Prej javësh tashmë po deklarojnë largimin nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe qindra anëtarë dhe simpatizantë të saj. Së fundmi edhe 100 të rinj dhe të reja janë larguar nga LSI dhe do të marrin sot teserën e PS-së.

Një prej tyre, Altin Kazazi, ka folur në emër të të rinjve dhe është shprehur se Me LSI nuk i  lidh më asgjë pasi përfaqëson një rreth të ngushtë interesash familjarë.

 "Ne kemi dhënë kontributin tonë për LSI që në vitet e para të gjimnazit.  Por sot me LSI nuk na lidh me asgjë sepse LSI nuk përfaqëson më asgjë tjetër përveç një rrethi të ngushtë interesash familjare dhe politike!  Jemi shumë të keqardhur që LSI sot është kthyer në një parti ku duhet të jesh ose kushëri ose shërbëtor i familjes së udhëheqjes. Mjaft që të përmendim ish kryetarin e Bashkisë dhe kandidatët për deputetë sot, të gjithë kushërinj të Metës dhe shërbëtorë të Monikës.  Si mund të bëhemi ne shërbëtorë të kushërinjve të tyre gjoja në emër të rinisë? LSI thotë Shqipëria është shtëpia juaj, ndërsa LSI vetë është shtëpia e kushërinjve dhe shërbëtorëve që tjetër thonë e tjetër bëjnë! Ne nuk jemi dot fasada e propagandës elektorale te Monikës dhe Metës, prandaj sot të gjithë së bashku kemi vendosur të ikim nga shtëpia e kushërinjve dhe shërbëtorëve, po jo nga Shqipëria! Ne do të regjistrohemi anëtarë të PS aty ku po regjistrohen përditë ata që LSI-në e kishin pasion jo pazar! Çfarë nuk kemi dëgjuar dhe duruar për pazaret e bëra në Tiranë me kontributet tona elektorale! Boll më!  Ne do të vazhdojmë të angazhohemi si qytetarë në politikë për Beratin që duam me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste", tha ai.

Kujtojmë se ky largim prej 100 të rinjsh nga LSI vjen pasi disa ditë më parë edhe dega e LSI-së në Gjeroven të Beratit është shkrirë. Dorëheqja e kryetarit të kësaj dege solli dhe largimin e 140 anëtarët e degës së LSI-së në fshatit Gjeroven, të cilët u shprehën se ndihen të papërfaqësuar nga kjo forcë politike.

Deri më tani LSI-së i janë larguar figura të njohura, ku dy janë nga qarku i Beratit, Nasip Naço dhe Gledion Rehovica, si dhe Ish-drejtori i portit të Durrësit dhe ish-drejtori i Aviacionit Civil, Aleksandër Lipivani duke iu bashkuar PS. Të larguarit i kanë cilësuar largimet e tyre si të imponuar nga sjella politike e LSI dhe përfundimi i eksperimenteve politike të kësaj partie. Ndërkohë që edhe deputetja, Ediola Braha, u largua nga radhët e LSI dhe u bashkua me PS-në. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:31
100 të rinj të LSI në Berat iu bashkuan sot PS, Çela: Rritja e Lëvizjes Socialiste s’ndalet! Socialistë të ndershëm po na bashkangjiten përditë

Drejtuesi politik i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Beratit, Ardit Çela, ka reaguar pas lajmit se së fundmi edhe 100 të rinj dhe të reja në Berat janë larguar nga LSI dhe do të marrin sot teserën e PS-së.

Ndërsa hedh akuza se PS kërkon të mbajë peng njerëzit e mrekullueshëm të këtij qarku për interesa të ngushta te 3-4 individeve, thotë se rritja e LDI nuk ndalet sidomos në qarkun e Beratit. Ai shton se të rinjtë dhe socialistët po i bashkohen kësaj force përditë.

“Rritja e LSI nuk ndalet, sidomos në qarkun e Beratit. Të rinj e të reja, energjike e që e duan vendin e tyre po bashkohen përdite me LSI. Socialiste të thjeshtë e te ndershëm, që e duan Beratin për ta ndërtuar e për të jetuar, e jo për ta mjelë, çdo ditë po i bashkëngjiten LSI në çdo lagje e qendër votimi.

Eshtë ky realitet, i vrullshëm dhe i pandalshëm i rritjes e fuqizimit te LSI, që e ka çoroditur rilindjen dhe tepsinë e saj. Fundi është i pashmangshëm”, shkruan ai ndër të tjera.