rokadë putiniste, që të kujton lëvizjen Putin – Medvedev.

Në mënyrë të përmbledhur, mund të thosha se fakti që BE është në një udhëkryq të transformimit të saj federalist për dekadat që vijnë, nuk është gjithnjë favorizues për nxënësit e dobët dhe problematik të shkollës së saj të integrimit, siç është Shqipëria, Mali Zi, Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina. Përkundrazi, kjo periudhë duhet të na bëjë të gjithëve të mendojmë se si t’ia lehtësojmë rrugën njëri – tjetrit duke filluar këtu në shtëpinë tonë, në Shqipëri dhe duke vijuar me partnerët tanë strategjik të Bashkimit Evropian.

Autori është ish -Ambasador në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, anëtar i Këshillit të ambasadorëve dhe drejtor i Qendrës për Qeverisje të Mirë

*Ky shkrim botohet në kuadrin e një serie artikujsh me temë “Media dhe Integrimi evropian”  të  Institutit Shqiptar të Medias.