Në një konferencë për shtyp, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani tha se inflacioni vjetor ishte 1.6% në maj, duke shënuar rënie të lehtë krahasuar më muajin e mëparshëm. Rënia erdhi kryesisht si rrjedhojë e tkurrjes së çmimeve së shërbimeve mjekësore, ndërsa grupet e tjera nuk ndryshuan shumë.
Sipas Fullanit, ecuria e çmimeve të konsumit vazhdon të pasqyrojë presionet e dobëta inflacioniste si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Hendeku i prodhimit nuk favorizon rritjen e prodhimit dhe pagave, ndërsa kursi i këmbimit është i qëndrueshëm. Edhe pritshmëritë janë të ulëta për inflacionin në vijim.
"Të dhënat e tërthorta sinjalizojnë për rritje të lehtë të prodhimit në muajt e parë të vitit, si nga kërkesa e brendshme ashtu dhe e huaj. Politika fiskale ka qenë konsoliduese dhe nuk ka mbështetur rritjen në ekonomi. Deficiti buxhetor ka qenë 68% më i ultë se një vit më parë. Të ardhurat fiskale u rritën me 9%, ndërsa shpenzimet ranë me 7.5%. Kjo politikë është në linjë me kërkesën e Bankës së Shqipërisë." theksoi Fullani, megjithatë sipas tij Banka e Shqipërisë kërkon një shpërndarje më të njëtrajtshme të shpenzimeve.
"Rimëkëmbja e qëndrueshme vijon të pengohet nga pasiguritë e individëve dhe bizneseve, që nuk marrin përsipër rrezik nga sektori real dhe financiar. BSH pret përmirësim të konsumit dhe investimeve private duke reflektuar dhe politikën monetare lehtësuese të ndjekur prej saj. Përmirësimi i kërkesës së huaj dhe dinamika e disa sektorëve u reflektuan në një rritje prej 10.3% të eksporteve në prill. Megjithatë defiçiti tregtar u rrit, si pasojë e zgjerimit të importeve me 6%. Situata energjetike vijon të rëndojë bilancin tregtar të vendit." theksoi Fullani. Megjithatë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë shtoi se eksportet pritet të përshpejtohen.
Presionet e ulëta inflacioniste dhe rritja nën potencial kanë ndikuar në ndjekjen e një politike monetare lehtësuese. Ulja e fundit rezulton të jetë përcjellë e plotë në tregun ndërbankar dhe në atë të letrave me vlerë të qeverisë dhe janë krijuar premisat për përcjelljen në lehtësimin e kostos së kredisë, tha Fullani, duke kërkuar më shumë reagim nga sistemi bankar. Kërkesa e ekonomisë për mjete financiare mbetet e dobët. Kredia në prill ra rreth 2%. Ka pasiguri në të dy kahet." tha Fullani.
"Përmirësimi i qëndrueshëm i kreditimit do të njdekë përmirësimin e aktivitetit ekonomik në vend. Ekonomia pritet të rritet në mënyrë graduale, me një rritje më të përmirësuar në gjysmën e dytë e vitit, megjithatë rritja do të mbetet nën potencial." theksoi guvernatori.
Uljet dhe reagimi
Vetëm një muaj më parë Banka e Shqipërisë uli normën bazë në një nivel rekord të ulët historik, duke e çuar në 2.5%, në përpjekje për të nxitur ekonominë e sëmurë nga kriza.
Që nga viti 2009, Banka qendrore ka ndjekur një politikë të vazhdueshme lehtësuese monetare, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë të vazhdueshme monetare lehtësuese, duke reduktuar normën bazë nga 5.25% në fund të 2009-s në 3% në fund të 2013-s. Kjo politikë ka vijuar dhe në pjesën e parë të 2014-s, me normën bazë që është ulur 2 herë gjatë këtij viti, duke arritur aktualisht në 2.5%.
Por kjo politikë, më shumë se në uljen e kostos së parasë në ekonomi (rënien e interesave të kredisë) është reflektuar në reduktimin e kostos së borxhit për qeverinë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e yield-it (interesit) të bonove të thesarit në vitin 2013 ishte 3.66%, nga 9.14% në vitin 2009, një rënie drastike kjo me 5.45 pikë përqindjeje.
Në të kundërt, kosto e kredisë, (tkurrja e të cilës është qëllimi kryesor i politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë) ka rënë nga 12.46% në 9.52%, duke u tkurrur me 2.94 pikë përqindjeje.
Redaksia Online
(e.c/e.s/shqiptarja.com)