Vladimir Gjuta i arrestuar për moskallëzim krimi për vetëplagosjen e 18-vjeçares hotel ‘Gjuta’ është një emër i njohur i botës së krimit. Gjuta është një 46 vjeçar me origjinë nga Kukësi dhe banim në Tiranë. Me arsim 8-klasë, ai ka një skedë të pasur me probleme me drejtësinë. Emri i tij u lakua për herë të parë në vitin 2013, ku u dyshua si i përfshirë në një konflikt të armatosur me një person tjetër me rekorde në Kukës për një borxh. Në atë kohë, të dy nuk pranuan se ishin përplasur me njëri-tjetrin dhe çështja u mbyll.

Një vit më pas, në Tiranë, një polic rrugor guxoi t’i vendoste një gjobë për parkim të gabuar Vladimir Gjutës, përpara kazinosë në pronësi të tij. Gjuta dhe 2 të tjerë goditën policin dhe për pasojë ai u arrestua, por gjykata vendosi ta linte në arrest shtëpie.

Në vitin 2015, Vladimir Gjuta u akuzua se ishte autori i vendosjes së tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm të kohës, Saimir Tahirit. Edhe pas shpërthimit me tritol, ai i dërgoi mesazhe kërcënuese Tahirit, çka e detyroi ministrin të lëvizë me masa të larta sigurie.

Për ta arrestuar, forcat speciale i shkuan “blic” në ambientet e “Vilës Gjuta”, e në rrugën e Elbasanit aty ku kishte informacione se qëndronte Vladimir Gjuta. Por blutë e vunë në pranga, teksa Gjuta po tentonte të arratisej duke u larguar drejt Kosovës, me një paruke në kokë.

Për këtë ngjarje u lirua pak ditë më pas, por shpejt, në 2016-ës, Gjuta u arrestua sërish pasi akuzohej për dhunë fizike ndaj babait të tij.

Dhunimi i të afërmve, u përsërit në fillim të vitit 2020 pasi qëlloi kushëririn e tij disa herë me çekiç, duke dëmtuar rëndë në fytyrë. U arrestua, por u lirua menjëherë pasi i afërmi i tij u tërhoq nga denoncimi.

Më 10 shkurt 2020 arrestimi i radhës. Vladimir Gjuta u ndalua nga punonjësit e Gardës pasi ishte afruar shumë pranë selisë së Partisë Socialiste në Tiranë, aty ku ndodhej dhe kryeministri Edi Rama. Në brez iu gjet një pistoletë me 18 fishekë dhe mbi 100 mijë euro në cantë. Ai u dënua me 5 vite burg për armëmbajtje pa leje.

Gjatë qëndrimit në burg, ai u gjend në disa incidente, që përfshinë goditje dhe kafshime të policëve të burgjeve, që gjithsesi nuk e mbajtën gjatë në qeli. Pavarësisht episodeve të sheshta kriminale ku përfshihej apo lakohej, Gjuta ja dilte të shpëtonte duke përdorur taktika nga tërheqja e të dëmtuarve, tek raportet mjekësore.


Lajmi kryesor:

Tiranë/ E dashura e nipit të Gjutajve plagoset në hotelin e familjes me armë! Policia nxiton: U vetëplagos! Arrestohet Vladimir Gjuta që ka fshehur ngjarjen, në kërkim i dashuri (EMRAT)