Pas pezullimit nga detyra pak javë më parë me firmën e ish-drejtorit të komanduar të Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, efektivi Ulian Shpataraku është përjashtuar nga radhët e policisë me vendim të drejtorit aktual, Skënder Hita.

Burime bëjnë me dije se motivi i përjashtimit është mosparaqitja në detyrë. Shpataraku ka mbajtur detyrën e asistentit në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit.

Ai ishte duke ndjekur studimet master në Akademinë e Sigursë, por dyshohet se, me argumentin e vijimit të studimeve, nuk paraqitej rregullisht në punë.

Si çdo efektiv i përjashtuar nga Policia e Shtetit, edhe Shpataraku ka të drejtën e ankimit. Komisioni përkatës pritet që brenda një muaji të konfirmojë ose jo zyrtarisht vendimin për përjashtimin e tij.