Burimet e Deutsche Welles thonë se takimi ka dështuar në tërësi dhe nuk ka pasur asnjë rezultat. Në fakt, përveç takimeve bilaterale me ndërmjetësuesen e Bashkimit Evropian në dialog, Federica Mogherini dhe një fotografie të bërë pak a shumë vetëm për hir të nikoqirëve dhe opinionit, mes delegacioneve nuk ka pasur asnjë bisedim serioz, sepse pozicionet janë krejtësisht të kundërta.
Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Mogherini kumtoi se së bashku me presidentët dhe kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, është mbajtur edhe një takim i nivelit më të lartë në dialogun për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës.
"Takimi i sotëm ka qenë vazhdimësi e dialogut që kemi pasur me 24 janar. Unë jam e inkurajuar me angazhimin kontruktiv të të dy palëve. Ky takim dhe angazhimi i tyre do të kontribuojnë për uljen e tensioneve”, kumtoi Mogherini duke shtuar se puna do të vazhdojë në këtë drejtim.
'Dialogu është një proces shumë i rëndësishëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për rajonin dhe Bashkimin Evropian. Progresi në normalizimin e raporteve është çelësi për paqë dhe përparimin e këtyre vendeve në procesin e integrimeve drejt BE-së.
Kjo është esenciale për Evropën dhe stabilitetin në rajon", pohon Mogherini. Sipas saj, palët kanë konfirmuar se janë të përkushtuara të punojnë së bashku në dialog. Mogherini ka falënderuar pjesëmarrësit e takimit, por sipas burimeve tona, takimi I përbashkët pothuajse nuk ka ndodhur fare.
Ishte e paraparë që pas takimeve bilaterale të delegacioneve me Përfaqësuesen e lartë të BE, të mbahet edhe një darkë e përbashkët. Kjo darkë nuk është mbajtur.
Megjithë premtimet në prag të takimit, se palët janë të gatshme për vazhdimin e dialogut konstruktiv, bisedimet kanë dështuar në tërësi. "Takimi ishte tmerrësisht i keq dhe pa asnjë rezultat”, thotë për Deutsche Wellen një burim diplomatik në Bruksel, në kushte anonimiteti.
Deklaratat në fillim të takimit ishin krejtësisht të kundërta për çështjen elementare: statusin e Kosovës. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar në prag të takimit se palët kanë rënë dakord që të "ulen tensionet”.
Në mëngjesin e ditës së mërkurë, ai ka zhvilluar një telefonatë me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiç. Megjithatë, duket se palët nuk janë të gatshme të lëvizin nga qëndrimet për çështjen kryesore – statusin e Kosovës.
Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliç tha në prag të takimit se pozicionet e delegacioneve janë krejtësisht të kundërta.
"Ata thonë se Kosova është e pavarur, ndërsa ne mendojmë se ajo është pjesë e pandashme e Serbisë, dhe nga kjo kurrë nuk do të heqim dorë", theksoi Nikoliç duke shtuar se 'Serbia nuk do të flas me askënd për pavarësinë e Kosovës".
Pala serbe ishte e interesuar të fliste për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nikoliç tha madje se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të kërkojë nga Prishtina të gjitha ato që kërkon Prishtina nga Beogradi.
Në pyetjen e DW nëse kjo do të thotë se ky Asociacioni do të kërkojë pavarësi, pasi Kosova e konsideron veten si shtet të pavarur, Nikoliç u përgjigj: "Po, do të kërkojmë pavarësi nga Prishtina, nëse Prishtina mendon se mund të jetë e pavarur nga Beogradi.”
Palët nuk kanë rënë dakord për vazhdimin e dialogut dhe nuk kanë caktuar ndonjë datë se kur mund të takohen sërish.
dy.b/shqiptarja.com
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)